Ndërlidhjet

SHPRESË DHE FRIKË NË PRITJE TË SHTETIT I RI


GUARDIAN

Kosova dhe Monako nuk kanë pothuaj asgjë të përbashkët. Por sa herë që dëshiron të bësh një thirrje telefonike mobile në Kosovën me shumicë shqiptare, duhet ta përdorësh prefiksin +377 të principatës së milionerëve.
Por ky nuk është problemi i vetëm që ka Kosova. Shqiptarët kanë dokumenta udhëtimi që mbajnë stemën e Kombeve të Bashkuara, dhe emrin e një entiteti miserioz të quajtur UNMIK. Shqiptarët e Kosovës apo "unmikianët", nuk mund të marrin kurrfarë dokumenti tjetër udhëtimi përveç nëse nuk u japin rryshfet zyrtarëve serbë që t'u lëshojnë një pasaport të Serbisë, i cili kushton 500 euro.
Por kjo tash do të ndryshojë. Përveç kodit të vet telefonik dhe pasaportave, Kosova do ta ketë flamurin dhe kushtetutën e vet, bankën qendrore dhe valutën e vet, shërbimin e doganave dhe kufinj të rinj ndërkombëtarë, himnin, armatën dhe kontrollin e hapësirës së vet ajrore.
Thënë shkurt, po lind një shtet i ri. Martti Ahtisaarit iu desh më shumë se një vit për ta hartuar propozimin për një Kosovë të pavarur. Rezultati është kryevepra për ndërtimin e një shteti, që i krijon të gjitha kushtet dhe rregullat për një vend, por pa e shpallur pavarësinë apo sovranitetin. Deklarata e pavarësisë do të vijë nga Kosova nëse plani i Ahtisaarit do të marrë bekimin nga Këshilli i Sigurimit. "Është një pako e mirë, një kompromis i ndershëm", ka thënë një diplomat perëndimor në Prishtinë. "Pala shqiptare mund të punojë me planin. Serbët fituan gjithçka që kërkuan, por megjithate do ta refuzojnë si tërësi", ka thënë diplomati perëndimor.
Ndërkohë forcat e NATO-s dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara po përgatiten për ekzod. "Do të shohim një numër të serbëve duke u larguar", ka thënë zyrtari i lartë perëndimor. "Serbët e Kosovës janë të frikësuar. Mund të jetë iracionale, por ata druajnë nga popullata shumicë", ka thënë ai.
Për Serbinë, plani i Ahtisaarit është poshtërim. Pavarësia e Kosovës është akti i fundit në dramën e përgjakshme 15-vjeçare të shpërbërjes së Jugosllavisë. Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica u ka urdhëruar serbëve të Kosovës që t'i prishin të gjitha lidhjet me autoritetet shqiptare në Kosovë. Pjesa veriore në fakt funksionon si pjesë e Serbisë. Targat e automjeteve janë serbe, valuta është dinari, ndërsa mësuesit dhe personeli i spitaleve paguhen nga Beogradi.
"Plani i Ahtisaarit do të pranohet dhe implementohet, por asnjëherë nuk do të funksionojë. Pjesa veriore do të ndahet", ka thënë Oliver Ivanoviq.
Për të shmangur një krizë të mundshme dhe të dhunshme në Evropë, Këshilli i Sigurimit duhet ta mbështesë planin për pavarësinë e Kosovës, planin e Ahtisaarit. Rusia kërcënohet se do ta bllokojë, por koincidenca e pozicioneve diplomatike në muajt e ardhshëm jep shpresë për një marrëveshje. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania janë mbështetësit më të mëdhej të shtetit të Kosovës. Britania e kryeson Këshillin e Sigurimit në prill kur plani do të vihet në tavolinë, amerikanët e kryesojnë në maj, ndërsa në qershor kancelarja Angela Merkel është mikpritëse e samitit G 8 dhe të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG