Ndërlidhjet

CURTIS:”SHPRESOJ QË DORËHEQJA IME DO TA RRISË BESIMIN NË POLICI”


Albana Isufi

Komisioneri i policisë, Stephen Curtis, i ofroi sot dorëheqjen shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, katër ditë pas intervenimit të policisë në protestën e “Vetëvendosjes”, ku mbetën të vdekur dy të rinj shqiptarë. “Shpresoj se dorëheqja ime e sotme, do të rrisë besimin e publikut në polici dhe ruajtjen e rendit në Kosovë. Policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës do të punojnë sipas standardeve më të larta të integritetit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, dhe mbi këtë bazë unë sot i ofrova dorëheqjen time sekretarit të përgjithshëm”, tha Stephen Curtis. Ai shtoi se do të duhet pak kohë, që faktet të dalin në publik dhe kërkoi nga të gjithë të jenë të durueshëm. “Atyre që kërkojnë të protestojnë, i porosis që ta bëjnë atë në mënyrë paqësore. Gjithashtu kërkoj që të bashkëpunojnë me policinë, në mënyrë që të mos kemi përsëritje të ngjarjeve të së shtunës”, tha komisioneri Curtis në një konferencë për gazetarë, disa orë pasi që shefi i UNMIK-ut kishte kërkuar nga ai që të japë dorëheqje. Joachim Ruecker ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi që ka analizuar situatën në Kosovë, pas kthimit të tij nga Brukseli. Një ditë më parë, Ruecker kishte shprehur besimin e plotë tek komisioneri i policisë. “Më lejoni të qartësoj se dorëheqja e komisionerit të policisë, nuk do të paragjykojë hetimet që janë duke u zhvilluar rreth dy vdekjeve të së shtunës. Fakti, pse kam kërkuar dorëheqjen e tij, ka të bëjë me përgjegjësinë parimore dhe politike”, tha Joachim Ruecker. Policia ka konfirmuar dje, se Arben Xheladini dhe Mon Balaj, kanë vdekur si pasojë e goditjes me plumba gome në kokë. Hetimet për rrethanat e vdekjes së dy të rinjve, po i udhëheq zevendëskomisioneri për çështje të krimit, Trygve Kalleberg. “Qëllimi im është që ta vë në tavolinë të vërtetën dhe faktet. Policia ka përdorur plumbat e gomës në demonstrata. Hetimi ynë është fokusuar në të gjitha aspektet që lidhen me këtë çështje”, tha në një konferencë për gazetarë, Kalleberg, duke mos dhënë detaje të tjera rreth rezultateve të hetimeve. Ai tha se hetimet po kryhen nga zyrtarë të policisë ndërkombëtare dhe të Shërbimit Policor të Kosovës, të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në protestën e 10 shkurtit. Në ditët e kaluara autoritetet ndërkombëtare kanë fajësuar Lëvizjen Vetëvendojse për vdekjen e dy të rinjve. Kreut të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtit, i është zgjatur dje paraburgimi për 30 ditë, ndërkaq me nga 40 dhe 15 ditë burg, janë dënuar 13 aktivistë të tjerë të kësaj lëvizjeje. Aktivistë të kësaj lëvizjeje kanë thënë sot se kundër Albin Kurtit, po përgatitet një proces i montuar politik. Ndërkaq, aktivisti Glauk Konjufca, ka thënë se dorëheqjet e zyrtarëve nuk janë të mjaftueshme. “Me gjasë, ka dhenë dorëheqje edhe Stephen Curtis. Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi, ka ofruar dorëheqje. Këto dorëheqje personale prej sistemit, e të nxitura e të kontrolluara prej tij, nuk janë tjetër veç maskim i problemit. Jep dorëheqje Fatmir Rexhepi, një njeri që fare s’e kontrollon policinë, e as Stiven Curtis, por problemi në Kosovë nuk është personal, as i pozicioneve të caktuara, por është sistematik”, tha Konjufca. “Vetëvendosja” ka thënë se do të organizojë në të ardhmen e afërt edhe protesta të tjera.
Nga përleshjet në protestat e 10 shkurtit të kësaj lëvizjeje kundër pakos së Ahtisaarit dhe Ekipit të Unitetit, edhe më tej gjendet në gjendje të vështirë shëndetësore Zenel Zeneli, i cili tashmë është transferuar në spitalin ushtarak të Bondsteelit. Zyrtarë të kampit amerikan në Bondsteel kanë thënë se gjendja e pacientit është kritike, por stabile.

XS
SM
MD
LG