Ndërlidhjet

BRUKSEL


Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë dhënë sot "mbështetje të plotë" planit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Ata kanë kërkuar nga shqiptarët e Kosovës dhe nga Serbia që të marrin pjesë aktive dhe në mënyrë konstruktive në konsultimet me zotin Ahtisaari. "Propozimi krijon bazat për zhvillimin të qëndrueshëm ekonomik dhe politik dhe për forcimin e stabilitetit në gjithë rajonin", thuhet në deklaratën e ministrave të jashtëm. Në deklaratë, mëtutje, theksohet se Bashkimi Evropian është i gatshëm për të luajtur rol të rëndësishëm në implementimin e zgjidhjes së statusit dhe do ti intensifikoj përgatitjet për rolin e tij të ardhshëm në Kosovë. Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Olli Rehn tha se pret që Rusia ta mbështesë planin e Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se zgjidhja afatgjatë për Kosovën duhet të mbështetet nga të gjithë pjesëtarët e bashkësisë ndërkombëtare. "Kosova do të jetë test real për multilateralizëm", tha zoti Rehn. Lidhur me protestat e së shtunës ai tha se "nuk ka vend në Kosovë për dhunë si mjet për të siguruar mbështetje politike", dhe shtoi se "ata që e mbështesin dhunën vetëm e dëmtojnë çështjen e tyre".
XS
SM
MD
LG