Ndërlidhjet

POLICIA THOTË SE SITUATA E SIGURISË ËSHTË STABILE


Albana Isufi

Shërbimi Policor i Kosovës konsideron se pas protestave të 10 shkurtit, gjendja e sigurisë në Kosovë i është kthyer normalitetit.
Zëdhënësi i SHPK-së Veton Elshani, thotë se megjithatë, policia ende po zbaton operacionin e quajtur “Siguria e rreptë”, operacion ky që ka për qëllim ruajtjen e sigurisë gjatë fazës së përcaktimit të statusit final. ”Situata e sigurisë edhe pas protestës, e cila me këtë rast la dy të vdekur pas vetes, ështe e qetë dhe stabile. Sidoqoftë, ne jemi të kujdesshëm dhe në rast nevoje do të reagojmë”, tha Elshani. Ndërkohë, rreth orës një pas mesnate, në afërsi të hotelit “Baci” në Prishtinë, ka ndodhur një shpërthim, që sipas policisë, është shkaktuar nga një granatë dore. Zëdhënësja e SHPK-së, Sabrije Kamberi, thotë se nuk ka të lënduar. “Policia ka marrë një informatë se prapa hotelit “Baci”, ka ndodhur një shpërthim. Me të marrë informatën, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes. Gjithashtu, kanë informuar edhe KFOR-in për këtë ngjarje, ku edhe KFOR-i ka dalë në atë vend, dhe sipas tij, ka qenë në pyetje një granatë dore”, tha Kamberi. Ajo thotë se deri tash nuk është ndaluar askush, ndërkaq nuk ka as të dyshuar. Ngjashëm, nuk dihet as motivi i shpërthimit.
Po mbrëmë, në Zubin Potok, në banesën e një polici ndërkombëtar është hedhur një lëndë plasëse, që dyshohet të jetë fishekzjarr. “Pesë minuta pas mesnatës, besohet të ketë qenë një fishekzjarr i madh, që është hedhur në ballkonin e banesës së një polici ndërkombëtar, pasi që ai ishte kthyer nga puna. Shpërthimi ka thyer dritaret e ballkonit, copat e të cilave janë shpërndarë brenda apartamentit. Nuk ka të lënduar”, tha zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Larry Miller. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, nuk sheh ndonjë ndërlidhje të këtyre incidenteve, që mund të ndikojnë në sigurinë e përgjithshme. “Këto incidente nuk paraqiten si të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Hetimet po zhvillohen, mirëpo ne nuk konsiderojmë se paraqesin rëndim për situatën”, theksoi Elshani. Edhe në Mitrovicë konsiderohet të mbretërojë një situatë e qetë, por e tensionuar. Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka siguruar gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë, se NATO-ja do të ruajë sigurinë në Kosovë dhe nuk do të lejojë që dhuna të përdoret për arritjen e qëllimeve politike.



XS
SM
MD
LG