Ndërlidhjet

TOPALLI:"FUQIMISHT MBËSHTESIM PROPOZIMIN E AHTISAARIT"


Jozefina TOPALLI, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Topalli, aktualish zhvillimi kryesor në Ballkan është propozimi i Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Si e vlerësoni punën dhe dokumentin e z. Ahtisaari?

JOZEFINA TOPALLI
Mendoj se nuk ka qenë e lehtë dhe as e thjeshtë puna e zotit Ahtisaari. Besoj se janë shumë të rëndësishme parimet themelore në të cilat është mbështetur Grupi i Kontaktit. Ne fuqimisht e mbështesin propozimin e Ahtisaarit. Besoj se është zgjidhja më e mençur dhe afatgjate, duke i dhënë një garanci stabilitetit të Kosovës në radhë të parë, por edhe të gjithë rajonit bashkë me Kosovën. Mund të them se vërtetë ka qenë i rëndësishëm në gjithë këtë periudhë roli dhe maturia e Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi zyrtar ka kundërshtuar këtë dokument dhe ka pohuar se nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Si mendoni se do të mund të reflektohet ky qëndrim i Beogradit në zhvillimet e mëtejme rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës?

JOZEFINA TOPALLI
Nga zhvillimet e fundit në fakt, qëndrimi i Beogradit nuk është më një surprizë. Pritej, ndihej dhe nuk besoj se të paktën ne shqiptarët mund të ushqenim një iluzion tjetër. Ndosha të tjerët edhe mund të shpresonin, por për ne shqiptarët ka qenë e qartë. Aq më tepër që ata kaluan një periudhë zgjedhjesh politike dhe janë në periudhën e formimit të qeverisë dhe të negociatave, kështuqë sigurisht që e shfrytëzojnë këtë moment edhe për kartën e tyre politike në peshën që do të kenë dhe mundësitë që do të kenë në qeverinë e tyre. Edhe Ahtisaari e ka patur të qartë qëndrimin e tyre që më përpara, andaj edhe mendoj se propozimi i tij dhe artikulimi i tij ka qenë shumë i kujdesshëm, por shumë i thellë në të njëjtën kohë. Nuk e dij nëse kishte mundësi për të gjetur të tjera zgjidhje dhe të ofronte të tjera mundësi. Mendoj se ka bërë atë që maksimalisht mund të bënte një person me një status të tillë në rastin konkret.

RADIO EVROPA E LIRË
Në bashkësinë ndërkombëtare ka vende që mbështesin fuqishëm planin e Ahtisaarit, disa hezitojnë, por ka edhe të tillë që kundërshtojnë.
A mendoni se ky mund të jetë një pretekst për zhagitje të procesit?

JOZEFINA TOPALLI
Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë pasur hezitim për ta mbështetur fuqimisht që në fillim pakon e Ahtisaarit, ashtu si dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Unë shoh se ka ndryshime edhe në qëndrimin e Rusisë në raport me çështjen e Kosovës. Uroj që ky qëndrim do të avancojë për pozitivisht gjatë javëve që vijnë. Sigurisht nuk i bën mirë procesit dhe nuk jep garanci më të mëdha zvarritja për një kohë pa limit e procesit të statusit të Kosovës. I kuptoj përpjekjet e serbëve për të gjetur justifikimin te krijimi i qeverisë, dhe për t'i dhënë atyre mundësi për të gjykuar, por unë mendoj se ky është thjesht një justifikim dhe nuk ka për të ndryshuar situata para, gjatë dhe pas formimit të qeverisë. Ndërkohë që zgjatja e statusit mund të sjellte edhe situata të padëshirueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se me zgjidhjen e statusit të Kosovës përfiton i gjithë rajoni, duke përfshirë edhe fqinjët si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia?

JOZEFINA TOPALLI
Sigurisht. Ajo është një çështje që nuk i takon vetëm Kosovës dhe vetëm shqiptarëve në Kosovë që paraqesin një faktorë shumë të rëndësishëm në rajon.
Ajo është modeli i krijimit të një shteti të ri që në formë direkte ose indirekte është i lidhur edhe me perspektivën e gjithë rajonit. Nuk mund të mendoj se gjithë ky investim ushtarak, politik, diplomatik dhe financiar i komunitetit ndërkombëtar dhe kryesisht Shteteve të Bashkuara mund të vihet në pikëpyetje, çoftë edhe me zgjatjen e këtij procesi. Ka dhe duhet vendosur një limit për përcaktimin e statusit final.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Shqipëri është duke u zhvilluar fushata për zgjedhjet vendore. Më heret kishte tensione. A mund të pritet që zgjedhjet të kalojn të qeta, të pranuara nga të gjithë dhe në harmoni me standardet ndërkombëtare?

JOZEFINA TOPALLI
Aktualisht jemi në pikën e fushatës për zgjedhjet lokale, ndonëse duket se janë transformuar disi në zgjedhje politike. Besoj se kjo vjen për faktin që kryetari i Partisë Socialiste është njëkohësisht kandidatë i bashkisë. Po të mos ishte kjo lidhje, nuk besoj se do të merrnin një dimension kaq të theksuar politik dhe të trazuar fillimisht në fazën e parapërgatitjeve. Nuk ka patur asgjë substanciale diç mbi çka do të mund të ngriheshin pikpyetje ose dyshime dhe me bindjen më të thellë e them se kërkohej të gjendej një justifikim për të shtyerë datën e zgjedhjeve dhe asgjë më shumë se një absurd nuk kishte në këtë përpjekje të fortunës në gotë. Në fund të fundit procesi zgjedhor dhe parazgjedhor në Shqipëri mbështetet në përgjegjësinë e njejtë të të dyja blloqeve kryesore politike. Ne si shumicë dhe qeveri kemi interesin, angazhimin dhe detyrimin për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Uroj që edhe pala tjetër në ditën e votimit nuk do të ketë ndonjë mendim ndryshe që do të dëmtonte jo thjesht zgjedhjet, por ate që ne pretendojmë ta realizojm si standard, sepse synojm të hyjmë në NATO. Kjo është shumë e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqipëria ishte vendi i parë nga ish vendet komuniste që aplikoj për anëtarësim në NATO. Megjithate në këtë periudhë 16 – vjeçare shumë vende tjera u anëtarësuan, ndërkaq që Shipëria ende mbetet jashtë rradhëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Përse tranzicioni në Shqipëri shkon më ngadalë dhe përse nuk është më i shpejtë?

JOZEFINA TOPALLI
Pavarësisht nga dëshirat dhe vullneti, arsyet historike nuk mund të neglizhohen dhe kanë lënë gjurmë. Nga gjithë blloku komunist, Shqipëria ka pasur regjimin më të ashpër, ka qenë vend tërësisht i centralizuar, i kolektivizuar, me gati shpërlarje truri. Rrjedhimisht reformat kishin të bënin me mentalitetin dhe me një formë krejtësisht tjetër të të menduarit. Pastaj ka qenë një moment shumë i vështirë në '97, sepse në fakt deri në vitin '96 Shqipëria ka fluturuar në reforma dhe ka qenë vendi më surprizë nga gjithë vendet e bllokut socialist. Por, '97 ishte një moment çmendurie i vendit dhe kombit tonë dhe këtë e them me dhimbje të thellë. Natyrisht që tash po përpiqemi të rekuperojmë, duhen reforma shumë të guximshme, duhet një lidership i fortë që këto reforma të ecin përpara dhe mendoj se gjatë këtij një viti e gjysmë të qeverisjes së re me kryeministrin Berisha janë bërë pikërisht reforma të tilla shumë të guximshme. Gjithësesi mbetem shumë optimiste dhe me shpresën se në vitin 2008 do të marrim ftesën për anëtarësim në NATO.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG