Ndërlidhjet

PËRLESHJE NDËRMJET “VETËVENDOSJES” DHE POLICISË


Rrahman Paçarizi

Më se 70 të lënduar, katër prej të cilëve rëndë, si dhe 15 të arrestuar është bilanci i protestave të sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, që eskaluan në përleshje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe policisë në qendër të Prishtinës. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues, anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë tentuar të shpërthejnë kordonin e policisë së Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut, që ishte vendosur në afërsi të ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka protestuar sot kundër pakos për statusin e Kosovës, që kryenegociatori ndërkombëtar Martti Ahtisaari pati dorëzuar në Prishtinë dhe në Beograd më se një javë më parë. Fillimisht protestuesit janë nisur nga selia e Vetëvendosjes dhe të prirë nga lideri i tyre Albin Kurti dhe veprimtari Adem Demaçi, kanë marshuar nëpër qendër të qytetit, ku të ndeshur me forcat e shumta të policisë speciale kanë brohoritur parulla kundër pakos së Ahtisaarit dhe kundër Ekipit Negociues të Kosovës. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i quajti mashtrues anëtarët e Ekipit Negociues të Kosovës. “Thonë që Kosova sipas pakos së Ahtisaarit do të ketë Kushtetutë, prandaj po u bëka shtet. Kushtetutë kemi pasur edhe në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës–ajo ka qenë autonomi. Përderisa është në fuqi Rezoluta 1244, nuk ka sovranitet për Kosovën”, theksoi Kurti.
Ndërkohë, Adem Demaçi tha se protestuesit e sotëm nuk janë mbledhur për të përdorur dhunën, por për të dëshmuar se duan realizimin e synimeve të popullit për pavarësi. Demaçi tha se populli i Kosovës është pro Evropës dhe bashkësisë ndërkombëtare, mirëpo, edhe ndërkombëtarët duhet t’i kenë parasysh kërkesat dhe aspiratat e popullit të Kosovës. “Ne nga ky vend i përshëndesim miqtë tanë evropianë, por ata duhet të dinë të dëgjojnë edhe zërin tonë”, tha Demaçi.
Protesta e sotme është përshkallëzuar kur protestuesit janë përpjekur ta shpërthejnë kordonin e policisë, veprim të cilit policia i është përgjigjur me gaz lotsjellës, tha zëdhënësi i policisë, Veton Elshani. “Sot rreth orës 15:20 protesta e mbajtur nga “Vetëvendosje” u kthye në protestë të dhunshme, kur ata filluan të shkëpusin barrikadat dhe tentuan të hyjnë në ndërtesat e Qeverisë, përkundër paralajmërimeve nga ana e Qeverisë. Policët janë sulmuar edhe me gurë. Si rezultat, policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë këta protestues të dhunshëm dhe t’i parandalojë ata që të hyjnë në këto ndërtesa. Aty kanë rrjedhur një numër konfliktesh ndërmjet protestuesve dhe policisë, me ç’rast 14 persona janë arrestuar”, tha zëdhënësi i policisë Veton Elshani, duke theksuar se policia ka përdorur forcën e nevojshme për t’u përballur me situatën. Ai po ashtu tha se nuk mund të konfirmonte pohimet e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, se policia ka përdorur plumba gome me rastin e shpërndarjes së protestuesve. Sipas zotit Elshani dhe burimeve nga qendra emergjente, ndërhyrja ka rezultuar me të lënduar nga të dyja palët.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, Abdyl Krasniqi, tha se nga 70 të lënduar, së paku katër janë me lëndime të rënda, kryesisht thyerje të eshtrave të kokës. “Në qendrën emergjente kanë kaluar 70 veta. Prej tyre, 25 veta janë hospitalizuar në QKU. Momentalisht në sallat e operacionit janë duke u punuar katër raste, dhe ato janë lëndime të rënda”, tha Krasniqi.
Për më shumë se dy orë protestuesit kanë qëndruar në rrugën kryesore të Prishtinës, ku janë larguar pas ndërhyrjes së njësive të motorizuara të karabinierisë italiane dhe policisë së UNMIK-ut.
Ndryshe, në rrugët kryesore të Prishtinës sot ka pasur forca të shtuara të policisë speciale, kryesisht përpara institucioneve të Kosovës dhe ndërtesave të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar dokumentin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës si të papranueshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi.


XS
SM
MD
LG