Ndërlidhjet

POLICIA KONFIRMON SE PLUMBAT E GOMËS SHKAKTUAN VDEKJEN E PROTESTUESVE


Albana Isufi

Policia e Misionit të Kombeve të Bashkuara konfirmoi sot se Mon Balaj dhe Arben Xheladini, kanë vdekur nga plagët e shkaktuara prej plumbave të gomës, të marra në protestën e së shtunës të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. “Mund t’ju them lajmin nga autopsia se që të dy kanë vdekur nga plagët e marra, nga goditja me plumba të gomës në kokë”, tha komisioneri i policisë së UNMIK-ut, Stephen Curtis, pas një takimi të përbashkët me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Steven Shook dhe kryeministrin, Agim Çeku. Komisioneri Curtis ka premtuar hetime gjithëpërfshirëse të rrethanave të vdekjes së dy të rinjve, ashtu sikurse edhe të veprimeve të aktivistëve të “Vetëvendosjes”. Curtis ka thënë se policia nuk do të fshehë faktet.
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stiven Shook, në paraqitjen e parë që pas vdekjes tragjike të dy të rinjve, ka shprehur keqardhje për humbjen e dy jetërave. Edhe ai ka premtuar hetime gjithëpërfshirëse. “Unë dua hetime shumë transparente dhe të thukta rreth shkakut të këtyre vdekjeve. Nuk dua të lihet gur pa u rrotulluar. Dhe dua të siguroj se ne do bëjmë çdo gjë, me qëllim që të përcaktojmë se pse dhe si ka ndodhur kjo”, tha Steven Shook, duke paralajmëruar se një gjë e njëjtë do të bëhet edhe në hetimet e aktiviteteve të “Vetëvendosjes”. “Jam shumë i brengosur që ka pasur disa rekrutime nga jashtë Kosovës në demonstratë. Jam thellë i shqetësuar. Ju siguroj se nuk do të lë gur pa rrotulluar, për të përcaktuar se çka kanë bërë dhe pse i kanë bërë”, tha Shook, për të shtuar më vonë në një takim tjetër me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, se rekrutimet janë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje. ”Nuk dua të përmend shtete tash, ju mund t’i merrni me mend ato, por ne mendojmë se rekrutimet janë nga më shumë se një shtet. Ne kemi doganat që kanë kontrolluar autobusët se nga kanë ardhur, dhe do t’i marrim këto raporte si pjesë të hetimeve. Ajo çka kemi deri tash është se ka pasur rekrutime te mëdha nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Shook. Protesta e 10 shkurtit e “Vetëvendosjes” kundër pakos së Ahtisaarit dhe Ekipit të Unitetit, përfundoi me dy të vdekur dhe mbi tetëdhjetë të lënduar. Pas këtij bilanci tragjik, duke ndjerë përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe familjeve të atyre që humbën jetën, dje ka dhënë dorëheqje nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi. Presidenti Fatmir Sejdiu sot e vlerësoi këtë si një akt personal. “Dorëheqja është akt personal i tij dhe e vlerësoj si të tillë”, ka thënë Sejdiu, pas kthimit nga një vizitë e përbashkët me shefin e UNMIK-ut në Bruksel. Ndërkaq, i pyetur nëse edhe komisioneri i policisë Stephen Curtis duhet të japë dorëheqje, Joachim Ruecker ka shprehur besimin e tij të plotë te ai. “Komisari i policisë e ka besimin tim. Të mos spekulojmë lidhur me rezultatet që po vazhdojnë”, tha Ruecker, i cili për vdekjen e dy protestuesve ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje. “Humbja tragjike e dy jetërave është shumë për keqardhje dhe unë, sikurse kolegët e mi, shpreh ngushëllimet e mia për familjet e tyre. Por nuk duhet harruar, se këto ngjarje tragjike janë shkaktuar nga synimi i demonstruesve për të përdorur dhunë, dhe e dini se hetimet për ngjarjet e së shtunës po vazhdojnë”, tha Ruecker.
Ndryshe, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, i është zgjatur sot paraburgimi edhe për 30 ditë të tjera. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar hetime të pavarura, ndërkaq ka apeluar te organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Amnesty International dhe Human Rights Watch, të interesohen për rastin e Albin Kurtit.

XS
SM
MD
LG