Ndërlidhjet

MILIQ:"DECENTRALIZIMI - SFIDË PËR SHOQËRINË KOSOVARE"


Jelena MILIQ, Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare/Beograd/

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliq, si do ta vlerësonit shkurtimisht planin e Ahtisaarit për statusin e ardhshëm të Kosovës?

JELENA MILIQ
Plani i Martti Ahtisaarit ka sjellë shumë pak befasi për bashkësinë ndërkombëtare, për opinionin kosovar dhe për ate serb. Çdonjëri që i ka ndjekur negociatat dhe atë që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, ka mundur pak a shumë të presë një propozim të këtillë. Atë që unë e shoh si problem të vetëm, është se konsideroj që shkalla e lartë e decentralizimit për bashkësinë serbe në Kosovë, të cilën unë shumë e respektoj, mund të jetë një sfidë për shoqërinë kosovare. Por konsideroj se asnjëra nga këto bashkësi nuk janë të pjekura për diçka të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliq, në çfarë mase ky plan i garanton të drejtat e pakicave në Kosovë, sidomos të drejtat e serbëve të Kosovës?

JELENA MILIQ
Vetë shkalla e lartë e decentralizimit dhe prania e bashkësisë ndërkombëtare garantojnë shkallë të lartë të mbrojtjes së të drejtave të pakicave. Por ajo që mua më bie në sy në 2-3 vitet e fundit, është raporti i bashkësisë ndërkombëtare ndaj udhëheqjes politike shqiptare dhe ndaj gjendjes në Kosovë, dhe para së gjithash mënyra me të cilën mediat dhe politikanët serbë e pasqyrojnë gjendjen e përditshme në Kosovë, kur vazhdimisht insistohet në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Por unë nuk jam e sigurtë nëse ky është problemi i vetëm me të cilin përballet shoqëria kosovare. Nuk guxoj të flas në emër të krytarit të bashkësisë së romëve, por konsideroj se do të ishte më mirë që në planin e Ahtisaarit të mos përmendej asnjë bashkësi etnike, sepse shkalla e mbrojtjes duhet të vlejë për të gjitha bashkësitë etnike, e jo vetëm për serbët. Ky plan, nuk duhej në këtë pjesë të ofrojë zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për serbët, ose para së gjithash për shtetin e Serbisë, por të ofronte zgjidhje, e cila do të garantonte se Kosova mund të formohet si një shoqëri qytetare.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si i vlerësoni reagimet e zyrtarëve në Beograd ndaj planit të Ahtisaarit?

JELENA MILIQ
Në planin formal, reagimet e zyrtarëve të Beogradit nuk mund të ishin ndryshe, sepse thjesht këtë askush as nuk e ka pritur. Sa i përket anës përmbajtësore, nuk do t'i komentoja radikalët sepse ata nuk meritojnë të komentohen dhe thjesht nuk meritojnë as të marrin pjesë në jetën legjitime politike në Serbi. Prandaj do të filloja me reagimet e Partisë Demokratike të Serbisë. Unë mendoj se edhe pse e kanë ditur se çfarë do të përmbajë ky plan, ata dukeshin sinqerisht të befasuar, dhe për një çast vërtetë filluan të besojnë në atë politikën e tyre të sëmurë për respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara nga vetë Sekretari i Përgjithshëm dhe përfaqësuesi i tij për Kosovën, Ahtisaari. Mendoj se aktualisht gjëja më e rëndësishme për politikën serbe është që mundësisht të kristalizohet qëndrimi i Partisë Demokratike sepse ai është mjaft ambivalent. Rrjedhimisht mendoj se bashkësa ndërkombëtare, në mungesë të një strategjie afatgjate ndaj Serbisë, po përpiqet që nga Boris Tadiqi të bëjë një demokrat dhe politikan konstruktiv. Ndoshta në thelb ai do të ishte i atillë, por për këtë nuk e ka mbështetjen politike as të këshilltarëve të vet, dhe as të partisë së tij.
Me këtë rast, konsideroj se është shumë mirë që Serbia për herë të parë ka në parlament një opcion politik të zgjedhur me procedurë demokratike, dhe ky është koalicioni rreth Lidhjes Qytetare, i cili konsideron se Serbia thjesht duhet të ndëshkohet si shtet, për shkak të shkeljes masovike të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në Kosovë. Ky është dallimi, të cilin ne nuk e shohim te Partia Demokratike, dhe as te Partia Demokratike e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliq, Beogradi kërkoi shtyrjen e konsultimeve në Vjenë. A do të thotë kjo se mund të priten tone më konstruktive ndaj planit të Ahtisaarit?

JELENA MILIQ
Druaj se nuk do të fitojmë shumë tone konstruktive. Ajo që do të fitojmë do të jenë disa amandamente në pjesën e aneksit, e cila nuk ka lidhje me statusin, psh. për rritjen e numrit të komunave serbe dhe diçka rreth mbrojtjes së objekteve fetare apo të ngjashme. Por mendoj se nuk mund të presim ndryshime në pjesën që bën fjalë për statusin. Ndoshta këtu mund të paraqitet ndonjë kërkesë për kufizime kohore të anëtarësimit të Kosovës në disa nga institucionet ndërkombëtare, si psh. në Kombet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, a pritni diçka të re nga qeveria e re lidhur me Kosovën?

JELENA MILIQ
Varet se kush do të jetë në qeveri. Nëse do të jetë qeveri e Partisë Demokratike të Serbisë dhe Partisë Demokratike, atëherë nuk pres asgjë të re, sepse PDS gjithë kohën e ka patur iniciativën gjatë negociatave për Kosovën, dhe heshturazi apo ndoshta publikisht edhe dakordimin e PD, prandaj nuk pres agjë të re.
Eventualisht pres diçka të re nëqoftëse Partia Demokratike mbledh forcë që të formojë qeverinë e pakicës me grupimin G 17, Partinë Liberal Demokrate dhe koalicionin, por konsideroj se gjasat për këtë janë tejet të vogla.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG