Ndërlidhjet

TË DREJTAT E PAKICAVE NË PAKON E AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Dokumenti i presidentit Ahtisaari parasheh që Kosova të jetë një shoqëri shumetnike, në të cilën do të mbrohen dhe garantohen të drejtat e komuniteteve pakicë. Pakoja parasheh dhe masat mbrojtëse për të drejtat e pakicave, filluar nga Kushtetuta e deri te niveli lokal që përcaktohen përmes decentralizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore e fetare nëpër komunat, të cilat do të kenë një shkallë të lartë të autonomisë. Për Qeverinë e Kosovës, dokumenti i Ahtisaarit ofron të drejta për pakicat që nuk i njeh ndonjë praktikë tjetër ndërkombëtare. Zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama, veçon sidomos të drejtat që dokumenti i Ahtisaarit përcakton për komunitetin serb të Kosovës, çka, sipas saj, paraqet dhe një përjashtim në praktikën ndërkombëtare, pasi që nuk flet për të drejtat e njeriut, por për të drejtat kolektive. “Dokumenti është shumë solid në një kohë kur i gjithë perëndimi është i fokusuar në të drejtat individuale. Ky dokument thjesht i mbron të drejtat kolektive dhe i mbron në një masë që nuk i ka asnjë tjetër minoritet në ndonjë praktikë botërore. Theksoj edhe një herë, ofron të drejta më shumë seç ka ndonjë pakicë tjetër në ndonjë vend tjetër të botës”, tha Lama.
Në anën tjetër, drejtuesi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se ky plan ofron përmirësim të dukshëm të të drejtave të komuniteteve, por sidoqoftë, ai thotë po ashtu se nuk mund të jetë i kënaqur me dokumentin. “Kjo gjithsesi do të thotë se bashkësia serbe të jetë më mirë e mbrojtur, mirëpo kjo nuk do të jetë kështu nëse është parakusht për pavarësi, sepse për ne çfarëdo pavarësie për Kosovën paraqet problem dhe kërcënim”, vlerëson Oliver Ivanoviq. Ai thotë po ashtu, se gjashtë komunat e reja që parashihen të formohen në kuadër të decentralizimit, nuk i përmbushin kërkesat e serbëve, të cilët kanë kërkuar më shumë komuna me shumicë serbe. “Mendoj se do të duhej që të koncentrohemi në përmirësimin e këtij decentralizimi të ofruar dhe t’i eliminojmë disa pengesa, siç janë formimi i ushtrisë, çka për ne paraqet element destabilizues, si dhe të hiqet dorë nga ato pjesë të marrëveshjes që i njohin Kosovës të drejtën e konkurimit për anëtarësim në organizatat botërore”, thotë Ivanoviq. Duke mos u ndalur vetëm në të drejtat e komunitetit serb, Ivanoviq thotë se çfarëdo propozimi i ofruar, çdo dokument që e parasheh ndarjen e Kosovës nga Serbia, për serbët dhe Beogradin do të jetë i papranueshëm.
Ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mbeten në mes të qëndrimeve të Beogradit dhe vlerësimeve të tyre për dokumentin e ofruar, Prishtina zyrtare me gjithë rezervat që ka rreth pikave të caktuara, e ka mirëpritur pakon e Ahtisaarit. Zëdhënësja Ulpiana Lama thotë se kompromisi i arritur kërkon që bashkësia ndërkombëtare të monitorojë zbatimin e marrëveshjes, sipas propozimit të Ahtisaarit, kur janë në pyetje të drejtat e pakicave, përkatësisht pakicës serbe. Në këtë rrafsh, ajo thotë se pakoja e Ahtisaarit, edhe në aspektet e pakicave do të jetë bazë e mbrojtjes ligjore të tyre në Kosovën pas statusit. “Pakoja e bën të qartë që një pjesë e tyre do të jenë me ligj kushtetues. Për shembull, dygjuhësia do të jetë me ligj kushtetues, pra ajo është pjesë e pakos dhe do të jetë pjesë e Kushtetutës. Kështu që, besoj se do të ketë një kombinim të përshtatshëm mes asaj që do të realizohet përmes ligjeve të veçanta dhe asaj që do të jetë pjesë e dokumentit themeltar të shtetit të ri të Kosovës”, tha Lama.
Pas zgjidhjes së statusit, parashihet që Misioni i OSBE-së të marrë nën monitorim zbatimin e çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve, decentralizimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Varësisht nga rezultatet e këtyre monitorimeve, institucionet kosovare edhe atëherë do të vlerësohen nga bashkësia ndërkombëtare se sa kanë arritur t’i akomodojnë dhe integrojnë pakicat dhe sa po e zbatojnë marrëveshjen, përkatësisht pakon e Ahtisaarit, në kuptimin e realizimit të të drejtave për komunitetet.


XS
SM
MD
LG