Ndërlidhjet

MINISTRI I BRENDSHËM FATMIR REXHEPI JEP DORËHEQJE


Zijadin Gashi

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Rexhepi, ka ofruar sot dorëheqje nga ky post duke e ndjerë përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe familjeve të atyre që humbën jetën, gjatë protestave të 10 shkurtit, pas përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe policisë. Ministri Rexhepi tha se këtë dorëheqje ia ofronte presidentit, Kuvendit dhe kryeministrit të Kosovës, pas gjendjes së krijuar, dhe e ofronte dorëheqjen si një akt moral ndaj qytetarëve të Kosovës dhe familjeve Bala e Xheladini, të cilat humbën bijtë e tyre, si pasojë e plagëve të marra gjatë këtyre protestave. “Për shkak të situatës së krijuar dhe ngjarjes tragjike që ndodhi, personalisht e ndjej se është akt moral ndaj qytetarëve të Kosovës, familjeve Balaj e Xheladini, ndaj prindërve e familjes sime, projektit të përbashkët për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe stabilitetit në vend, që të ofroj dorëheqjen time nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme”, tha Rexhepi. Ministri Rexhepi ka vlerësuar se gjendja në Kosovë është përshkallëzuar pas protestave të 10 shkurtit. Akti i dorëheqjes, sipas tij, duhet të shërbejë si një shembull i demokracisë dhe akt moral për të gjithë ata që ndjejnë përgjegjësi, lidhur me ngjarjet e dhimbshme të shtunës së kaluar. Ndërkohë, policia ka konfirmuar se po i vazhdon hetimet lidhur me sjelljet e policisë gjatë protestave. Pavarësisht nga gjendja e krijuar, sipas zëdhënësit të policisë Veton Elshani, masat e sigurisë megjithatë nuk janë shtuar. “Jo, masa të shtuara të policisë nuk ka. Ne vetëm se e kemi planin operativ “siguria e rreptë”, është faza e tretë. Ne jemi të mobilizuar me muaj, i kemi planet që ekzistojnë, mirëpo nuk ka orar të zgjatur, nuk ka diçka ‘ekstra’”, u shpreh Elshani.
Ndryshe, polica ka ndërmarrë mbrëmë një aksion të bastisjes së zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë edhe selinë qendrore në Prishtinë. Sipas zëdhënësit të SHPK-së Veton Elshanit, me këtë rast janë konfiskuar kompjuterë e shënime të gjetura nëpër këto zyra, si dhe janë arrestuar tre persona të cilët kanë kundërshtuar zbatimin e urdhërave të policisë, duke tentuar të pengojnë bastisjet. Në anën tjetër, Vetëvendosja ka paralajmëruar vazhdimin e protestave gjatë këtij muaji nëpër të gjitha qytetet më të mëdha të Kosovës. Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, edhe sot ka akuzuar autoritetet e rendit si shkaktarë të dhunës dhe viktimave. “Të gjithë demonstruesit që janë goditur, qëllimi ka qenë që të goditen në kokë. Dhe, ne tash e kuptuam se çka është profesionalizimi për ta, masakrimi i demonstruesve të paarmatosur dhe goditja e tyre me plumba prej llojeve të ndryshme, disa prej të cilëve madje edhe ndalohen me konventa ndërkombëtare që nga viti 1975”, tha Konjufca.
Policia ka konfirmuar po ashtu se po mban ende në paraburgim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ndërkaq, pesë aktivistë të Vetëvendosjes janë dënuar nga gjykatat, katër me 40 dhe njëri me 15 ditë burg.
Pas protestave të shtunës së kaluar, autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare kanë dënuar dhunën dhe kanë bërë thirrje për qetësi, duke vlerësuar se çdo përshkallëzim i situatës shkon në dëm të proceseve në Kosovë. Mirëpo, në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, ka akuzuar autoritetet e rendit se kanë përdorur dhunë të tepruar, si pasojë e së cilës erdhi deri te humbja e jetës së dy personave dhe deri te lëndimi i dhjetëra të tjerëve.

XS
SM
MD
LG