Ndërlidhjet

AHTISAARI DORËZON PAKON NË KS NË FUND TË MARSIT


Zijadin Gashi

Pas shtyrjes së takimit konsultativ ndërmjet Prishtinës e Beogradit, i planifikuar të mbahet sot në Vjenë, Zyra e Ahtisaarit planifikon që t’u dërgojë palëve ftesat e reja për takimin e 21 shkurtit, bashkë me kalendarin e ri të takimeve konsultative. Zëdhënësi i UNOSEK-ut në Vjenë, Remi Dourlot, thotë se kalendari i ri i takimeve konsultative ndërmjet Prishtinës e Beogradit, është në përgatitje e sipër dhe nuk është caktuar ende pas shtyrjes së takimit të 13 shkurtit, që erdhi si rrjedhojë e kërkesës që pati parashtruar pala nga Serbia. Kurse takimi i 21 shkurtit, sipas tij, nuk është i vetmi, por do të ketë edhe takime të tjera konsultative. “Ky do të jetë fillim i raundit të negociatave në Vjenë, të cilat ne mendojmë t’i përfundojmë në ditët e para të marsit”, tha Remi Dourlot. Ai thotë po ashtu se deri më tash, as Prishtina dhe as Beogradi nuk i kanë dorëzuar me shkrim komentet e tyre lidhur me pakon e Ahtisaarit tek UNOSEK-u. “Javën e kaluar zoti Rohan ishte në Prishtinë, ku ka biseduar me ekipin kosovar, ndërkaq nuk e di se si qëndron puna me Beogradin, pasi që pala serbe nuk ka ekip negociues ende”, tha zëdhënësi Dourlot. Ndërsa me Prishtinën janë zhvilluar konsultime lidhur me pakon, megjithatë ende nuk ka asnjë koment të shkruar, ka sqaruar Dourlot. Sidoqoftë, shtyrja e takimit të 13 shkurtit, sipas zyrtarit të UNOSEK-ut, nuk do të ndikojë në zvarritjen e procesit të finalizimit të negociatave. Dourlot thotë se Ahtisaari mbetet i vendosur që pas fazës së konsultimeve, dokumentin e tij final pa vonesa tjera t’ia adresojë Këshillit të Sigurimit. “Ahtisaari planifikon që dokumentin e tij final t’ia dorëzojë Këshillit të Sigurimit kah fundi i marsit”, tha zëdhënësi Dourlot. Pas një viti të bisedimeve Prishtinë–Beograd, të zhvilluara në Vjenë, presidenti Ahtisaari u pati dorëzuar të dyja palëve pakon e tij, si propozim për zgjidhjen e statusit të Kosovës, më 2 shkurt të këtij viti. Kjo pako është komentuar se përmban si zgjidhje për statusin e Kosovës, pavarësinë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë që në formën e vet të propozimit, ofron dhe zgjidhje për të gjitha çështjet që e preokupojnë bashkësinë serbe në Kosovë. Përderisa Prishtina zyrtare e ka mirëpritur këtë dokument, Beogradi në anën tjetër është deklaruar se nuk do të pranonte një zgjidhje që e çon Kosovën kah pavarësia e saj.


XS
SM
MD
LG