Ndërlidhjet

VJENË


Të mërkurën në Vjenë fillojnë bisedimet konsultative ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për planin e Martti Ahtisaarit për statusin e ardhshëm të Kosovës.
"Ideja është që të dyja palëve t'u jepet edhe një mundësi që t'i paraqesin vërejtjet e tyre mbi planin", ka thënë zëdhënësi i Ahtisaarit Remi Dourlot.
Ndërkaq zëvendës kryenegociatori Albert Rohan ka vlerësuar se janë "shumë të vogla gjasat" që bisedimet në Vjenë të çojnë në kompromis, por ka shtuar se "nuk ekziston kurrfarë alternative reale për propozimin e Kombeve të Bashkuara".
Në një intervistë për të përditshmen austriake Kurir, Rohan ka thënë se Serbia asgjë nuk humb me planin e Ahtisaarit, dhe e ka akuzuar Beogradin për "qasje të njëanshme" ndaj çështjes së Kosovës.
"Kosova prej vitit 1999 nuk është nën administrimin serb. Në praktikë, shumë pak gjëra do të ndryshojnë për Serbinë", ka thënë Rohan.
"Ne duam të krijojmë kushte, në të cilat populli i Kosovës do të jetojë normalisht dhe në siguri. Nëse serbët e Kosovës i shqyrtojnë propozimet tona pa paragjykime, atëherë nuk do të gjejnë shkas për t'i refuzuar", ka thënë Rohan, për të shtuar se 2/3 e propozimit të Ahtisaarit synon mbrotjen e pakicës serbe.
XS
SM
MD
LG