Ndërlidhjet

logo-print

SEJDIU:“ÇDO SHTYRJE I KA RREZIQET E VETA"


Fatmir SEJDIU, president i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president, pakon për statusin e Kosovës e keni vlerësuar si një hap përpara drejt krijimit të shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, në këtë pako statusi nuk është pagëzuar. Si e shihni ju këtë çështje, cilat do të mund të ishin ndikimet e kësaj paqartësie, nëse mund ta quajmë kështu?

FATMIR SEJDIU
Mund të them se vërtet e konsideroj moment të rëndësishëm dorëzimin e këtij propozimi nga ana e presidentit Ahtisaari, për materien që ai e ka trajtuar dhe e ka parë të udhës që të jetë në kuadër të saj, dhe mendojmë se si e tillë është një bazë e rëndësishme për shtetin e ardhshëm të Kosovës, shtetin e pavarur dhe sovran. Me rëndësi është veçanërisht dinamika të cilën presidenti Ahtisaari e mban me përkushtim, duke pasur parasysh një shtyrje të mëherëshme e cila pati krijuar shqetësime në opinion dhe posaçërisht në Kosovë. Pra, ka një përkushtim që kjo të ecë me një dinamikë shumë të shpejtë në ditët në vijim. Mendoj se muaji shkurt sipas idesë së tij, është i përputhshëm natyrisht edhe me insistimin tonë, të jetë muaji i trajtimit të kësaj pakoje në bisedat shtesë apo në angazhimet shtesë, siç i quan ai, apo konsultime. Sigurisht që nuk është dokument politik në kuptimin e dhënë ose në kuptimin e rekomandimeve, dhe besoj se presidenti Ahtisaari do të shtojë në Këshillin e Sigurimit ndonjë dokument shtesë dhe të japë vizionin e tij të qartë se cila do të jetë Kosova e ardhme, në kuptimin e statusit politik. Ndërsa, kjo pjesë është pjesë që ka trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me reformën e pushtetit lokal, me trashëgiminë, me aspektet ekonomike, me strukturën dhe mandatin e një prezence të lehtë civile ndërkombëtare që do të jetë në periudhën e pas përcaktimit të statusit dhe me çështjet e sigurisë. Sigurisht mund të them, që në dispozitat kushtetuese që janë dhënë apo në ato provizionet e para, ka edhe elemente të cilat tregojnë qartë se cili do të jetë pozicioni i Kosovës, edhe pse nuk është përmendur emri apo termi pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Me gjithë mikëpritjen që Prishtina zyrtare i ka bërë pakos, ju keni thënë se ka disa elemente për të cilat do të kërkoni ndryshime. Për cilat elemente saktësisht bëhet fjalë?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se janë çështje që i kemi biseduar edhe më heret dhe që janë pjesë e kompleksit të propozimeve që ka dhënë Delegacioni i Kosovës në të gjitha temat. Si të tilla ato besoj, se ndoshta duhet të rishikohen edhe njëherë nga ana e presidentit Ahtisaari dhe ekipit që ai udhëheq. Ne do të shfrytëzojmë rastin edhe njëherë në këto takimet shtesë të konsultimeve, t’i prezantojmë si të tilla. Janë çështje që kanë të bëjnë me nevojën e heqjes së dilemave të caktuara, të cilat në një mënyrë apo tjetër, mund të prishin funksionalitetin e punës së institucioneve të Kosovës, sidomos në nivelin e përfaqësimit dhe proceset e vendimmarrjes. Pastaj, janë çështje që kanë të bëjnë me raportet e brendshme midis komunave në Kosovë, flas për komunat serbe, dhe kompetencat shtesë që atyre u lëshohen. Janë kompetenca që duhet të vlejnë edhe për nivelin e komunave të tjera që kanë shumicën shqipatre në këtë rast, dhe që janë po ashtu pjesë të cilat ndjeshëm fokusohen edhe në sferat që janë të veçanta. Çështja e sigurisë për shembull, apo çështja e nominimit të komandantit të postkomandave të policisë duhet të jetë universale, nuk mund të jetë vetëm ekskluzivitet për komunitetin serb në këtë rast, por duhet të jetë edhe për komunat tjera dhe t’i nënshtrohet legjislacionit të Kosovës dhe një komande unike që është ministria.

