Ndërlidhjet

logo-print

NAZARKO:"KOSOVA NDËRMJET EUFORIKËVE DHE PESIMISTËVE EKSTREM"


Mentor NAZRAKO, analist nga Tirana

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni ju dokumentin e kryenegociatorit Marti Ahtisari për statusin e Kosovës?

MENTOR NAZARKO
Ka disa këndvështrime të këtij plani. Së pari në atë juridik, që është këndvështrimi kryesor, ose ai i të drejtës ndërkombëtare, kjo është një kushtetutë me anë të të cilës lind një shtet i ri, në kuptimin e të të gjithë elementëve përbërës të një shteti. Në atë të krijimit të një organizimi politik, në kuptim të sovranitetit të tij të brendshëm e të jashtëm, pra të dhënies së një subjektiviteti ndërkombëtar. Në pikëpamje politike dokumenti është fryt i bindjes së bashkësisë ndërkombëtare, fuqive të mëdha, Grupit të Kontaktit dhe marrëveshjes së tyre, për të zgjidhur një krizë politike, një krizë rajonale si ajo e Kosovës edhe më në fund për ta parë Ballkanin në një mënyrë të re. Nga këndvështrimi i interesit të shqiptarëve, në një kuptim të përgjithshëm pra politiko-juridik, ajo është oferta më e mirë e mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumica e vendeve perëndimore e trajtojnë çështjen e Kosovës në formë shumë parimore, por ka vende evropiane që hezitojnë dhe disa të tjera që kanë dalë kundër pavarësisë së Kosovës. A mendoni se kjo ndarje në komunitetin ndërkombëtar mund të zvarrisë dhe komplikojë zgjidhjen e statusit të Kosovës?

MENTOR NAZARKO
Mund ta bënte deri pak kohë më parë, por siç duket ato që konsiderohen subjekte ndërkombëtare më të rëndësishme në plan global, Bashkimi EuropiAn, Shtetet e Bashkuar të Amerikës madje edhe Kina, janë dakort që Kosovës i duhet dhënë një zgjidhje sa më e shpejtë. Unë mendoj që sapo të përshkruhet kjo fazë që ndan prezantimin e planit të Ahtisarit në Kosovë e në Beograd deri në Këshillin e Sigurimit, do të kemi miratimin e kësaj pakoje në linjat kryesore të saj me një ndryshim të vogël eventual dhe asnjë forcë nuk mund ta pengojë atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë dokumenti marrë në tërësi është mirëpritur. Por Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit e konteston atë dhe pohon se ai mund të çojë Kosovën drejt problemeve të reja. Si mendoni ju?

MENTOR NAZARKO
Në Kosovë mund të bënin dëm euforikët e pandreqshëm që mund të kishin një lloj ndjekjeje popullore mbrapa ose pesimistët e pandreqshëm, por që do të kishin ndjekje të madhe popullore nga pas, pra që do të kishin fuqinë, influencën në territor, në gjirin e popullsisë kosovare për të provokuar lëvizje që do t'i kundërviheshin këtij statusi. Megjithëse populli e percepton që kjo është pozitive është fare lehtë të ngatërrohen ndjenjat popullore, për shkak se teksti ka një shkallë të caktuar komplikimi. Në rastin e Lëvizjes së Albin Kurtit, mungon një cilësi që do ta bënte atë më të rrezikshme seç duhet - simpatizantët e kësaj lëvizjeje janë në një numër aq të vogël sa nuk do të mund të bënin dëm për të nxitur apo provokuar pakënaqësi masive popullore. Ndërkohë në një shikim, megjithëse mund të duket paradoksal, kjo lëvizje është pozitive sepse korrigjon të paktën euforikët e pandreqshëm, sepse mund të ketë të tillë në pjesën e klasë politike kosovare dhe kjo i bën ata më të përmbajtur. Euforikët e pandreqshëm mund të stimulonin te popullsia një ndienjë triumfalizmi, dëshirë për të larguar fqinjin serb etj. Në rastin konkret qenia e një zëri kundër ndikon për të frenuar në njëfarë mënyre këtë eufori. Ndërkohë duhet të them se çfarë kjo lëvizje shpreh është e tipit maksimalist dhe ka shumë kundërshtira brenda. Ata pretendojnë pavarësi menjëherë që do të thotë që brenda pak ditësh të largohet NATO, UNMIK-u dhe kosovarët të vetëqeverisen. Në këtë moment, nuk ka asnjë siguri që me ikjen e NATO-s Serbia nuk do ta pushtonte Kosovën ose Kosova nuk do të hynte në një konflikt të përgjakshëm nga i cili do të humbte. Nëse Lëvizja Vetëvendosje është kritike e madhe ndaj klasës politike të Kosovës, në momentin që kërkon të largohet UNMIK-u praktikisht po pranon që kjo klasë politike që drejton Kosovën, e cila për fat të mirë apo për fat të keq i ka votat, qenkësh e aftë për të qeverisur Kosovën. Gjithsesi mbështetja e kësaj lëvizjeje është kryesisht në zonat qytetare e në një pjesë elitare të të rinjve të Kosovës. Në këtë kuptim është ende herët për të pretenduar që ajo mund të kishte pasoja negative për shkak të ndikimit të madh në popullsinë e Kosovës.

Intervistoi: Klodi MESHI
XS
SM
MD
LG