Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR KOSOVËN


Duke i bërë një vështrim debatit në Parlamentin e Serbisë dhe miratimit të rezolutës për Kosovën, e përditshmja ruse Kommersant shkruan se pas refuzimit të planit të Martti Ahtisaarit, në thelb është e pakuptimtë pjesëmarrja e Serbisë në bisedimet konsultative në Vjenë. Tash Ahtisaarit vetëm i ka mbetur t'i shpallë të përfunduara diskutimet mbi planin e tij, dhe t'ia paraqesë Këshillit të Sigurimit, i cili do ta marrë vendimin final.
Sipas gazetës ruse, kjo është edhe strategjia e Beogradit që kanë hartuar nacionalistët serbë. Duke refuzuar të marrin pjesë në betejën për të ndryshuar planin për Kosovën, Serbia në mënyrë efektive ia ka bartur përgjegjësinë Moskës. Tash është bërë e qartë se të gjitha shpresat për Kosovën, Beogradi i ka varur te vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit.
Por kjo nuk sjell ndonjë kënaqësi të madhe në Moskë, shkruan gazeta, duke përkujtuar deklaratën e emisarit rus për Kosovën Alexander Botsan-Kharchenko, i cili në pyetjen nëse Rusia do ta ushtrojë të drejtën e vetos ndaj planit të Ahtisaarit, tha se "vetoja nuk është qëllim për vetvete".
"Qëllimi ynë është procesi i bisedimeve. Palët duhet të vendosin vetë, dhe ne duhet t'u krijojmë kushte për negociata", tha diplomati rus. Deklarata e këtillë e kryenegociatori rus për Ballkanin mund të konsiderohet si reagim ndaj zgjidhjes së fundit që miratoi parlamenti serb, dhe nga ajo mund të nxirren dy konkluzione: Rusia nuk ka aq shumë dëshirë të zjarrtë të vërë veto për Kosovën, apo thënë më butë, nuk e mirëpret vendimin e Beogradit për të përjashtuar veten nga bisedimet, përfundon Kommersant.
Javorja Economist tërheq vërejtjen se pengesat ndaj pavarësisë së Kosovës mund të nxitin protesta tjera të dhunshme. Duke përkujtuar se Kosova është çështja e fundit e pazgjidhur pas kollapsit të ish Jugosllavisë, Economist shkruan se në muajt e kaluar, Moska e ka ashpërsuar qëndrimin e saj publik kundër pavarësisë së Kosovës. "Nëse mund të paramendoni një situatë në të cilën Kosova do të fitonte pavarësinë, atëherë të tjerët do të na pyesin përse kjo nuk vlen për ne", transmetohet deklarata e ministrit të Mbrojtjes Sergei Ivanov.
Kjo është muzikë për veshët e Koshtunicës, por çfarë do që të thotë Rusia, asgjë nuk mund ta ndalë marshimin e Kosovës drejt pavarësisë, shkruan Economist. Javën e ardhshme, serbët dhe shqiptarët do të takohen për mbledhje tjera të pakuptimta në Vjenë, pas të cilave, Martti Ahtisaari do ta çojë planin e tij në Kombet e Bashkuara. Pastaj do të duhet një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit për ta zëvendësuar misionin aktual të Kombeve të Bashkuara me atë të Bashkimit Evropian.
Nëse Rusia nuk pajtohet, jo vetëm që Serbia do ta humbë Kosovën, por edhe rajoni rrezikon të zhytet në kaos. Kosova edhe ashtu do ta shpallë pavarësinë, dhe shumë vende, përfshirë Amerikën dhe Britaninë do ta njohin atë. Në atë rast, për serbët nuk do të ketë mbrojtje shtesë, dhe as mision tjetër pas UNMIK-ut. Në këtë variant, dy shqiptarët që vdiqën më 10 shkurt, do të jenë vetëm viktimat e para të një vale të dhunës së re, përfundon Economist.
XS
SM
MD
LG