Ndërlidhjet

KUÇI: DUHET TË PËRQËNDROHEMI NË PROCESIN E STATUSIT


Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK

RADIO EVROPA E LIRË
Z Kuçi, po lëmë pas një javë që është përshkuar me dorëheqje të zyrtarëve te lartë ndërkombëtarë e vendorë, pas protestave të 10 shkurtit ku mbetën të vrarë 2 persona. Si i vlerësoni ju zhvillimet një javë pas këtyre protestave?

HAJREDIN KUÇI
Që në fillim dua të them se dorëheqja e ministrit të brendshëm ka qenë një akt moral i tij dhe mendoj se në këtë drejtim e ka bërë pozitive institucionalizimin e përgjegjësisë morale në Kosovë, por mendoj se për ato protesta duhet të vazhdojë edhe përgjegjësia politike dhe juridike, për tragjedinë që ka ndodhur atë ditë.
Mendoj se një javë më pas, Kosova ende është në mes të dilemave dhe optimizmit ne kuptimin e asaj se një pjesë e popullatës kanë dilema dhe ndoshta ngjarjet tragjike të asaj dite, ne memorien e tyre i kanë kthyer diçka që kanë parë më herët, dhe në anën tjetër në mes të optimizmit duke kuptuar se zhvillimet dhe proceset duhet të ecin para, duke u koncentruar në të, dhe të bëhen gjëra pozitive për vendin.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se zhvillimet duhet të ecin përpara. Javën e ardhshme janë paraparë të mbahen në Vjenë bisedime konsultative mes palëve dhe UNOSEK-ut. Si i shihni ju këto bisedime?

HAJREDIN KUÇI
Në radhë të parë mendoj se pala kosovare duhet të koncentrohet ne proces, ne kuptimin e dinamikës së procesit dhe përmbajtjen e tij. Sa i përket dinamikës, duhet ta respektoje dinamikën me bashkësinë ndërkombëtare, por njëkohësisht duhet ta bëjë edhe dinamikën e vet të veprimeve. Lidhur me përmbajtjen, pala kosovare duhet që t’i përmbahet analizave te dokumentit te Ahtisaarit, por njëkohësisht t’i përmbahet, apo të japë propozimet rreth asaj se çka mungon në pakon e Ahtisaarit. Në këtë drejtim mendoj se konsultimet janë edhe një tentim, për të përafruar qëndrimet me palën serbe, por unë nuk jam i bindur se kjo do të ndodhë. Mendoj se dy gjëra janë të sakta tanimë: marrëveshja Prishtinë- Beograd është e pamundur, dhe çdo marrëveshje apo propozim tjetër nën pavarësi është i pamundur. Në këtë drejtim mendoj se është edhe një shans, por përfundimi do të jetë po ai i njëjti.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit është e pamundur, atëherë a imponohet një marrëveshje e imponuar?

HAJREDIN KUÇI
Mendoj se këtu nuk kemi të bëjë me një marrëveshje të imponuar shumë, këtu kemi të bëjmë me një marrëveshje të negociuar, që pala serbe te negociohet për gjëra krejt teknike, do të quaja, nuk do të pajtohet kurrë, pra është ajo palë, që jo vetëm që pengon, pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht pengon edhe funksionalizimin e jetës normale në Kosovë. Pra, për Serbinë, asgjë që është normale në Kosovë, nuk pranohet. Në anën tjetër këtu kemi të bëjmë me një propozim nga bashkësia ndërkombëtare dhe ai propozim pak a shumë është në vijë demokratike dhe njëkohësisht edhe me vullnetin e qytetarëve. Në këtë drejtim mendoj se sa më pak që përafrohen palët, aq më shumë rritet mundësia që bashkësia ndërkombëtare të vendosë, ndoshta nuk është në kuptimin e thjeshte imponim, por është zgjidhje e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Kuçi, përmendet më herët se pala kosovare duhet te dërgoje propozimet per pakon e z Ahtisaari. Kur merren parasysh qëndrimet e kundërta të Prishtinës dhe Beogradit, atëherë sa ka vend që të bëhen ndryshimet e kërkuara nga pala kosovare në dokument?

HAJREDIN KUÇI
Po, pala kosovare ka arsye për dy gjëra që t’i theksojë propozimet e veta. E para është që tentoje ta ndryshojë pakon ekzistuese, pasi që është pako parafinale, do të thotë para dërgimit në OKB, dhe në këtë drejtim duhet et bëjë, do ta quaja, vërejtjet parimore, por njëkohësisht, edhe vërejtjet për çështje teknike, të cilat e pengojnë funksionimin e institucioneve në Kosovë në të ardhmen. Arsyeja e sytë, është që pala kosovare të shprehë vullnetin lidhur me atë çka mendojnë qytetarët e Kosovës dhe ta ruajë të drejtën e vet për të vepruar sipas këtij vullneti në çdo rast apo rrethanë të mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Fillimi i marsit është thënë nga i dërguari i OKB-se Marti Ahtsiari se do të jetë koha kur do të përfundojë periudha e konsultimeve. Po, kur mendoni se do të shfuqizohet Rezoluta 1244?

HAJREDIN KUÇI
Ky është paksa mendim hipotetik. Mendoj se pas negociatave mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar, pas dërgimit të pakos në Nju Jork do të ketë edhe një kohë të shkurtër besoj për një lloj negociate në mes të Grupit të Kontaktit, respektivisht anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, por dua të besoj se ato negociata nuk do të zgjasin më shumë se një muaj. Në këtë kuptim, mendoj se rezoluta e re duhet te respektoje dinamikën, dhe sa më shpejt që nxirret, aq më lehtë do të jetë për implementim dhe heqjen e dilemave në rajon dhe me gjerë. Në këtë kuptim, mendoj se ata janë palë që negociojnë, dhe njëkohësisht ata janë jashtë duarve tona, po them, apo jashtë ndikimit tonë. Por, duket se faktorët relevantë ndërkombëtarë, janë të interesuar që dinamika të lëvizë më shpejt sesa deri me tani.


RADIO EVROPA E LIRË
T’i kthehemi sërish z Ahtisari. Ai ka thënë se ne dokumentin para KS të OKB-së do të qartësojë propozimin për statusin e Kosovës. Çfarë, mendoni orientimisht se do të propozojë ai?

HAJREDIN KUÇI
Ai ka qenë një sinjal i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj, mendoj se cdo qartësim do të shkojë në respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Në kuptimin e kësaj, ndoshta pakoja fillestare ka qene për ta përgatitur opinionin publik, qoftë në Kosovë apo Serbi, por në ndërkohë, rezoluta e re duhet te mos lejojë dilema, sa më pak që ka dilema aq më e lehtë do të jetë për interpretim dhe implementim. Në kuptimin e kësaj është interpretimi ai që është me shumë me rëndësi për palën e Kosovës, në kuoptimin që të mos kuptohet si humbje apo fitore për dikënd dhe në anën tjetër, mos të kuptohet pavarësi për dikend e për dikend më pak. Ndërsa, në implementim ne do të jemi bahskë me faktorin ndërkombëtar dhe dilemat do të krijojnë veshtirësi. Mendoj se rezoluta duhet t'i heqë të dyja.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të zbatohet në tërësi marrëveshja për statusin, nëse merren parsysh raportet ndëretnike ne terren?

HAJREDIN KUÇI
Ne duhet te jemi koshientë se pala kosovare ka vullnet për ta respektuar marrëveshjen, e dyta ne jemi et obliguar që ta respektojmë atë, dhe në anën tjetër në këtë kreh e kemi edhe bashkësinë ndërkombëtare. Mund te kete rezistenca të vogla gjatë implementimit, pro ajo do të ndodhë. Dinamika e procesit do te jete varësisht prej vullnetit të elitës politike ne Kosovë, dhe prej mirëkuptimit qytetar. Por, sido që të jetë, fuqia, do ta quaja e vullnetit, dhe përkrahja ndërkombëtare, do të bëjnë që marrëveshja të respektohet e implementohet sipas hapave dhe dinamikës së paraparë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z Kuci, kosovarët gjithmonë janë deklaruar për një prani të lehtë ndërkombëtare në Kosovën e pas statusit. Megjithatë z. Ahtisari ka bërë të qartë se kjo prani do te jetë më e rënde, ndërsa përfaqësuesi ndërkombëtar do të ketë fuqinë e ndërhyrjes në ekzekutiv. Si do te reflektohet e tërë kjo në proceset e ardhshme?

HAJREDIN KUÇI
Në fazën momentale, ndoshta ka qenë e nevojshme një prani e lehtë civile dhe një prani më e rëndë ushtarake, por sovran duhet të jetë populli dhe qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, nuk duhet të hyjë logjika e ndërrimit te njerëzve legjitimë, përmes metodave administrative, por duhet t’i lihet e drejta që atij që e ka emëruar edhe ta ndërrojë. Në këtë drejtim nuk besoj se do të kemi shumë problem me faktorin ndërkombëtar. Unë them se sa më shumë që do te jemi ne efektivë, sa më shumë që do t'i kryejmë punët tona me kompetencë, sa më shumë që këtë vend ta udhëheqin njerëzit e dijshëm dhe të guximshëm, do të lejohet më pak vend për prani ndërkombëtare.

Intervistoi Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG