Ndërlidhjet

logo-print

TRE SKENARËT E MUNDSHËM TË STATUSIT


Jane's Intelligence Review

Skenari i parë ka të bëjë me pavarësinë e plotë të Kosovës brenda vitit 2007 dhe në këtë kuadër, revista shkruan se me një vendim të këtillë do të mbeteshin të kënaqur vetëm shqiptarët e Kosovës. Pavarësia e plotë në një kohë aq të shkurtër do të shtonte në masë të madhe rrezikun e destabilizimit politik në Serbi dhe do të mund të nxiste ekzodin e serbëve të mbetur në Kosovë. Natyra e pakompromis e një vendimi të këtillë gjithashtu do të trimëronte Beogradin që të aneksojë në mënyrë të njëanshme rajonin përtej lumit Ibër dhe natyrisht, një gjë e këtillë, do të nxiste edhe separatizmin shqiptar në Luginën e Preshevës. Duhet pranuar edhe faktin se skenari ka disa pengesa të frikshme, fillimisht nga Rusia, e cila ka thënë se do të bllokojë vendime të këtilla në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, është e qartë se plani i Kombeve të Bashkuara nuk bën thirrje për pavarësi të menjëhershme, por për zgjidhje të menjëhershme, qëndrim ky të cilin e ndajnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Në këtë kuadër, skenari i dytë, ai i pavarësisë së pjesshme, ka gjasët më të mëdha. Me këtë skenar, çështja e pavarësisë ngritet si e maskuar: shqiptarët do të fitojnë gjithë atë që kanë synuar, por jo edhe njohjen e menjëhershme ndërkombëtare, ndonëse do të jetë e kuptueshme se edhe kjo njohje do të vijë me kohë. Duke marrë parasyshë faktin se ky skenar nuk do të rezultojë menjëherë me një ulëse në Kombet e Bashkuara, ai do t’i mundësojë vetos së Rusisë që të lihet mënjanë. Kjo do t’i hapte rrugën edhe një forme të mekanizmit për të shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Kosovës nga ana e qeverisë së saj. Megjithatë, edhe ky skenar ka rreziqet e veta, veçanërisht në hapat e ardhshëm të Serbisë në veriun e Kosovës. Por shpallja e njëanshme e pavarësisë nëse bëhet, atëherë bëhet me bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Dhe në fund, skenari i tretë, ai i mosdhënies së pavarësisë. Trazirat e marsit të vitit 2004 kanë dëshmuar se durimi I shqiptarëve është zbehur dhe duke qenë se prapa këtyre trazirave, kanë qëndruar një numër organizatash të fshehta, s’ka dyshim se mesazhi ka qenë i qëllimshëm. Si tillë, ky skenar nuk ka shumë gjasë. Serbia nuk ka fuqi ekonomike dhe madje as ushtarake për ta mbajtur Kosovën në kufijtë e saj. Ndërkombëtarisht, pavarësia e Kosovës shihet si akt i kryer dhe ajo që mbetet për t’u bërë është menaxhimi i këtij procesi me sa më shumë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe sa më pak jostabilitet që të jetë e mundshme.
XS
SM
MD
LG