Ndërlidhjet

logo-print

SCHEFFER:"NATO NUK DO TË TOLEROJË DHUNËN DHE AS NDARJEN E KOSOVËS"


Zijadin Gashi

KFOR-i nuk do të tolerojë kurrfarë dhune në Kosovë, si dhe nuk do të lejojë ndarjen e Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Scheffer. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike tha se NATO-ja e mbështet misionin e presidentit Ahtisaari, dhe u tregua i vendosur se nuk do të ketë zvogëlim të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Këto komente, Scheffer i bëri pas një takimi që zhvilloi me Ekipin Negociues të Kosovës në bazën e KFOR-it në Prishtinë. Ai kërkoi nga lidershipi kosovar, që të tregohet unik në këtë fazë të përcaktimit të statusit të Kosovës. Ndërkohë, u ka dërguar mesazhe të gjithëve që mendojnë t’i realizojnë qëllimet e tyre politike me forcë, se KFOR-i nuk do të tolerojë veprime të tilla. “Ju e dini se kush ishte ai që dëshironte zgjidhjen e problemit të Kosovës përmes dhunës, pastrimit etnik dhe vrasjeve. Ai ishte Sllobodan Millosheviq. Dua t’ju them tani se pse unë po flas para juve këtu dhe pse KFOR-i është këtu. Jemi këtu për të parandaluar ata njerëz që mendojnë se dhuna është zgjidhje“, u shpreh Scheffer, duke rikujtuar se KFOR-i është i gatshëm të përballet me çdo situatë të mundshme. Ai tha se rrezik kryesor për Kosovën, janë njerëzit që mendojnë se dhuna është përgjigje ndaj çështjeve që ndodhen në tryezën e bisedimeve. Scheffer tha se ngjarjet e 10 shkurtit në Prishtinë, duhet të shërbejnë si shembull, se si ngjarjet nuk duhet të zhvillohen në të ardhmen. “Nuk ka nevojë për më shumë fatalitet dhe për më shumë viktima. Kosova ka humbur mjaft, kështu që edhe dy viktimat e së shtunës janë shumë“, tha Scheffer. Ndërsa atyre që mbështesin dhunën, ai ua ka bërë të ditur se do të përballen me kundërshtimin e ashpër të KFOR-it. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s u dërgoi mesazhe edhe liderëve kosovarë, që të tregohen të përgjegjshëm e unikë në këtë fazë vendimtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Bota po shikon me kujdes se çfarë mesazhesh po vijnë nga Kosova. Me fjalë të tjera, sa të matura do të jenë institucionet dhe qytetarët e Kosovës, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, tha Scheffer, duke shtuar se bota është duke ju shikuar. Sa i përket vet procesit të statusit, ai tha se NATO-ja e mbështet procesin që po udhëhiqet nga Martti Ahtisaari, ndërsa garantoi tërësinë territoriale të Kosovës. “Nuk ka ndarje dhe njerëzit që punojnë për këtë, duhet ta kuptojnë se kjo nuk është zgjidhje dhe kurrë nuk do të jetë zgjidhje”, theksoi Scheffer. Këtë mesazh, ai tha se do t’ua përcjellë sot edhe kryetarëve të komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkaq, duke komentuar Rezolutën e djeshme të Parlamentit serb për Kosovën, Scheffer tha se ata kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, por fjalën e fundit për tërë procesin do ta ketë presidenti Martti Ahtisaari.



XS
SM
MD
LG