RADIO EVROPA E LIRË
A besoni vërtet se pakoja mund të ndryshojë?

FATMIR SEJDIU
Aq sa mund të ketë hapësirë, mendoj se është me rëndësi që ne të deponojmë qëndrimin tone. Gjithë koha e deritanishme ka treguar se presidenti Ahtisaari ka një kujdes të veçantë në zgjidhjet racionale, zgjidhje të cilat mund të jenë të tilla për të nxjerrë perspektivën normale të zhvillimeve të mëvonshme. Sigurisht nuk është në interes as të tij si njeri kyç në këtë proces, në mandatin që ka nga ana e Këshillit të Sigurimit, që të bëjë ndonjë zgjedhje e cila mund të tregohet jo e mirë për një kohë shumë të shkurtë. Prandaj, po them posaçërisht nëse i kthehem dy tri çështjeve që unë theksova më heret e që mund të ketë edhe elemente të tjera, ta zëmë te çështja e pronës dhe të ngjashme, që mos të kemi probleme të natyrave të tjera që mund të involvohen në pjesën praktike, të shikojmë funksionalitetin. Çështja e shumicës së Badinterit të shikohet a mund të jetë shumicë që nxirret në relacionet e gjithmonshme edhe atëherë kur bojkotohet procesi. Me rëndësi është që këtu të operohet me, ta quajmë norma shtesë të procedurave, të cilat kanë respekt natyrisht edhe për dëgjimin e zërit të komuniteteve në këtë rast, por kanë respekt po ashtu që një institucion nuk mund të bllokohet nëse i teket një komuniteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët konsultimet dhe angazhimet shtesë në Vjenë. Tani është paralajmëruar edhe mundësia e fleksibilitetit rreth datës së takimit të ardhshëm, shtyrjen e të cilit e kanë kërkuar atutoritetet në Beograd. Si do të pasqyrohej edhe një shtyrje e këtillë në Kosovë?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se çdo shtyrje ka rreziqet e veta. Ne i jemi përgjigjur ftesës që na e ka dorëzuar presidenti Ahtisaari dhe e ka dorëzuar personalisht. Delegacioni i Kosovës e ka dhënë “po”-në e vet. Unë personalisht në emër të Delegacionit të Kosovës apo Ekipit të Unitetit, i kam kthyer përgjigjen presidentit Ahtisaari se ne do të jemi në ditën e hënë, në temat që do të trajtohen atje në kuptimin e konsultave shtesë, do të jemi në Vjenë. Prandaj, për ne është valide kjo kërkesë e tij që i drejtohet ekipeve, flas për Delegacionin e Kosovës në këtë rast, dhe besoj se të njëjtën gjë ia ka drejtuar Beogradit. Për ne është po ashtu e përgjegjshme që t’i përgjigjemi kësaj ftese. Prandaj, çdo shtyrje e cila mund të jetë në insistimin, posaçërisht kur është fjala që pala serbe e bën, dhe elemente të tjera që mund të gërshetohen, do të ishte vërtet e paarsyeshme dhe do të ishte joracionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Konsultimet në Vjenë, të paktën nga zoti Ahtisaari janë cilësuar si derë e hapur për kompromiset e mëtejme në mes të dyja palëve, edhe pse vetë zoti Ahtisaari ka shprehur dyshimin se diçka e këtillë mund të ndodhë. Ju sa besoni?

FATMIR SEJDIU
Unë flas për ne, ne vërtet kemi bërë kompromiset më të mëdha të mundshme. Të gjitha qasjet që i kemi pasur, vërtetë kanë qenë gjeneroze dhe kanë kaluar në situata të caktuara dhe zgjidhje që ofrojnë standardet ndërkombëtare. Kini parasysh edhe këto elemente që i fola pak më heret dhe që nuk i gjejmë në praktikat aktive. Mund të jenë probleme që janë shtruar në mënyrë parciale ndokund, ta zëmë çështjen e Marrëveshjes së Ohrit. Për ne është me rëndësi që të japim idetë tona në korrekcionet e caktuara, pra në kuptimin edhe të asaj që kemi ofruar në takimet e Vjenës. Ndonjë qasje tjetër apo riciklim i bisedimeve dhe shtrimi i termave të tjera, vërtet do të ishin të papranueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e kanë vlerësuar si të papranueshme pakon. Disa prej tyre madje kanë paralajmëruar mundësinë e shkëputjes së veriut të Kosovës nëse ajo pavarësohet. Sa ndikon ky kundërshtim i tyre në zbatimin e marrëveshjes në tërësinë e saj?

