Ndërlidhjet

logo-print

SEN.LIEBERMAN:”SHBA-TË NUK DO T’IA KTHEJNË SHPINËN KOSOVËS"


Albana Isufi

Një delegacion prej tetë senatorësh dhe kongresistësh amerikanë kanë siguruar sot kryeministrin dhe popullin e Kosovës, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përkushtimin për Kosovën si tani, ashtu edhe pas përcaktimit të statusit final. Senatori Joe Lieberman që kryesonte delegacionin, ka thënë se pret që rekomandimet për statusin të Martti Ahtisaarit, të zbatohen në Kosovë. “Meqë është periudhë kritike tash, pas rekomandimeve të Ahtisaarit, në presim implementimin e këtyre rekomandimeve, përderisa Kosova lëviz për të arritur statusin e drejtë, si një shtet i pavarur. Ne e siguruam kryeministrin dhe popullin e Kosovës se interesimi i Kongresit amerikan dhe popullit amerikan, nuk do shuhet dhe ne do qëndrojmë me ju derisa t’i arrijmë vlerat e përbashkëta”, tha senatori Joe Lieberman, pas takimit të përbashkët me kryeministrin, Agim Çeku. Ndërsa, senatori nga Arizona, John McCain, ka thënë se pret që të dyja palët të zbatojnë pakon e Ahtisaarit. “Erdhëm sot që të marrim një ide për situatën dhe progresin që është arritur dhe progresin që duhet të arritur. Jemi të kënaqur me procesin që po zhvillohet. Sa i përket zgjidhjes përfundimtare, e dimë që është kohë kritike dhe shpresojmë se rekomandimet që janë bërë nga përfaqësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të pranohen dhe implementohen nga të dyja palët. Ne u duartrokasim njerëzve të Kosovës për luftën e tyre të gjatë për liri dhe demokraci”, tha senatori McCain. Ndërsa, i pyetur për misionin e Shteteve të Bashkuara në Kosovën e pas statusit, senatori Lieberman ka siguruar se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i kthejnë shpinën Kosovës. ”Është ky një vendim që në këtë çast do të merret nga niveli i lartë, do të merret nga administrata, por siç e dini SHBA-të kanë investuar shumë për atë që ndodhi në Kosovë dhe është e sigurtë se nuk do t’ua kthejmë shpinën, ndërsa detajet do jenë pak të paqarta se çka do të pasojë”, tha Joe Lieberman, përderisa senatori McCain ka siguruar se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, do të jetë i gjatë. ”SHBA-të do të mbesin këtu për një kohë të gjatë. Është çështje e negociatave se si saktësisht dhe sa është e domosdoshme prania jonë, por përkushtimi mbetet”, tha senatori McCain.
Ndërsa, kryeministri Agim Çeku ka falenderuar delegacionin e lartë amerikan për ndihmën e deritashme. Por, Çeku ka thënë se Kosovës i duhet edhe më tej ndihma amerikane. “Ishte rast i mirë, që t’ua përcjelli vetëm një mesazh, faleminderit për ndihmën që deri më tani i keni dhënë Kosovës, por Kosova ka nevojë ende për ndihmën tuaj në vazhdim, dhe mos hezitoni të ndihmoni. Ia vlen të ndihmohet Kosova. Kosova është partneri, aleati më i besueshëm i SHBA-ve në këtë rajon, dhe jemi në fazën kur me statusin e Kosovës, pavarësinë e Kosovës, do ta arrijmë një sukses të përbashkët. Është projekt i përbashkët i Kosovës, i SHBA-ve dhe i bashkësisë ndërkombëtare. Me pavarësinë arrijmë sukses. Prandaj, kërkova që Amerika të vazhdojë të ketë rolin udhëheqës në këtë proces dhe të punojë në drejtim që statusi i Kosovës të zgjidhet në afatin sa më të shkurtër”, tha Çeku.
Senatori Joe Lieberman, që kryesoi delegacionin e senatorëve dhe kongresistëve të shteteve të ndryshme të SHBA-ve, është shprehur i kënaqur me punën që kanë bërë kosovarët që nga vitit 1999. “Ne jemi shumë krenarë për rolin që SHBA-të dhe NATO kanë luajtur për përfundimin e dhunës dhe çlirimin e popullit të Kosovës, për një të ardhme më të mirë dhe po ashtu të kënaqur me punën, që është bërë që atëherë me zgjedhje të lira dhe me instalimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e njerëzve të të gjitha etnive”, tha senatori Joe Lieberman.




XS
SM
MD
LG