Ndërlidhjet

BEOGRAD


Pas verifikimit të mandateve të 250 deputetëve, në Beograd sot është konstituar parlamenti i ri i Serbisë.
Në fjalimin para deputetëve, presidenti Boris Tadiq tha se plani i të dërguarit të posaçëm të KB Martti Ahtisaari, e hap rrugën kah pavarësia e Kosovës, por shtoi se Serbia duhet të marrë pjesë në bisedimet konsultative në Vjenë.
"Thelbi i planit të Ahtisaarit nuk lë dyshime. Ky në fakt është një plan që e hap rrugën për pavarësimin e Kosovës, me të cilën shkelen sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit tonë, gjë që Ahtisaari nuk e përmend fare", tha Tadiq.
"Pranimi i këtij propozimi do të kishte karakter antikushtetues", tha ai, duke u bërë thirrje deputetëve që ta pranojnë rezolutën për Kosovën, e cila do të jetë bazë për qëndrimin e Beogradit në takimet në Vjenë.
Në arsyetimin për projekt rezolutën, kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se se plani i Ahtisaarit paraqet "propozim për coptimin e Serbisë", dhe u bëri thirrje deputetëve të "refuzojnë të jenë pjesëmarrës në zbrapsjen e drejtësisë para fuqisë".
"Është dorëzuar një propozim, me zbatimin e të cilit në Serbi shkelen Karta e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare, nuk përfillet vullneti i popullit serb i shprehur në referendum dhe injorohet kushtetuta e Serbisë", tha Koshtunica.
Përfaqësuesi i koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës Riza Halimi, ka deklaruar se ky koalicion nuk do ta mbështesë rezolutën e propozuar.
Edhe lideri i Partisë Liberal Demokrate Çedomir Jovanoviq tha se koalicioni i tubuar rreth partisë së tij nuk do të votojë propozim rezolutën e qeverisë.
Projekt rezoluta është "shprehje e kontinuitetit të politikës, e cila e ka shkatërruar Serbinë", tha ai, për të shtuar se qëndrimi i parlamentit duhet të jetë "pasqyrë e realitetit". Jovanoviq tha se pas vitit 1999 dhe bombardimeve të NATO-s, Serbia e ka humbur të drejtën për të qeverisur me Kosovën.
XS
SM
MD
LG