Ndërlidhjet

AGJENCIA KUNDËR KORRUPSIONIT FILLOI PUNËN


Nadie Ahmeti

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, sot ka shpallur edhe zyrtarisht funksionalitetin e saj, duke i dhënë fund kështu fazës disa mujore të konsolidimit. Udhëheqësi i kësaj agjencie, Hasan Preteni, tha se parandalimi dhe luftimi i korrupsionit do të bëhet vetëm kur qytetarët do të denoncojnë shkelësit e ligjit dhe keqpërdoruesit e taksave të tyre. “Detyra jonë kryesore është që do të fokusohemi drejt realizimit të misionit. Ligji kundër korrupsionit përcakton detyrat e agjencisë. Ju rikujtoj se agjencia nuk ka detyra vetëm në aspektin represiv, që të dërgojë vetëm informacione në prokurori, por aktivitete të shumta të cilat kanë të bëjnë më parandalime”, tha zoti Preteni. Por ekspertë të drejtësisë, nuk besojnë shumë se kjo agjenci do të mund të luftojë korrupsionin. Riza Smaka, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, tha se ky fenomen është vështirë të luftohet pa mbështetjen e Qeverisë. “Jam i prirur të besoj, tjetër është se nuk pres që do të jetë shumë efikase, derisa mjerisht, në të gjitha poret, në të gjitha nivelet e administratës publike në Kosovë, ekziston dyshimi i bazuar se ka korrupsion”, theksoi zoti Smaka. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, tha zoti Preteni, aktualisht është duke përgatitur formularë, që duhet t’i plotësojnë zyrtarët më të lartë institucionalë për të deklaruar pasurinë e tyre. “Ne kemi kërkuar nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, prokuroria dhe gjykata, që të na dërgojnë listën e emrave të personave, të cilët kryejnë këto detyra të parapara me nenin 2. Edhe fatbardhësisht, në selinë e agjencisë e kemi komplet listën e këtyre emrave, përveç Ministrinë për Kthim”, tha zoti Preteni. Ndërsa, Riza Smaka thotë se në qoftë se nuk bëhet hulumtimi i mirëfilltë i prejardhjes së pasurisë së përfaqësuesve të institucioneve më të larta vendore, atëherë fillon korrupsioni më i madh. “Duhet të presim prej të gjitha institucioneve tona që ta mbështesin këtë agjenci për të hulumtuar në mënyrë korrekte prejardhjen e pasurisë. Kjo duhet të bëhet konform ligjit”, u shpreh Smaka. Ndërkaq, Hasan Preteni thotë se për një gjë të tillë mungon infrastruktura ligjore. “Nomenklaturës ligjore të Kosovës, në këtë moment vlerësoj, që i mungon ligji për prejardhjen e pasurisë. Agjencia është formulari për deklarimin e pasurisë; ta japë formularin që ai e plotëson për gjendjen materiale që e ka më 31 mars. Ajo deklaratë nuk është për publikim, por do të përcjellet në agjenci”, u shpreh Preteni. Por, Riza Smaka nuk pajtohet. Ai thotë se nëse nuk ekziston një ligj i tillë, janë vetë ata që duhet të inicojnë miratimin e këtij ligji. “Ky është një ligj, që fundi fundit, do të mund të përgatitet nga një ekip brenda javës. Prandaj, duhet të bëhet ky ligj, në mënyrë që të merren masa të organizuara dhe të sanksionuara kundër korrupsionit”, tha zoti Smaka.
Ndryshe, edhe pse kjo agjenci deri më sot nuk ka filluar punën në mënyrë zyrtare, prej muajit shtator nga qytetarët janë paraqitur 98 dyshime për raste korruptive, por asnjë deri më tash nuk është dërguar në prokurori.
XS
SM
MD
LG