Ndërlidhjet

HYSA: DO TË JAPIM MAKSIMUMIN TË ARRIHET ZGJIDHJA PËR STATUSIN


Ylber Hysa, nënkryetar i partisë reformiste Ora

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, nesër delegacioni kosovar niset për në Vjenë, në negociatat e para pas shpalosjes së pakos së Ahtisaarit. Çfarë prisni ju nga këto negociata në këtë periudhë konsultative?

YLBER HYSA
Të them të drejtën, nuk presim shumë. Secila palë, realisht, ka pasur një kohë ekstenzive për të paraqitur pikëpamjet e qasjet për të gjitha aspektet e negociuara të pakos. Në këtë aspekt, ne kemi qenë shumë të qartë lidhur me ofertën tonë dhe sa i përket pikërisht temës, për të cilën udhëtohet në Vjenë. Në të njëjtën kohë, duke mbajtur hapur edhe kanalin e komunikimt të brendshëm me komunitetet në Kosovë, që qasja jonë të jetë më gjithëpërfshirëse. Pra, të ketë të përfshira edhe individualitetet e qasjeve të joshqipatarëve në Kosovë, për çka kanë qenë të njoftuar të gjithë. Në këtë aspekt kemi bërë shumë, ndërkohë që, siç e dini, pala serbe ka refuzuar të jetë pjesë e këtij segmenti të bisedimeve, duke pretenduar qe nuk janë pakicë. Ata kanë kërkuar t’i shtyjnë dhe tani do të vijnë të bisedojnë për një temë, për të cilën nuk kanë dashur të bisedojnë më heret. Pra, ne besojmë, që ky është një pretendim për të shfrytëzuar edhe këtë mundësi edhe këtë hapësirë, në mënyrë që të gjindet një zgjidhje rreth statusit. Kjo është e tëra.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëllimi, cila është dobia nga kjo periudhë konsultative? Sa mund të ketë ndryshime në dokumentin e zotit Ahtisaari, të kërkuara këto nga pala kosovare?

YLBER HYSA
Besoj që kjo është pyetje për Vjenën. Ndoshta është pyetje më shumë për Grupin e Kontaktit ose për ata anëtarë, të cilët ndoshta nuk janë ende të gatshëm që ta përmbyllin këtë proces ose nuk janë të gatshëm që ta shohin Moskvën, duke qenë partnere deri në fund. Këto megjithatë, nuk janë pyetje për ne. Ne jemi lutur që ta bëjmë edhe këtë performancë. Sa na përket neve, besojmë që do të jemi si gjithnjë palë, e cila e jep optimumin për të gjetur zgjidhjen për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, në pakon e të dërguarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, është paraparë krijimi i 45 zonave mbrojtëse përreth kishave dhe manastireve. Ju jeni kryesues i grupit punues për trashëgiminë kulturore. Sa mendoni se do të zbatohet kjo pikë në praktikë, nëse merret parasysh reagimi i mëhershëm i banorëve, kur Manastiri i Deçanit u shpall zonë mbrojtëse?

YLBER HYSA
Ne kemi bërë maksimumin në bazë të koncenzusit të arritur në Grupin e Unitetit, për të gjetur një zgjidhje të favorshme për mbrojtjen e monumenteve. Kemi arritur deri te një pikë, e cila pak a shumë sublimon edhe ofertën tonë. Në këtë aspekt, kemi arritur të bëjmë diçka, që tek e fundit, është e pritshme që të mbrojmë monumentet. Besoj që pala kosovare është serioze në këtë qasje dhe do të jetë deri në fund.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse kihen parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Prishtinës dhe të Beogradit rreth statusit, çfarë mendoni, si do të gjindet zgjdhja? A do të jetë një marrëveshje e negociuar apo e imponuar?

YLBER HYSA
Ne besoj që jemi të gatshëm për cilëndo zgjidhje. Kemi treguar që jemi partnerë deri në fund. Nuk e fshehim, se qëndrimi ynë që të respektohet vendimi dhe mendimi i shumicës duke respektuar absolutisht të tjerët me të gjitha kompromiset e mundshme, duhet arritur. Por, ne shpresojmë që kjo do të bëhet në një kohë shumë optimale, sepse ky është i vetmi kuptim, sipas të cilit, duhet gjindur një status, i cili do të jetë gjithpërfshirës dhe do t’i ndihmojë të gjithëve në Kosovën e ardhshme, pse jo të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për Kosovën e ardhshme. Është paraparë që në Kosovën e pas statusit, të ketë prani ndërkombëtare. Kosovarët çdo herë kanë kërkuar që kjo prani të jetë e lehtë, ndërkohë që zoti Ahtisaari ka sqaruar që përfaqësuesit ndërkombëtarë do të kenë pushtet që të ndërhyjnë edhe në ekzekutiv. Si mendoni se do të reflektohen këto në zhvillimet e mëpasme?

YLBER HYSA
Ajo që ne kemi kërkuar, është prezencë e qartë. Në këtë aspekt, ajo që kemi parë, është realisht një prezencë e cila është ndërtuar edhe në përvojat e tjera (përvojat në rajon). Është një prezencë substanciale. Megjithatë, është e qartë që ky është një aneks i cili është ndërtuar në mes të partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht në relacionin Bruksel-Uashington dhe të tjerë, përfshirë edhe Bashkësinë Evropiane dhe NATO-n. Ne nuk kemi asgjë kundër që të ketë një prezencë të BE-së dhe NATO-s, të qartë, me mundësi partneriteti, që do të ishte ndihmë edhe për kosovarët edhe për implementimin e marrëveshjes, por edhe për ndërtimin e një perspektive të mundshme për Kosovën, që në të ardhmen të ketë premisa për integrime euroatlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Por si e komentoni ju fuqinë e ndërhyrjes në ekzekutiv që do ta ketë përfaqësuesi ndërkombëtar?

YLBER HYSA
Kjo është e ndërtuar pa kosovarët. Kjo prezencë është e negociuar kryesisht në relacionin Uashington-Bruksel. Përderisa, ajo është në funksion të një partneriteti për të ndërtuar një Kosovë të gatshme, që të marrë mbi vete gjithë sovranitetin dhe të jetë pratnere e ardhshme e integrimeve euroatlantike, besoj që kjo duhet të jetë diçka që duhet përkrahur nga Prishtina.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, për fund, kur mendoni se do të zgjidhet statusi i Kosovës?

YLBER HYSA
Unë shpresoj më shpejt, përndryshe e tëra mund të krijojë një situatë tjetër më të rëndë. Besoj që të gjithë e kanë kuptuar që stauskuoja nuk është ndihmë për askend. Ajo vetëm mund të çojë në një situatë, ku askush nuk fiton. Ne shpresojmë që ky mesazh është i kuptuar nga të gjithë. Me siguri se nëse kuptohet kështu, duhet të llogarisim që duhet të jemi në fazën, e cila duhet të përfundojë edhe aspektet teknike, për të pranuar një status për Kosovën, i cili nuk duhet të shtyhet tepër, përndryshe nuk do të jetë shumë i dobishëm.

Intervistoi Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG