Ndërlidhjet

logo-print

DY PROTESTUES VDESIN NGA LËNDIMET


Albana Isufi

Dy persona, Man Balaj dhe Arben Xheladini, kanë vdekur pas plagëve të marra në protestën e djeshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Të ndjerët qenë transferuar mbrëmë në spitale ushtarake të KFOR-it, për shkak të lëndimeve të rënda. Vdekjen e tyre e ka konfirmuar zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani. “Dy protestues që kanë marrë lëndime gjatë demonstratave të dhunshme dje pasdite në Prishtinë, më vonë kanë vdekur. Ndërsa, komisari i policisë Stephen Curtis, ka deklaruar se është shumë për keqardhje që kanë humbur dy jetë, si rezultat i prishjes së paarsyeshme të sigurisë tek ndërtesat e Qeverisë”, citon Elshani komisarin Curtis. Komisari i policisë Stephen Curtis, ka kërkuar një hetim të pavarur të ngjarjeve nga ana e Inspektoratit të Policisë. Përveç dy të vdekurve nga përleshjet ndërmjet protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe policisë, dje u lënduan më shumë se tetëdhjetë persona, tetë nga ta policë. Aktualisht, sipas drejtorit të Qendrës Klinike Universitare, Abdyl Krasniqi, po trajtohen pesë të lënduar, njëri nga ta vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. “Tash për tash, në QKU janë të hospitalizuar pesë persona, prej tyre katër janë në gjendje të mirë, ndërsa një nga ta është në gjendje më serioze”, tha Krasniqi.
Shërbimi Policor i Kosovës konsideron se në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje që eskaloi në dhunë, policia nuk e ka tejkaluar nivelin e lejuar të përdorimit të forcës. “Ne kemi konsideruar se kemi përdorur nivel të domosdoshëm të forcës, për atë moment kur edhe është kërkuar. Sidoqoftë, hetimet që do të zhvillohen nga ana e këtij Inspektorati të Policisë së Kosovës, do të dalin me vlerësime në fund, se çka në të vërtetë ka ndodhur”, tha Elshani.
Ndërkohë, pas një takimi të jashtëzakonshëm, Ekipi i Unitetit u ka shprehur ngushëllime familjeve Balaj dhe Xheladini, për humbjen e të afërmve të tyre. Në një deklaratë të lëshuar pas takimit, thuhet se ekipi ka analizuar gjendjen e krijuar me protestat e dhunshme të nxitura nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast humbën jetën dy persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, duke krijuar tensione të veçanta, të cilat shkojnë kundër stabilitetit dhe interesave të përgjithshme të Kosovës. Përmes deklaratës, Ekipi i Unitetit u bën thirrje qytetarëve te Kosovës që të kontribuojnë, sikur edhe deri tash, për stabilitetin e vendit. Ekipi i Unitetit konstaton se dhuna e orientuar kundër institucioneve dhe prishja e rendit dhe e qetësisë publike duke thyer ligjin, është e papranueshme. Ekipi i Unitetit po ashtu ka konstatuar se ngjarjet, sikur ajo e djeshmja, mund të lënë pasoja negative në procesin e shtetformimit të Kosovës. Më tutje, Ekipi i Unitetit ka kërkuar nga institucionet kompetente, që urgjentisht të hetojnë gjithë këtë zhvillim dhe të japin shpjegime për rrjedhat e tij në afat sa më të shkurtër para qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, kryeministri Agim Çeku, për shkak të zhvillimeve të krijuara në vend, ka anuluar vizitën e tij për në Kinë, për një kohë, siç ka thënë ai, më të përshtatshme. Ndërkohë, në një komunikatë për media, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh keqardhje për vdekjen e dy personave të lënduar në protestat e djeshme. AAK-ja zhvillimet e ditës së djeshme i konsideron si të dëmshme, shqetësuese dhe të panevojshme për procesin nëpër të cilin po kalon Kosova.
Ndryshe, Shërbimi Policor i Kosovës po vazhdon të mbajë nën arrest katërmbëdhjetë persona, në mesin e tyre edhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

XS
SM
MD
LG