Ndërlidhjet

GJEN.EARHART:”DHUNA E KTHEN PROCESIN PRAPA”


Albana Isufi

Komandanti i trupave amerikane në Kosovë, gjenerali Douglas Earhart, thotë se mezi pret ditën që të shohë se në rrugët e Kosovës nuk është e nevojshme prania apo dukshmëria e ushtarëve të KFOR-it. Ai konsideron se situata e sigurisë në zonën për të cilën ai është përgjegjës, është e qetë, por njëkohësisht siguron qytetarët se KFOR-i do të jetë i gatshëm të reagojë kurdo që të nevojitet një reagim i tillë. “KFOR-i po bën punën e njëjtë që e ka bërë tashmë një kohë të gjatë. Në mënyrë specifike, unë dua që ushtarët e KFOR-it të jenë pranë komuniteteve, sepse kjo është e rëndësishme për sigurinë e të gjithëve dhe unë mezi pres ditën kur dukshmëria e ushtarëve në rrugë nuk do të duhet. Dhe besoj se kjo ditë do të vijë kur të ndryshohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha në një konferencë për gazetarë në kampin amerikan Bondsteel, gjenerali Douglas Earhart. Ditë më parë Zyra Amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë, që të kenë kujdes për sigurinë e tyre në kohën kur do shpaloset pakoja e Ahtisaarit për statusin, si dhe gjatë protestave të paralajmëruara të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, gjenerali amerikan Douglas Earhart është inkurajuar që pakoja për statusin në Kosovë është pritur në qetësi. “Më inkurajon ky reagim dhe më jep të kuptoj se gati çdokush në Kosovë e kupton se çfarë është rreziku, se ata e kuptojnë se aktivitetet e dhunshme e kthejnë procesin prapa. Jam i inkurajuar se s’kemi pasur aktivitete radikale. Por KFOR-i është i gatshëm dhe ne do të reagojmë, kudo dhe kurdo që është nevoja në Kosovë”, tha Earhart, duke shtuar se shpreson se edhe protestat e Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë paqësore. “Gjëja kryesore është se procesi që bashkësia ndërkombëtare ka bërë për Kosovën, është bazuar në përfshirjen e të gjithëve. Pra, kur kemi grupe individuale që shprehin bindjet e tyre, kjo thjesht interpretohet si një bindje e tyre. Dhe nuk besoj se këta njerëz që protestojnë sot në Prishtinë përfaqësojnë atë që tërë kosovarët mendojnë”, tha gjenerali Earhart. Muajt deri në zgjidhjen e statusit final të Kosovës, gjenerali Earhart mendon se do të kalohen pa probleme nëse ka mirëkuptim në mes të komuniteteve. “Ne të gjithë e dimë se kemi muaj shumë sfidues përpara, por unë besoj se mund të dalim nga kjo me mirëkuptim të shumanshëm, dhe ky mirëkuptim është që ne të punojmë së bashku për të ardhmen tonë”, tha komandanti amerikan Douglas Earhart.
Ai ka siguruar se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm në Kosovë edhe pas statusit, pavarësisht se misioni mund të ndryshojë. Ndryshe, numri i ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Kosovë, sipas Earhart, do të mbetet i njëjtë përgjatë këtij viti.

XS
SM
MD
LG