Ndërlidhjet

BEOGRAD


Uashingtoni është i bindur se Beogradi do të marrë pjesë në bisedimet e mëtejshme për Kosovën, tha sot i dërguari i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Frank Wisner. "Po largohem me një siguri nga presidenti dhe kryeministri se qeveria e Serbisë ka për qëllim që të angazhohet në negociatat e mëtejshme", tha zoti Wisner. Këto komente ai i bëri pas takimeve me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq dhe me kryeministrin Vojisllav Koshtunica, që javën e kaluar e hodhën poshtë planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Mëtutje, zoti Wisner tha se propozimin e Martti Ahtisaarit, Uashingtoni e sheh si "një dokument historik që përcakton etapën për pjesën finale të këtyre negociata që zgjatën shumë". Mëtutje ai u shpreh se "personalisht e mirëpret faktin se qeveria e Serbisë do të angazhohet në atë që besoj se është rundi final i negociatave". Presdietni Boris Tadiq, pas takimit, kumtoi se në bisedimet me të dërguarin amerikan ka shprehur "përkushtim të fuqishëm se bisedimet duhet të vazhdojnë dhe përkushtimin e Serbisë për paqen në rajon". Pas takimit me zotin Wisner, kryeministri Vojisllav Koshtunica kumtoi se plani i Ahtisaarit ishte "i papranueshëm" dhe ka akuzuar të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për "hapjen jolegjitime të çështjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë".
XS
SM
MD
LG