Ndërlidhjet

logo-print

17% E FËMIJËVE KOSOVARË LINDIN TË VARFËR


Nadie Ahmeti

Rreth 17 përqind fëmijë të të gjitha komuniteteve në Kosovë, lindin të varfër dhe mbesin të tillë, të paktën deri në moshën 6 vjeçare. Kështu thonë në Fondin Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, duke u bazuar në hulumtime të disa organizatave ndërkombëtare. Benjamin Perks, koordinator i programit në UNICEF, thotë se 12 përqind e familjeve kosovare, jetojnë në varfëri të skajshme me 99 centë në ditë. Me këtë varfëri, sipas tij, është vështirë të arrihet një nivel më i mirë i mirëqenies së fëmijëve. Sipas UNICEF-it, përgjegjës kryesorë për përmirësimin e kushteve elementare të fëmijëve, janë dy institucione. “Është familja, e cila siguron ushqim, libra, arsimim dhe kushte shëndetësore për fëmijë. Mirëpo, nëse familja ka të ardhura të ulëta dhe nuk mund të sigurojë kushte, atëherë barra bie mbi Qeverinë e Kosovës. Por, nëse as kjo nuk ka mundësi, atëherë nuk duhet të flitet fare për mirëqenien e fëmijëve”, tha zoti Perks. Por, në Institucionin e Ombudspersonit të Kosovës, mendojnë se kjo shifër është edhe më e lartë. Violeta Rexha-Krasniqi, nga Grupi për të Drejtat e Fëmijëve në këtë institucion, shpjegon më shumë. “Kemi shumë ankesa të prindërve, të cilët ankohen se nuk mund të mbijetojnë në këto kushte. Po ashtu kemi ankesa edhe të fëmijëve. Kemi edhe një ankesë nga një fëmijë 9 vjeçar, i cili na ka dërguar një letër ku ka shkruar, se a kam edhe unë të drejtë të ha bukë si fëmijët tjerë”, tha zonja Rexha-Krasniqi. Dhe kjo është arsyeja kryesore, sipas saj, që shumë fëmijë janë të detyruar të punojnë punë nga më të ndryshmet, duke rrezikuar edhe mirëqenien e tyre. “Fëmijët shesin produkte të ndryshme, shesin cigare në rrugë, në lokale. Sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, thuhet se në shumicën e vendeve të botës, numri i fëmijëve që punojnë është në rënie, ndërkaq raporti i bërë nga UNICEF-i, thekson se ky numër i fëmijëve është në rritje e sipër në shoqërinë kosovare”, tha zonja Rexha-Krasniqi. Benjamin Perks, nga UNICEF-i, ndërkaq thotë se fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, në të shumtën e rasteve janë ata që jetojnë në kushte më të vështira sociale dhe ekonomike. Sipas tij, këta fëmijë, përveç mungesës së ushqimit cilësor për moshën e tyre, ballafaqohen edhe me probleme në shkollim. “Unë mendoj se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, kanë indikatorë më të këqinj, sa i përket mirëqenies dhe kanë një nivel më të lartë të varfërisë”, theksoi zoti Perks. Sipas tij, shumë shpesh fëmijët nga këto komunitete nuk janë në shkollë, e sidomos vajzat. Të jesh vajzë nga ky komunitet, thotë ai, do të thotë se do të kesh fillimet më të këqija të jetës në Evropë. Zonja Rexha-Krasniqi, ndërkaq theksoi se për shkak të kësaj varfërie, shumë fëmijë nuk i gëzojnë as të drejtat elementare të tyre, të cilat janë të parapara me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. “Ajo konventë është e aplikueshme edhe në Kosovë, në të cilën thuhet se secili fëmijë ka të drejtë për një standard të përshtatshëm jetese, për zhvillim fizik, shpirtëror, mendor dhe shoqëror. Fatkeqsisht, mund të themi se për shkak të varfërisë të madhe në Kosovë, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve nuk e gëzon këtë të drejtë”, tha zonja Rexha-Krasniqi. Varfëria tek fëmijët ndikon edhe në jetën normale të tyre dhe ka efekte negative në zhvillimin e përgjithshëm të tyre, thotë zoti Perks, duke shpjeguar edhe ndikimin që varfëria do të ketë tek këta fëmijë edhe në të ardhmen. “Ka efekte të ndryshme. Një, është mungesa e ushqimit kualitativ për fëmijët. Nëse familja nuk ka të ardhura të duhura, do të fillojë të kufizojë ushqimin kualitativ për fëmijët dhe kjo normalisht, se do të ndikojë në zhvillimin e fëmijës, pastaj mund të ketë ndikim edhe në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme”, tha zoti Perks. Sidoqoftë, e vetmja shpresë në përmirësimin e kushteve të fëmijëve në Kosovë, për zyrtarë të UNICEF-it, është përgatitja e strategjisë dhe planit zhvillimor të Kosovës, ku, sipas tyre, do të përfshihet edhe kjo çështje. Ndryshe, në Qeverinë e Kosovës është përgatitur strategjia, por nuk dihet ende se kur do të dalë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG