Ndërlidhjet

UNOSEK-U ENDE S’KA VENDOSUR PËR SHTYRJEN E TAKIMIT TË 13 SHKURTIT


Zijadin Gashi

Zyra e emisarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës në Vjenë, nuk ka pranuar ende asnjë kërkesë zyrtare nga Beogradi për shtyrjen e konsultimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, lidhur me pakon e presidentit Ahtisaari. Kështu ka deklaruar sot zëdhënësi i UNOSEK-ut në Vjenë, Remi Dourlot. Ai tha se nuk mund të pritet ndonjë përgjigje e Ahtisaarit lidhur me deklaratat e ndryshme publike, përderisa palët apo njëra palë të mos e parashtrojë kërkesën me shkrim, duke u ofruar arsye reale pse kërkon shtyrjen e konsultimeve për disa ditë. “Nëse do të pranojmë ndonjë kërkesë zyrtare nga Beogradi, do ta marrim në konsideratë, dhe pastaj duhet të vlerësojmë nëse kërkesa për shtyrje të shkurtër të konsultimeve bazohet në kërkesa të arsyeshme dhe të qëndrueshme”, thotë zëdhënësi Dourlot. Ndërkohë që Vjena nuk ka marrë ende kërkesën e Serbisë, zyrtarët në Beograd kanë kërkuar një shtyrje të takimit konsultativ për dhjetë ditë, për t’i dhënë mundësi Parlamentit të ri të këtij vendi që të konstituohet, nga i cili më pas do të formohet dhe ekipi i ri negociues i Serbisë. Ndërsa Beogradi kërkon shtyrje, Prishtina tashmë pret që faza e konsultimeve të mbyllet sipas parashikimeve, në mënyrë që dokumenti për statusin të kalojë në Këshillin e Sigurimit dhe kështu statusi i Kosovës të zgjidhet pa vonesa të reja. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se nuk ka një qëndrim zyrtar nga Vjena se takimi i 13 shkurtit do të shtyhet dhe nuk sheh arsye pse duhet të ketë shtyrje. ”Nëse ndodh (shtyrja), do të ishte qëndrim yni që mirë është të mos ndodhë, sepse mund të ketë farë arsye, nga qasjet tjera që janë kërkesa të vazhdueshme për prolongim të procesit. Për ne është me rëndësi të themi, se vërtetë çështja është e pjekur të shkohet tash në këtë proces të konsultimeve dhe të shpejtohet në vendimet e tjera”, tha Sejdiu. Ndryshe, delegacioni i Prishtinës që do të udhëtojë për në Vjenë, sipas presidentit Sejdiu, do të jetë po ai delegacion që ka zhvilluar negociatat gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë që Beogradi nuk i ka dërguar Ahtisaarit kërkesën zyrtare, zëdhënësi Remi Dourlot thotë se UNOSEK-u po i vazhdon përgatitjet për takimin e 13 shkurtit. “Në këtë fazë nuk kemi marrë asnjë kërkesë zyrtare, kështu që ne jemi duke përgatitur takimin mes palëve sipas kalendarit të parashikuar, më 13 shkurt”, thotë Dourlot.
Sipas kalendarit të Ahtisaarit lidhur me procesin e statusit, të cilin ai ua ka prezantuar edhe palëve më 2 shkurt, më 13 të këtij muaji Prishtina e Beogradi do t’i paraqesin komentet lidhur me pakon e tij për statusin, dhe do të shihen mundësitë që palët të pajtohen eventualisht për ndryshimet e mundshme që do t’i kërkojnë për pika e dispozita të caktuara të pakos. Nëse ky kalendar nuk do të pësonte ndryshime në ndërkohë, faza e konsultimeve thuhet se do të mbyllet më 2 mars. Më pas emisari ndërkombëtar për statusin, pas hartimit të dokumentit final, do t’ia drejtojë atë Këshillit të Sigurimit dhe sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.



XS
SM
MD
LG