Ndërlidhjet

logo-print

SA KA BORXH NDËRKOMBËTAR KOSOVA?


Nadie Ahmeti

Kosova do ta marrë përsipër pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar deri në vitin 1990 dhe pas vitit 1999, kur ka përfunduar lufta në Kosovë, dhe kjo çështje si e tillë është përfshirë edhe në pakon e Martti Ahtisaarit. Skënder Berisha, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pohon se shifrat zyrtare se sa është borxhi, ende mungojnë, por megjithatë ai thotë se kjo shumë duhet të jetë më pak se një miliardë dollarë, që sipas tij, nuk paraqet ndonjë problem për ta shpaguar. “Këto shifra para viteve të 90-ta, para masave të dhunshme të Serbisë në ekonominë tonë, janë sjellë deri në një miliardë dollarë. E tash në ndërkohë, kur Serbia ka udhëhequr me ekonominë tonë, prej viteve të 90-ta e deri në luftën e fundit, a ka kthyer diçka apo jo, ne nuk kemi informacione”, tha zoti Berisha.
Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Nuri Bashota, i cili mendon se borxhi i Kosovës ndaj organizatave të huaja financiare arrin deri në më shumë se 785 milionë dollarë, tregon se në cilat institucione Kosova ka borxh. “Sipas institucioneve financiare të huaja, ajo mund të arrijë deri në 1 miliardë e 100 milionë dollarë. Kosova i ka borxh Bankës Ndërkombëtare për Zhvillim, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Klubit të Parisit, Klubit të Londrës, Eximbankës dhe kredi të huazuara nga ish vende socialiste. Këtu hyn edhe Banka Botërore”, tha zoti Bashota. Mundësia e shpagimit të këtyre borxheve për ekspertët, nuk paraqet ndonjë problem. Nuri Bashota pohon se Kosova ka mundësi t’i shpaguajë me dy burime. “Njëri burim është marrja më suksesion e pasurisë së ish-Jugosllavisë, për arsye se ne kemi marrë pjesë në krijimin e pasurisë së ish-Jugosllavisë, prej tre deri në pesë përqind të produktit shoqëror të Kosovës. Prandaj, tani me pakon e Ahtisaarit, është dhënë mundësia që Kosova të paraqitet si pjesëmarrëse në pjesën që i takon nga pasuria e ish-Jugosllavisë. Dhe burimi i dytë për pagimin e këtyre mjeteve, është kompensimi i dëmeve të luftës”, tha zoti Bashota.
Ndërkaq, eksperti tjetër Skënder Berisha, pohon se në bisedimet me Klubin e Parisit dhe me atë të Londrës, është thënë se një pjesë e borxhit do të shlyhet. “Një pjese tjetër t’i prolongohet afati i kthimit, derisa të fillojmë pak një zhvillim ekonomik. Se praktikisht, ne nuk kemi zhvillim ekonomik prej luftës në Kosovë, dhe besoj se një pjesë mund ta fshijë Klubi i Parisit dhe Klubi i Londrës”, tha zoti Berisha. Me gjithë faktin se është herët të flitet për një gjë të tillë, Nuri Bashota, shpreson se institucionet financiare ndërkombëtare do t’i dalin në ndihmë Kosovës, me shlyerjen e borxheve. “Kosovës duhet t’i ndihmohet, jo vetëm me shlyerjen e borxheve, por me krijimin e një konzorciumi të donatorëve ndërkombëtarë, me formimin e një plani marshall, i cili do të investojë në Kosovë drejtpërdrejt, duke u mundësuar ndërmarrjeve të vendit që të ringjallen”, tha zoti Bashota.
Ndryshe, në pakon e Ahtisaarit, sa i përket borxhit ndërkombëtar, thuhet se një vit pas fuqizimit të marrëveshjes për statusin, nëse pajtohen për marrëveshje, Kosova dhe Republika e Serbisë nuk pajtohen për përmbushjen dhe caktimin e borxheve, atëherë Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të emërojë një arbitër që do të merret me ndarjen e borxheve në mes të dy vendeve.


XS
SM
MD
LG