Ndërlidhjet

KUVENDI MIRËPRET PAKON E AHTISAARIT DHE OFRON REKOMANDIME


Zijadin Gashi

Zëvendësi i përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan, e ka njoftuar sot Ekipin Negociues të Prishtinës se UNOSEK-u ka përfillur kërkesën e Beogradit për shtyrjen e takimit konsultativ në Vjenë, nga data 13 për datën 21 shkurt. Gjatë një vizite që Rohan i bëri Prishtinës, ai ka biseduar me delegacionin më të lartë të Kosovës, lidhur me çështjet teknike të dokumentit të Ahtisaarit dhe vërejtjet e Prishtinës në këto çështje. “Faza e konsultimeve në Vjenë do të fillojë më 21 të këtij muaji dhe do të përmbyllet në fillim të marsit, kur edhe mund të mbahet takimi i fundit, para se presidenti Ahtisaari t’i dorëzojë dokumentin e tij final Këshillit të Sigurimit”, tha Rohan. Ai nuk parashikoi ndryshime të mëdha të dokumentit, përveç konsultimeve për anekset e pakos dhe atyre çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetet. Rohan u ka transmetuar mesazhe serbëve të Kosovës, që ta lexojnë këtë dokument para se ta kundërshtojnë, pasi që ai ofron mbrojtje të plotë të interesave dhe të drejtave të tyre.
Pavarësisht shtyrjes, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se pala kosovare do të vazhdojë të jetë në gatishmëri të Ahtisaarit edhe për takimin e 21 shkurtit, duke vlerësuar se shtyrjet nuk prodhojnë efekte pozitive dhe ka kërkuar që faza e konsultimeve të mbyllet sa më shpejt. Më pas, presidenti Sejdiu dhe Ekipi Negociues kanë marrë pjesë edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku sot është debatuar lidhur me pakon e Ahtisaarit. Sejdiu tha para Kuvendit se populli i Kosovës nuk ka nevojë të ndihet i shqetësuar, sepse kjo pako i vë bazat e shtetit të Kosovës. “Populli i Kosovës ka arsye të plotë që të ardhmen e vet ta shohë me optimizëm, sepse garancë për këtë është, përpos propozimit të presidentit Ahtisaari, përcaktimi i fuqishëm i popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur, dhe pjesë e botës demokratike”, tha presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se pakoja e Ahtisaarit i vë themelet e shtetit, të ardhmes, demokracisë dhe shumetnicitetit në Kosovë. Sipas Thaçit, Kosova tani ka arsye ta mirëpresë këtë pako, pasi që ajo paraqet dhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare e cila është për herë të parë në anën e Kosovës dhe popullit të saj. “E kemi mirëpritur propozimin e presidentit Ahtisaari, sepse ky propozim është propozim i botës demokratike, është propozim për të ardhmen e Kosovës, është propozim për Kosovën demokratike, është propozim multietnik, është propozim për Kosovën për të jetuar mirë e sigurtë, për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike”, u shpreh Thaçi.
Duke mirëpritur pakon për statusin, kryeministri i Kosovës Agim Çeku, tha para deputetëve se ka edhe dispozita të këtij dokumenti që nuk i plotësojnë kërkesat e kosovarëve. “Jo çdo gjë në këtë propozim është saktësisht si e kemi dashur. Kemi brenga për funksionalitetin e pushtetit lokal-qendror, për procesin e vendimmmarrjes, për referencat e forcës së ardhshme ushtarake, për fatin e TMK-së dhe përfshirjen e saj në këtë forcë. Ne do t’i zbërthejmë këto 60 faqe në ligje, norma e veprime konkrete. Vetëm atëherë ky dokument merr trajtë dhe vetëm atëherë do të mund të nxjerrim më të mirën prej tij”, theksoi Çeku.
Në anën tjetër, kryetari i partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, tha se dokumenti i Ahtisaarit është një fletëkalim drejt pavarësisë. Ky dokument, sipas tij, është një fitore e Kosovës dhe tregon se si të kalohet nga sovraniteti që kanë sot Kombet e Bashkauara, në një shtet të ri e të pavarur të Kosovës. “Kjo është një fitore e një ecje historike, është një fitore e popullit të Kosovës e një lëvizje që ishte e bashkuar që nga viti 1989, por së cilës i parapriu edhe një shekull i tërë përpjekjesh të ndërtimit institucional, të ruajtjes së identitetit dhe të ruajtjes ekzistenciale në momente kritike siç ishte ai i luftës”, tha Surroi. Ndërkohë që gjatë debatit parlamentar, partitë më të mëdha politike i kanë dhënë mbështetje dokumentit dhe kanë sugjeruar Ekipin Negociues, që në fazën e konsultimeve të mos negociojë lidhur me çështjet kryesore të dokumentit që flasin për elemente të shtetësisë së Kosovës.
Ndërkaq, në rekomandimet për Ekipin Negociues kosovar kërkohet që të rishikohen edhe një herë me ekipin e Ahtisaarit, kompetencat e përgjegjësitë e komunave në kuadër të decentralizimit, të definohet më mirë e ardhmja e Mitrovicës dhe të parashikohet saktë ribashkimi i qytetit, pastaj shpërbërja e TMK-së të rishikohet dhe të garantohet që ajo do të jetë bazë e forcës së ardhshme të sigurisë së Kosovës dhe rekomandime të tjera.


XS
SM
MD
LG