Ndërlidhjet

logo-print

DEPËRTIMI I ARTIT NË ARENËN NDËRKOMBËTARE


Bekim Bislimi

Depërtimi në skenat ndërkombëtare i krijimtarisë muzikore shqiptare dhe i interpretuesve të muzikës klasike nga Kosova, deri në vitet e pasluftës ka qenë mjaft i vështirë, për shkak të moskrijimit të mundësive, si dhe injorimit që ua bënte shteti i atëhershëm jugosllav. Por, viteve të fundit kjo gjendje ka ndyshuar, falë rrethanave të reja në Kosovë, lidhjeve private dhe miqësore të krijuara në mes krijuesve kosovarë dhe atyre të vendeve të rajonit, vendeve perëndimore dhe botërore. Kështu thotë Valton Beqiri, kompozitor nga Kosova. “Fati është që veprat klasike, po flasim për vlera, depërtojnë në forma më të lehta, pra me nisma private dhe ato shumë lehtë depërtojnë në tregun evropian. Ato janë vepra që luhen në koncertet e ansambleve të ndryshme. Tashmë kemi kontakte me interpretë të ndryshëm, me festivale të ndryshme, me kompozitorë të ndryshëm evropianë, të cilët përpos mundësive më të lehta të komunikimit të sotëm, ata shpeshherë janë mysafirë të festivaleve kosovare”, shprehet Valton Beqiri. Krijimtaria kosovare përmban në vete një specifikë që e dallon nga krijimtaritë evropiane, me vet faktin e përdorimit të melosit kombëtar, i cili është atraktiv për evropianët, pohon zoti Beqiri dhe shton: “Ndoshta ky argument ka ndikuar që krijimtaria të jetë më shumë prezente dhe të depërtojë më shumë se interpretuesit, për arsye se interpretuesit interpretojnë vepra të njohura botërore të literaturës muzikore, dhe ndoshta shpeshherë edhe interesimi për t’i ftuar ata jashtë, nuk ka qenë i madh mu për këtë arsye. Por, shpeshherë mund të ndodhë që këto dy elemente të gërshetohen njëri me tjetrin, pra kur ansamblet kosovare ekzekutojnë veprat e autorëve kosovarë, shqiptarë dhe në ato raste është pak më i lehtë edhe depërtimi në botën muzikore evropiane”. Megjithatë, thotë kompozitori Beqiri, depërtimi i krijimtarisë muzikore dhe i interpretuesve në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike, mbetet ende vetëm në kuadër të lidhjeve miqësore, ndërkaq që institucionet qeveritare kosovare të kulturës ende nuk kanë arritur ta prezantojnë Kosovën zyrtarisht, me krijues dhe interpretues muzikorë. “Mosdefinimi i një lloj statusi të Kosovës mund të ndikojë në atë se të gjitha këto lëvizje dhe këto takime, do të duhej të bëheshin në nivelin më të lartë. Obligimi i shtetit është që ta prezantojë vetveten me këto vlera që i kemi. Problemi qëndron edhe që ministritë përkatëse, të cilat do të duhej ta stimulojnë këtë, nuk merren aq me këtë punë. Fatkeqësisht, edhe buxheti i Ministrisë së Kulturës është diku rreth 0.9 përqind të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, prandaj i gjithë ky zinxhir i problemeve ndikon që krijimtaria jonë artistike të mos depërtojë në vendet tjera zyrtarisht”, thotë Beqiri. Ai thekson se mungesa e statusit politik, e ka penguar Kosovën edhe për prezantimin zyrtar në sferën e muzikës zbavitëse edhe pse, siç thotë ai, ky zhanër muzikor në Kosovë është më pak i zhvilluar në krahasim me vendet e Evropës perëndimore. “Opsioni i vetëm që Kosova mund ta prezantojë veten në Evropë është ai i “Këngës së Evrovizionit”, i cili natyrisht, lidhet ngusht me zgjidhjen e statusit, lidhet ngusht me anëtarsimin e Radiotelevizionit të Kosovës në EBU, pra në një organizatë evropiane të radiostacioneve dhe në atë rast do të lidhet ngusht edhe me prezantimin e këngës kosovare në Evrovizion”, thekson kompozitori Beqiri. Sidoqoftë, sipas tij, pengesë për depërtim të suksesshëm të muzikës kosovare në skenën jashtë vendit, nuk është vetëm mosdefinimi i statusit politik të Kosovës, por edhe mosinvestimet e duhura në krijimtarinë muzikore nga institucionet e larta qeveritare, mungesa e infrastrukturës juridike që rregullon organizimin dhe zhvillimin e jetës muzikore, si dhe të drejtat e krijuesve dhe interpretuesve muzikorë në Kosovë.


XS
SM
MD
LG