Ndërlidhjet

AHTISAARI INSISTON SE NUK DO TË KETË MË SHTYRJE


I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në intervistën që i ka dhënë të së përditshmes “The Financial Times”, insiston se do t’i përmbahet afatit të caktuar dhe do ta dorëzojë pakon për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit në fund të muajit. Ai i ka thënë gazetës se nuk ka kuptim për ta vonuar këtë çështje, meqë është pothuajse e pamundur që të arrihet ndonjë kompromis midis shumicës shqiptare nnë Kosovë dhe autoriteteve në Beograd. Komentet e zotit Ahtisaari do të ofrojnë siguri për shqiptarët e Kosovës, të cilët gjerësisht e kanë mirëpritur propozimin e tij, por jo edhe për zyrtarët serbë, të cilët deri më tash kanë dështuar të japin një përgjigje të koordinuar. Zoti Ahtisaari megjithatë nuk është i gatshëm që të marrë në shqyrtim shtyrje të reja, shkruan gazeta. “Nëse dikush kërkon nga unë më shumë kohë, atëherë unë do t’i pyes nëse me më shumë kohë do të mund të ndryshojnë edhe pikëpamjet. Unë nuk besoj se mund të ketë ndryshime pikëpamjesh”, ka thënë zoti Ahtisaari. Propozimi i tij është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, Rusia ndërkaq ka hamendje serioze nëse Kosova duhet bëhet e pavarur megjithë kundërshtimin e Beogradit. Por, shkruan gazeta, Sergei Lavrov, ministri i jashtëm rus, ka thënë se Moska asnjëherë nuk i ka premtuar Beogradit se do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit mbi Kosovën. Zoti Ahtisaari ndihet i rehatshëm me faktin se Grupi i Kontaktit është unanim në vendimin që kjo çështje të trajtohet në Këshillin e Sigurimit dhe në këtë kuadër ai ka thënë se “mund të ketë nuansa në qëndrime, por është trimërues fakti se anëtarët e Grupit janë duke vepruar bashkërisht”.
Duke e komentuar argumentin e Rusisë se pavarësimi i Kosovës mund të jetë precedent për territoret tjera në shkëputje, zoti Ahtisaari tha se “kjo çështje është temë e mirë debatesh, por nuk mund të shkojë më larg se kaq. Problemet e ish Bashkimit Sovjetik atëherë duhet të trajtohen në Këshillin e Sigurimit dhe atje të vendoset për precedentin”, ka thënë Ahtisaari për “Financial Times”.
Për të përditshmen “The Guardian” ndërkaq, ai ka deklaruar se nëse Këshilli i Sigurimit dështon në imponimin e një zgjidhjeje, dhuna mund të kthehet në Kosovë.
“Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron që ta zgjidhë situatën, duhet të jetë e guximshme në vendimin për statusin, meqë palët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë”, ka thënë Ahtisaari për gazetën. Ai ka tërhequr vërrejtjen se dështimi për të vepruar mund ta dobësojë situatën e sigurisë dhe mund të nxisë tërheqjen e forcave paqeruajtëse të NATO-s nga terreni. Në një rast të këtillë, po ta këshilloja unë qeverinë time, do të kërkoja tërheqjen”, ka thënë Martti Ahtisaari për të përditshmen “The Guardian”.
XS
SM
MD
LG