Ndërlidhjet

BEOGRAD


Pas verifikimit të mandateve të 250 deputetëve, në Beograd sot është konstituar parlamenti i ri i Serbisë.
Në fjalimin para deputetëve, presidenti Boris Tadiq tha se plani i të dërguarit të posaçëm të KB Martti Ahtisaari, e hap rrugën kah pavarësia e Kosovës, por shtoi se Serbia duhet të marrë pjesë në bisedimet konsultative në Vjenë.
"Thelbi i planit të Ahtisaarit nuk lë dyshime. Ky në fakt është një plan që e hap rrugën për pavarësimin e Kosovës, me të cilën shkelen sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit tonë, gjë që Ahtisaari nuk e përmend fare", tha Tadiq.
Në arsyetimin për projekt rezolutën, kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se se plani i Ahtisaarit paraqet "propozim për coptimin e Serbisë.
"Është dorëzuar një propozim, me zbatimin e të cilit në Serbi shkelen Karta e KB dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare, nuk përfillet vullneti i popullit serb i shprehur në referendum dhe injorohet kushtetuta e Serbisë", tha Koshtunica.
Përfaqësuesi i koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës Riza Halimi, tha se nuk do ta mbështesë rezolutën e propozuar.
Edhe lideri i Partisë Liberal Demokrate Çedomir Jovanoviq tha se koalicioni i tubuar rreth partisë së tij nuk do të votojë propozim rezolutën e qeverisë.
Projekt rezoluta është "shprehje e kontinuitetit të politikës, e cila e ka shkatërruar Serbinë", tha ai, për të shtuar se qëndrimi i parlamentit duhet të jetë "pasqyrë e realitetit". Jovanoviq tha se pas vitit 1999 dhe bombardimeve të NATO-s, Serbia e ka humbur të drejtën për të qeverisur me Kosovën.
Kryetari i Partisë Socialiste Ivica Daçiq tha se "asnjë organ shtetëror i Serbisë nuk do të mbështesë asgjë që ka të bëjë me pavarësinë e Kosovës".
Grupi G 17 tha se plani i Martti Ahtisaarit është i papranueshëm sepse Kosova i fiton atributet e shtetësisë, ndërsa nuk garantohen standardet për serbët në Kosovë dhe kthimin e të zhvendosurve.
XS
SM
MD
LG