FATMIR SEJDIU
Ne jemi në një proces ndërkomëtar. Kosova është çështje ndërkombëtare, pra është çështje sui generis në kuptimin e zgjidhjes së saj. Si e tillë është trajtuar edhe në nivelet më të larta. Posaçërisht kemi parasysh qëndrimet jashtëzakonisht strikte të Grupit të Kontaktit që janë frymë edhe e vendimeve të Këshillit të Sigurimit se Kosova është një dhe është unike, dhe si territor i saj është i pandashëm. Këtë formulë e kemi të përsëritur me përkushtim edhe nga presidenti Ahtisaari, por natyrisht edhe nga vendet e fuqishme anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe anëtarëve të Grupit të Kontaktit. Prandaj, çdo qasje tjetër që do të dëshironte disperzionin e Kosovës apo copëtimin e integritetit të saj, copëtimin e territorit të saj, do të ishte e rrezikshme edhe me pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Për ne është e papranueshme, por është fat i madh që pikërisht ky koncept i yni për tërësinë e Kosovës në kufijtë e saj, është i pajtueshëm edhe me vizionin politik që ka edhe Grupi i Kontaktit. Apeloj te qytetarët serbë që të shohin perspektivën e tyre dhe të punojnë për perspektivën e tyre në Kosovën e përbashkët, dhe të mos mbeten pre e politikave të gjertanishme të dirigjuara nga Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president për fund, është thënë se misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian në Kosovë do të ketë një rol mbikqyrës dhe teknik, por ka edhe të atillë që thonë se pushteti i këtij misioni do të jetë mjaft i fuqishëm. Si e shihni ju këtë çështje?

FATMIR SEJDIU
Në kuadër të analizës që i bëhet dokumentit të ofruar nga presidenti Ahtisaari, mund të ketë edhe kompetenca që vërtetë kanë fokuse të veçuara dhe që sjellin komponentën e një pushteti të fuqishëm. Unë mendoj se duhet të merret prasysh vërtetë kërkesa jonë se ne jemi në një mandat të ri të ecjes, flas në kuptimin e kohës, dhe të zhvillimeve të përgjithshme. Kosova hyn në kuadrin e shteteve të njohura ndërkombëtarisht, e them realisht se kjo do të ndodhë, dhe se përsëritja e ndonjë mandati ndërkombëtar në kuptimin e kompetencave që ka pasur UNMIK-u apo të zgjedhjeve të këqija që kanë qenë, nuk do të ishte e mirë. Kjo është pjesë e komunikimeve tona të përgjithmonshme që kemi me bashkësinë ndërkombëtare për prezencë të re ndërkombëtare në Kosovë, si një pjesë e investimit ndërkombëtar për të ndihmuar Kosovën, për ta nxitur dhe për ta shtytur atë në zhvillimin e saj më të shpejtë të brendshëm. Posaçërisht në realizimin e sukseshëm të misionit të shtetit në dy tri fusha të rëndësishme, sikur është sundimi i ligjit dhe aspekti i sigurisë, dhe në përgatitjen e Kosovës për një ecje më të shpejtë për procesin e integrimit. Nëse ne këtë e kuptojmë kësisoji, atëherë vërtetë në pjesët e fushave të tjera do të ishte iluzore të kërkohet (më shumë pushtet) dhe besoj se edhe nuk ka në kompetencat që figurojnë në projektin e presidentit Ahtisaari. Çështje e dytë në këtë kuadër, ajo që ne e shohim të logjikshme, është çështja e kësaj prezence të jetë edhe pjesë e garantit për realizimin e marrëveshjes, që ka të bëjë me krejt konceptin e saj, me krejt përmbajtjen e saj.

INTERVISTOI: ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG