Ndërlidhjet

JAVIER SOLANA FTON PALËT NË KONSULTIMET E VJENËS


Zijadin Gashi

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë plotësisht i angazhuar në procesin politik në Kosovë dhe i ofron mbështetje të plotë dokumentit të Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kështu ka deklaruar sot përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Siguri e Politikë të Jashtme, Javier Solana. Gjatë vizitës njëditëshe sot në Prishtinë, Solana ka takuar Ekipin Negociues të Kosovës dhe përfaqësuesit politikë të komunitetit serb. Ai tha se po e viziton Prishtinën në këtë fazë kur Kosova po e shkruan faqen e fundit të historisë së kaluar dhe faqen e parë të historisë së saj të re. Bashkimi Evropian përkrah fuqimisht propozimin e Ahtisaarit, ndërkaq BE-ja, shtoi Solana, do të mbetet shumë e përkushtuar ta ndihmojë në këtë proces Ahtisaarin, si edhe institucionet e Kosovës në implementimin e marrëveshjes. Duke komentuar kërkesën e Beogradit për shtyrjen e fazës së ardhshme të konsultimeve mes palëve lidhur me pakon për statusin, Solana tha se i takon Ahtisaarit që të marrë vendime adekuate se si do të vazhdojë procesi ditëve të ardhshme. “Nuk më takon mua që të vendos se si do të vazhdojë ditët e ardhshme kjo fazë e konsultimeve apo sa do të zgjasë ajo, por ajo që unë do të doja është që aty të përfshihen si Prishtina ashtu edhe Beogradi”, theksoi Solana. Ndërkaq është e sigurtë, shtoi ai, që presidenti Ahtisaari do të jetë i angazhuar dhe i përkushtuar, kurse BE-ja do të ketë një rol konstruktiv në këtë proces. Në takimin me palën kosovare, Solana tha se i ka dhënë mesazhe të qarta Ekipit Negociues, se tani ata duhet të jenë në nivel të lartë të përgjegjësisë që kanë. “Të ndërtosh diçka të re kërkon përkushtimin e njerëzve dhe liderëve dhe kërkon një punë të madhe”, tha Solana. Negociatorëve kosovarë, Javier Solana u ka thënë se tani procesi varet shumë nga ata, ngase tani lidershipi i Kosovës duhet të marrë përsipër zbatimin e marrëveshjeve, të cilat parashohin respektimin e të drejtave të minoriteteve, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe vazhdimin e rrugës përpara, e cila e shpien Kosovën kah integrimet evropiane. Nga ana tjetër BE-ja tha ai, është e gatshme të bashkëpunojë ngusht me Prishtinën dhe t’i ofrojë mbështetje në zhvillimin ekonomik si dhe në fushën e sigurisë. Solana tha se BE-ja pas statusit do të marrë një përgjegjësi të caktuar në Kosovë, ku hyjnë sidomos siguria dhe drejtësia.
Në anën tjetër, në emër të Ekipit Negociues të Kosovës, foli presidenti Fatmir Sejdiu. Ai tha se në takim me Solanën nuk është biseduar për mundësinë e shtyrjes së fazës së konsultimeve për 10 ditë, siç ka kërkuar Beogradi. Pala kosovare, shtoi Sejdiu, i ka konfirmuar tashmë Ahtisaarit pjesëmarrjen e vet në takimin e 13 shkurtit në Vjenë. Ndërkaq lidhur me vetë procesin e statusit, presidenti Sejdiu edhe këtë herë shprehu bindjen e tij se dokumenti i Ahtisaarit i vë bazat e shtetit të ri të Kosovës. “E falenderoj shumë për mbështetjen e fuqishme që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës dhe proceseve në këtë kohë, dhe natyrisht edhe propozimit të mirëpritur nga ana e presidentit Ahtisaari. Ne presim që pikërisht kjo mbështetje të ndikojë edhe më fuqishëm, që ky proces të kryehet shumë shpejt dhe natyrisht të arrijmë objektivin tonë që e kemi të qartë, pavarësimin e Kosovës dhe bërjen e Kosovës si një shtet të të gjithë qytetarëve të saj, me garancitë e rëndësishme të standardeve më të larta edhe për etnitë pakicë që i ka brenda saj, që janë pjesë e laramanisë së Kosovës”, theksoi Sejdiu.
Shefi i diplomacisë evropiane, Javier Solana, ka takuar më pas edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Njëri prej këtyre përfaqësuesve, Goran Bogdanoviq, tha se besonte që i kanë transmetuar Solanës qëndrimin e serbëve dhe mospajtimin e tyre me dokumentin e Ahtisaarit. “Paraqitëm qëndrimin tonë se të drejtat që i kishte bashkësia serbe nga viti 1999 e këndej me këtë dokument janë zbehur dhe që nuk pranojmë që në dokumentin e Ahtisaarit, serbët të trajtohen si pakicë, por si bashkësia e dytë etnike në Kosovë”, tha Bogdanoviq.
Ndryshe, Javier Solana pas Prishtinës ka vazhduar për në Beograd për të biseduar me autoritetet serbe lidhur me vazhdimin e procesit gjatë fazës së konsultimeve, siç e ka quajtur atë vet presidenti Martti Ahtisaari.
XS
SM
MD
LG