Ndërlidhjet

AUTORITETET BËJNË THIRRJE PËR QETËSI


Zijadin Gashi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar sot që të ketë një hetim, të nevojshëm për ngjarjet e 10 shkurtit në Prishtinë, në mënyrë që të shihet se sa është respektuar ligji, duke pasur parasysh bilancin tragjik, që përfundoi me dy të vdekur. Pas një takimi që Sejdiu zhvilloi me zëvendësshefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Steven Shook, ai më shumë është fokusuar në përgjegjësitë e individëve, për çka edhe kërkoi hetime, sidomos lidhur me humbjen e jetës së dy personave pas plagëve të marra ditën e protestave të “Vetëvendosjes” në Prishtinë. Presidenti Sejdiu tha se nuk do të kërkojë përgjegjësi nga persona të caktuar, që mbajnë poste udhëheqëse në policinë vendore, por faza e hetimeve, sipas tij, duhet të dëshmojë përgjegjësinë e secilit. “Për mua është shumë me rëndësi që të bëhen hetime të drejtpërdrejta për atë proces. Dhe aty natyrisht, do të fokusohet përgjegjësia e secilit. Unë nuk mund të them, të japë dorëheqje ky apo ai. Me rëndësi është që njerëzit që janë bartës kryesorë të procesit, ta ndjejnë barrën e funksionit që e ushtrojnë, dhe në këtë aspekt të jepet përgjigja me procesin e hetuesisë”, u shpreh Sejdiu. Në anën tjetër, Steven Shook tha se ka shumë arsye që kanë sjellë deri te tragjedia e 10 shkurtit. Ai u fokusua sidomos në respektimin e ligjit, duke mos e mohuar të drejtën e njerëzve që të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre në formë paqësore. “Asgjë nuk do te kishte ndodhur, sikur demonstratat të ishin në përputhje me ligjin”, tha Shook. Edhe zëvendësshefi i UNMIK-ut kërkoi një hetim gjithëpërfshirës, duke mos paragjykuar asgjë, përderisa rezultatet e këtyre hetimeve të mos zbardhin të vërtetën e ngjarjeve të 10 shkurtit. Numri dy i UNMIK-ut, Steeven Shook, ka takuar dhe kryetarin e Partisë Reformiste Ora, Veton Surroin. Ky i fundit i ka cilësuar si përgjegjës dhe ka kërkuar ndëshkim për ngjarjet tragjike të fundjavës së kaluar, si për “Vetëvendosjen” që kishte keqinterpretuar pakon e Ahtisaarit për statusin, ashtu dhe për ata që nga organet e rendit kësaj proteste i janë kundërvënë me përdorimin joproporcional të forcës. “Ata të cilët ndërsynë qytetarët e Kosovës me parulla boshe, absolutisht të pavërteta, se Kosova nuk do të ketë ulësen e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, se Kosova nuk do ta ketë ministrinë e vet të jashtme, se Kosova nuk do ta ketë ministrinë e vet të mbrojtjes, ata që urdhëruan reagim të dhunës, ata duhet të ndëshkohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Por, edhe ata që urdhëruan goditjen e qytetarëve të Kosovës në kokë, goditjen e demonstruesve, duhet të përgjigjen”, tha Surroi. Në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka pohuar sot gjatë takimit të Këshillit Drejtues të partisë së tij, se qytetarët duhet të kenë besim te lidershipi i Kosovës, pasi që vullneti i tyre është edhe vullneti i udhëheqësve kosovarë. “Për ne është vetëm një zgjidhje, e ajo është respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, për shtet të pavarur e sovran. Kjo garanton stabilitet në Kosovë, garanton demokraci në Kosovë, funksionim demokratik të institucioneve, stabilitet në rajon dhe hapje të perspektivës së rajonit, në përgjithësi evropianizimin e tij”, tha Thaçi. Ndërkohë, kryeministri Agim Çeku, i ka ftuar qytetarët për qetësi dhe maturi politike, në këtë fazë të zhvillimeve të rëndësishme për Kosovën. Shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Kosovës, Bedri Gashi, tha se Çeku ka kërkuar që të mos ketë nxitime, por të priten rezultatet e hetimeve lidhur me ngjarjet e 10 shkurtit. “Kryeministri është shprehur plotësisht i bindur, se kjo është rruga më e mirë që duhet ndjekur për Kosovën, prandaj ai i ka ftuar qytetarët që ta ruajnë unitetin dhe besimin në këtë proces dhe të jenë kontribues në të, duke u distancuar nga çdo akt që mund ta destabilizojë vendin tonë”, theksoi Gashi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot është deklaruar se rezultati i hetimeve për ngjarjet e 10 shkurtit, mund të nxisë masa ndëshkuese apo edhe shkarkime në kreun e policisë vendore, nëse vërtetohet përgjegjësia e tyre për zhvillimet e 10 shkurtit.








XS
SM
MD
LG