Ndërlidhjet

logo-print

PROTESTAT KUNDËR PAKOS PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi

Pakoja e Ahtisaarit nuk e përmban dhe nuk e përmend askund vullnetin e popullit për pavarësi, ndërsa propozimi për shpërbërjen e Trupave të Mbrojtejs së Kosovës e bën atë një pako skandaloze dhe të papranueshme për shqiptarët, tha sot lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në një takim me gazetarët, ku ka konfirmuar se më 10 shkurt do të mbahen protesta kundër pakos së Ahtisaarit, zoti Kurti tha se ky propozim i Ahtisaarit është konkretizim i formulave serbe për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Ajo paraqet konkretizim, qartësim dhe saktësim të asaj që me Rezolutën 1244 është quajtur autonomi substanciale. Përveç kësaj, pakoja e Ahtisaarit ndodhet brenda dy formulave serbe–formula e parë e tyre për autonomi brenda autonomisë dhe formula e dytë më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, tha zoti Kurti, duke e quajtur pakon e Ahtisaarit antishqiptare dhe proserbe, pasi, sipas tij, ndër të tjera si trashëgimi kulturore konsiderohet vetëm ajo ortodokse serbe e jo edhe ajo shqiptare, dhe mbi këtë bazë janë formuar 45 zona eksterritoriale. Kurti e ka parë të pafavorshme edhe çështjen e decentralizimit. “Dihet se komunat shqiptare do të kenë më pak kompetenca sesa komunat me shumicë serbe” tha Kurti, duke e parë të papranueshëm edhe rolin e përfaqësuesit civil ndërkombëtar. “Përfaqësuesi civil ndërkombëtar që do të jetë edhe përfaqësues i Bashkimit Evropian, do të ketë fuqi korrektuese, që do të thotë të na i fuqizojë ligjet dhe fuqi zëvendësuese, që do të thotë se mund të na i qesë nga puna ministrat kur t’i teket, ndërkohë që nuk i përgjigjet askujt në Kosovë”, u shpreh Kurti.
Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje shtoi se në vend që të flitet për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës, misioni i ri ndërkombëtar do të merret me borxhet e Kosovës, pasi që përfaqësimi më i madh i Kosovës jashtë vetes së saj është pikërisht në emër të shlyerjes së borxheve. Kurti e ka quajtur shpërbërjen e TMK-së, njërin ndër elementet më skandaloze. “Në vend që të shpërbëhen strukturat paralele dhe paramilitare serbe që janë toleruar tash e shtatë vjet në Kosovë, po shpërbëhet TMK-ja. Le t’i shpërbëjnë strukturat paralele që janë gjithandej nëpër Kosovë, por jo, sepse Rezoluta 1244 krijon mundësinë që Serbia t’i ketë ato struktura”, tha Kurti. Ai shtoi se në demonstratën e 10 shkurtit do të marrin pjesë një numër i madh i demonstruesve, të cilët në këtë mënyrë do të shprehin pakënaqësitë e tyre rreth pakos së Ahtisaarit, meqë sipas një analize të bërë nga lëvizja Vetëvendosje, 80 përqind e qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me pakon e Ahtisaarit, tha Kurti.
Në anën tjetër, e ashtuquajtura Bashkësi e Komunave dhe Vendbanimeve Serbe, një strukturë që nuk njihet nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, e ka quajtur të papranueshëm planin e Ahtisaarit. Marko Jakshiq, kryetar i këtij organizmi tha se Ahtisaari ka tejkaluar mandatin e tij dhe ka bërë hapa në drejtim të shkatërrimit të subjektivitetit juridik dhe ndërkombëtar të shtetit të Serbisë. “Propozimi i Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës është i papranueshëm për palën serbe në të gjitha elementet e tij, prandaj edhe e refuzojmë krejtësisht, tha Jakshiq.
Në takimin e sotëm është vendosur po ashtu që të hidhen poshtë të gjitha idetë që veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë, ndërsa pjesa tjetër t’u jepet shqiptarëve, siç tha Jakshiq. Nga ky takim, po ashtu u është bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve serbë në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës që të largohen, pasi me praninë e tyre legalizojnë synimet separatiste të shqiptarëve, ndërkohë që për të premten në mesditë është paralajmëruar edhe tubim protestues në pjesën veriore të Mitrovicës.

XS
SM
MD
LG