Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"PLANI I AHTISARIT - PROCES DREJT PAVARËSISË DHE SOVRANITETIT"


Janusz BUGAJSKI, Instituti për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë e kemi planin e zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës. Ka reagime të ndryshme nga palët ndaj këtij plani. Si e shihni ju këtë plan?

JANUSZ BUGAJSKI
Ky plan është fillim i procesit drejt pavarësisë dhe sovranitetit. Ndonëse asnjëra nga këto fjalë nuk është përmendur në tekst, është shumë e qartë se do të ndodhin tri gjëra: e para – autoriteti i Serbisë ndaj Kosovës më nuk njihet, e dyta – misionit të Kombeve të Bashkuara poashtu po i afrohet fundi dhe e treta – do të jetë një mision i përkohshëm i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s për ta mbikqyrë procesin drejt pavarësisë së plotë dhe sovranitetit. Por, mendoj se në tekst është e qartë se Kosova po ecën drejt pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisaari i tha gazetës "Financial Times" se nuk do të ketë shtyrje në proces, përkundër deklaratave nga zyrtarët e Serbisë, të cilët po kërkojnë shtyrje deri sa të formohet Kuvendi i ri. Sipas jush, sa do të zgjatë ky proces?

JANUSZ BUGAJSKI
Për momentin orari kohor është ai që në mesin e shkurtit zoti Ahtisaari do të përpiqet t'i sjellë përsëri të dy palët në Vjenë për bisedime. Me këtë rast mund të pritet ndonjë amandament, ndonjë shtesë ose ndonjë pasqyrim nga secila palë. Por, bojkoti nuk do të tolerohet dhe do të nënkuptohej se pala që bojkoton nuk është serioze lidhur me marrëveshjen. Hapi i ardhshëm do të jetë që kjo të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që me gjasë do të ndodhë gjatë muajit mars, me ç'rast do të filloj edhe ballafaqimi me Rusinë nëse do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit apo do të ecet përpara pa atë rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Posa e përmendët Rusinë. Në këtë aspekt, para disa ditësh, ministri i Jashtëm, zoti Lavrov tha se ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për statusin e Kosovës. Sa këto dallime do të ndikojnë në procesin e statusit?

JANUSZ BUGAJSKI
Nuk mendoj se do të ndikojnë në rezultatin final… me fjalë të tjera, në pavarësi dhe sovranitet. Por do të ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Rusia i dëshiron disa avantazhe për vete, veçanërisht në Kaukaz ndaj Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Pra, Rusia do të përpiqet që të përfitoj nga procesi, jo domosdoshmërisht për ta mbështetur Serbinë, por këtë po e përdorë në mënyrë taktike për të arritur avantazhe tjetërkund. Pra, nuk mendoj se kjo do të ndikoj në statusin final, pasi, edhe në rast se Rusia kërcënon me veto në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo që atëherë do të ndodhë fundamentalisht, është që Kosova të lëvizë përpara dhe ta shpallë pavarësinë dhe vendet individualisht do ta njihnin këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga këndëvështrimi juaj çfarë përfundimi do të shohim në Këshillin e Sigurimit?

JANUSZ BUGAJSKI
Nëse Moska kërëcënon ta përdorë veton, atëherë nuk do të dilet me rezolutë në Këshillin e Sigurimit, pasi nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera, vendet e Bashkimit Evropian do të dëshironin që kjo të refuzohej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Mendoj se ato shpresojnë se Rusia do të abstenoj, por poashtu edhe terminologjia e rezolutës, që domosdoshmërisht nuk do ta shpallë pavarësinë, por do të lejoj që, siç thashë, Kosova të lëvizë drejtë shpalljes së pavarësisë. Me fjalë të tjera, për Rusinë do të jetë më e pranueshme, që të abstenoj se sa ta përdorë veton.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisaari, i tha gazetës "The Guardian" se "nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta zgjidhë situatën duhet të ketë kurajo të mjaftueshme për të vendosur për statusin, pasi palët nuk mund ta bëjnë këtë". Sipas jush, çka do të thotë kjo?

JANUSZ BUGAJSKI
Kjo do të thotë se ju nuk mund të keni një marrëveshje ndërmjet një pale që synon pavarësi dhe tjetrës që është kundër pavarësisë. Nuk ka kompromis ndërmjet pavarësisë dhe jo-pavarësisë. Pra, kjo mund të krahasohet me shtatëzani: ose jeni ose nuk jeni shtatëzanë. Është njëra ose tjetra. Mendoj se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shumë të njëzëshme se statusi final duhet të jetë pavarësia dhe sovraniteti për Kosovën. Kjo kundërshtohet nga Serbia. Për të dalë nga kjo situatë, Serbia mund të thotë se ende nuk është formuar qeveria e re për të zhvilluar negociata. Rrjedhimisht, mendoj se askush në Beograd nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë për vendimin final.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG