Ndërlidhjet

RADA TRAJKOVIQ: SERBËT E KOSOVËS NUK E PRANOJNË PAVARËSINË E KOSOVËS


"Normal që serbët nga Kosova, duke analizuar rezultatet, që nga ardhja e misionit ndërkombëtar, duan të dërgojnë mesazhin se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Kjo thjeshtë për arsye se nën administrimin e bashkësisë ndërkombëtare ne kemi përjetuar dhe ekzodus etnik", thotë, pos tjerash, Rada Trajkoviq nga Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Znj.Trajkoviq, serbët tashmë e kanë kundërshtuar pakon e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Ku mbeshteten argumentet kryesore për një pozicion të tillë ndaj këtij dokumenti?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj, para së gjithash, se zoti Ahtisaari i ka marrë të drejtat legjitime që i ka shteti i Serbisë në territorin e Kosovës dhe e përkufizoi interesin e Beogradin vetëm në organizimin e jetës së serbëve në njërën anë dhe Kishës Ortodokse serbe në anën tjetër. Sa i përket dokumentit, unë do ta ndaja në pjesën teknike dhe atë që nënkupton pjesën politike. Në pjesën teknike nuk mund të them se nuk ka edhe zgjidhje të mira, por në përgjithësi mendoj se ai do të duhej të përpunohej, për faktin se zgjidhjet që ofrohen nuk u konvenojnë serbëve. Së pari, zoti Ahtisaari u ka marrë të drejtën serbëve që brenda Parlamentit të mund të ndikojnë në hartimin e Kushtetutës së ardhshme të Kosovës. Kjo ngase ai ka përcaktuar decidivisht që me serbët lidhur me Kushtetutën e Kosovës mund të bëhen vetëm konsultime dhe ka pamundësuar që në çfarëdo mënyre serbët ta bllokojnë këtë proces. Sa i përket decentralizimit, këtu mendoj se shumë zona në të cilat serbët jetojnë nuk janë përfshirë dhe me këtë lihet hapësirë për vazhdimin e shpërnguljes së serbëve nga Kosova. Kurse, lidhur me pjesën politike, ajo është absolutisht e papranueshme për Serbinë. Me marrjen e të drejtës në pronësi, Ahtisaari ka hyrë në konflikt jo vetëm me Rezolutën 1244, por edhe me rekomandimet e komisionit të Badinterit dhe në anën tjetër ka lejuar apo ka pranuar që Kosova të vihet në pozicion të njëjtë sikurse ish Republikat e Jugosllavisë. Bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi u ka njohur shqiptarëve të drejtën për vetëvendosje apo ka legalizuar këtë të drejtë, duke njohur të drejtën e vullnetit të shumicës në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË:
Zoti Ahtisaari dhe Ekipi Negociues i Kosovës kanë vlerësuar se dokumenti ofron garanca të plota për mbrojtjen e të drejtatve dhe interesave të komuniteteve, madje më shumë sesa që ndonjë vend tjetër ofron për bashkësitë etnike pakicë?

RADA TRAJKOVIQ:
Unë jam e lindur në Merdare të Podujevës si shtetase e Serbisë. Kurse këtë vit me këtë dokument të Ahtisaarit unë bëhem shtetase e Kosovës dhe shndërrohem në pakicë kombëtare në të njëjtin rang siç janë ashkalinjtë, romët, goranët, turqit të cilët kanë qenë pakicë kombëtare çdo herë dhe sipas çdo zgjidhje. Ndërkaq populli shqiptar tani shndërrohet në komb, kurse me statusin e kaluar ishte pakicë kombëtare. Prandaj, mendoj se barazimi i serbëve të Kosovës me ashkalinjtë e romët është absolutisht i papranueshëm për serbët dhe mendoj se në këtë kontekst nuk mjaftojnë mekanizmat e parashikuar mbrojtës me të cilët serbët e Kosovës mund të ndikojnë në organizimin e jetës së bashkësisë së tyre.

RADIO EVROPA E LIRË:
Janë shënuar edhe protesta në pjesën veriore të Kosovës. Çfarë mesazhesh i dërgohen bashkësisë ndërkombëtare me këto veprime?

RADA TRAJKOVIQ
Normal që serbët nga Kosova duke analizuar rezultatet që nga ardhja e misionit ndërkombëtar duan të dërgojnë mesazhin se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Kjo thjeshtë për arsye se nën administrimin e bashkësisë ndërkombëtare ne kemi përjetuar dhe ekzodus etnik. Ndërkaq aktualisht askush nuk është në gjendje të flet publikisht për diçka siç është ajo se bashkësia ndërkombëtare ka arritë, ta zëmë, të siguroj lirinë e lëvizjes në Kosovë, që është një prej të drejtave më elementare. Prandaj, serbët nuk mund ta pranojnë pavarësinë e Kosovës sepse atëherë nën dominimin e pushtetit shqiptar, ne me të vërtetë nuk do të mund të organizonim jetën tonë dhe definitivisht do të largoheshim nga territori i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË:
Znj.Trajkoviq si e shihni ju të ardhmen e veriut të Kosovës dhe pjesëve të tjera të banuara me serbë, pas pakos së Ahtisarit?

RADA TRAJKOVIQ
Krejt ajo që unë shoh është zgjidhja unike e problemit për të gjithë serbët të cilët kanë jetuar në territorin e Kosovës para bombardimit të Serbinë. Domethënë konsideroj se zgjidhja duhet të jetë unike për të gjithë serbët dhe t’i përfshijë interesat e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, pavarësisht se a jetojnë ata mbi lumin Ibër apo nën të, dhe atyre që janë dëbuar nga Kosova dhe duan që të kthehen. Në këtë drejtim unë pres këtë zgjidhje dhe pres që bashkësia ndërkombëtare do të na mundësoj që këto projekte të realizohen.
Intervistoi: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG