Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI DISKUTON PAKON E AHTISAARIT TË PREMTEN


Albana Isufi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të debatojnë për pakon e Ahtisaarit në një seancë të veçantë të Kuvendit, që do të mbahet të premten. Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit, pasi që është njoftuar se shefat e grupeve parlamentare pajtohen me pakon.
Kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, tha se në seancë do jetë i pranishëm Ekipi i Unitetit, i cili do të paraqesë, por edhe mbrojë qëndrimet e tija për dokumentin gjithëpërfshirës për statusin.
”Ne mbledhje u muar vendimi që të dilet të premten në seancë plenare me dokumentin e Ahtisaarit. Është vendim unanim i të gjithë anëtarëve të Kryesisë dhe natyrisht edhe grupeve parlamentare”, tha Berisha.
Anëtari i Kryesisë, Gazmend Muhaxheri, tha se nuk pritet që Kuvendi të miratojë pakon e Ahtisaarit, por nga deputetët kërkohen opinionet rreth pakos, para se Ekipi i Unitetit të dërgojë komentet në Vjenë. Ndryshe, Muhaxheri thotë se shefat e grupeve parlamentare mbështesin propozimin për statusin. “Kjo mbështetje duhet të reflektojë edhe në seancën e së premtes. Në diskutimet e së premtes do të shihet se me të vërtetë Ekipi i Unitetit e ka këtë përkrahje”, tha Muhaxheri.
Dokumenti gjithëpërfshirës për statusin, që Ahtisaari ua ka paraqitur palëve më 2 shkurt, është pranuar nga Prishtina, por është hedhur poshtë nga Beogradi. Prishtina, tashmë edhe zyrtarisht ka pranuar ftesën për takimin e 13 shkurtit, që do të mbahet në Vjenë. Por, ende nuk është saktësuar natyra e takimeve që do mbahen në periudhën konsultative, që sipas agjendës së Ahtisaarit pritet të zgjasë deri më 2 mars. Ndërkohë, kryeministri Agim Çeku është shprehur i bindur sot se nuk do të ketë shtyrje të negociatave. Presidendti serb, Boris Tadiq, ka kërkuar që takimi i 13 shkurtit të shtyhet për të paktën 10 ditë. Çeku beson se periudha konsultative do mbarojë sipas agjendës së Ahtisaarit. Ndërsa, në takimin e Vjenës, kreyministri Çeku ka vlerësuar se pala kosovare do të japë vërejtjet e saj. Kryeministri ka thënë pas një takimi me komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Sylejman Selimi, se nuk është i kënaqur me pjesën e pakos ku flitet për TMK-në. ”Vërejtja në pakon e Ahtisaarit është që TMK-ja të shpërbëhet. TMK-ja do të jetë pjesë dhe do të jetë bartëse e këtij procesi bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, bashkë me forcat e NATO-s, dhe kur të shterren të gjitha mundësitë që pjesëtarët e TMK-së të transformohen në strukturën e ardhshme, atëherë kjo pjesë të mbrohet me ligj”, tha Çeku.
Por, pavarësisht vërejtjeve, pakoja gjithëpërfshirëse e Ahtisaarit është vlerësuar nga pala kosovare të jetë dokument që i hap rrugën pavarësisë së Kosovës, edhe pse në të nuk definohet qartë statusi i Kosovës.


XS
SM
MD
LG