Ndërlidhjet

ANDERSON:"PROTESTAT DO TË ZVOGLOJNË FUSHËVEPRIMIN E LIDERËVE KOSOVARË"


Alex ANDERSON, shef i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, si i vlerësoni zhvillimet e fundit lidhur me protestën e Vetëvendosjes?

ALEX ANDERSON
Që prej të shtunës, ka ndodhur një goditje e madhe natyrisht. Ka ekzistuar një ndjenjë e përgjithshme kënaqësie, ndonëse me disa defekte, lidhur me pakon Ahtisaarit, në kuptimin që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur për Kosovën. Të shtunën patëm një demonstratë nga një grup njerëzish që përfaqësojnë mendimin e një pakice të vogël, por që përfundoi me tragjedi. Dhe, kjo tani vërtet e ka dridhur shoqërinë kosovare, duke shkaktuar trauma të sistemit politik të Kosovës dhe duke shkaktuar reaksione nga komuniteti lokal ndërkombëtar, ndaj ngjarjeve të së shtunës. Unë nuk mendoj se do të jetë kredibile që të vazhdohet të insistohet, se Vetëvendosja bart njëqind përqind të fajit për ngjarjet e së shtunës.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ketë ky zhvillim ndonjë ndikim mbi procesin e përcaktimit të statusit?

ALEX ANDERSON
Ndoshta, për shkak se kjo shkakton ndarje të reja politike për të hapur fragmentime të reja politike. Ne kemi parë tashmë në sipërfaqe një grindje që po zhvillohet ndërmjet Hashim Thaçit dhe Daut Haradinajt nga AAK, për shkak të supozimit për mbështetje të Vetëvendosjes nga Maqedonia. Kjo tashmë është marrë nga përfaqësuesit vendorë të komunitetit ndërkombëtar dhe kjo është një pjesë e problemit. Përgjithësisht mendoj se kjo krijon gjithnjë e më pak hapësirë manovrime në Kosovë, dhe e gërryen në një masë të madhe kapitalin e mundshëm politik dhe bën gjithçka më të tendosur dhe me shumë keqardhje, kjo ndodhë në kohën kur elita politike e Kosovës po fillonte të shihte përpara kah zgjidhja e statusit të Kosovës, për ç’gjë unë gjithmonë jam ndjerë mjaft optimist se do të arrijmë një zgjidhje për statusin e Kosovës që do të hapë rrugën për një pavarësi të mbikëqyrur, këtë vit. Mirëpo, duke parë dinamikat në Këshillin e Sigurimit, e posaçërisht marrëdhëniet e SHBA-ve dhe vendeve evropiane me Rusinë, është më së shumti e mundshme që kjo zgjidhje mund të arrihet diku gjatë verës. Ne tani kemi shumë më pak hapësirë veprimi në Kosovë dhe kjo e bën shumë më të vështirë për të kërkuar nga liderët politikë këtu, që së pari të kuptojnë se ky proces mund të zgjasë pak më shumë sesa ata kanë menduar dhe së dyti për ta pasur pas vetes edhe popullatën e Kosovës dhe për të dërguar te ata këtë porosi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, çfarë mund të pritet nga raundi i ri i konsultimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, lidhur me dokumentin e presidentit Ahtisaari?

ALEX ANDERSON
Në kuptimin e substancës së dokumentit, unë nuk do të thosha se do të ndryshonte shumë. Ahtisaari ka thënë se ai do ta ndryshojë dokumentin vetëm nëse do të pajtohen të dyja palët dhe vetë kjo nuk lë shumë hapësirë për ndryshime. Beogradi do të synojë për të ndryshuar shumë më shumë sesa Prishtina. Është një pikëpamje e përgjithshme në Prishtinë, se me gjithë disa dilema dhe shqetësime që kanë për disa aspekte të pakos, është më mirë të ecet përpara me procesin dhe përafërsisht të pranohet ajo që është ofruar, në mënyrë që i gjithë procesi të kryhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, sa i vështirë do të jetë implementimi i pakos, duke pasur parasysh dallimet ndërmjet të dyja palëve?

ALEX ANDERSON
Meqë një pjesë e madhe e pakos u kushtohet të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe komunave të reja për pakicën serbe, atëherë shumëçka do të varet nga qëndrimi i Beogradit. Ekziston konsensusi politik në Beograd për ta kundështuar idenë e pavarësisë për Kosovën dhe për të mos e njohur atë. Kjo mund të shkaktojë shumë vështirësi. Unë mendoj, se ende është një çështje e hapur nëse mund të shohim një shkallë të caktuar të bashkëpunimit praktik gjatë implementimit të mekanizmave të mbrojtjes që i ka theksuar Ahtisaari, madje edhe nëse Beogradi mban këtë kundërshtim politik ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Prandaj, mendoj se ka posaçërisht mjaft çështje lidhur me veriun e Kosovës në këtë kuptim.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG