Ndërlidhjet

AUTORITETET DËNOJNË SHPËRTHIMIN NË PRISHTINË


Albana Isufi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dënuar shpërthimin e mbrëmshëm në afërsi të teatrit Dodona në Prishtinë, me ç’rast u dëmtuan tri vetura të UNMIK-ut dhe një civile. Presidenti Sejdiu, përmes një komunikate për media, ka thënë se aktet e tilla kriminale janë absolutisht të papranueshme për institucionet dhe qytetarët e Kosovës. “Ata e dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe nuk paraqesin frymën e vërtetë të popullit të Kosovës, për natyrën e të cilit, veprimet e tilla kanë qenë gjithmonë të dënueshme”, ka theksuar presidenti Sejdiu, duke kërkuar nga strukturat e rendit zbulimin sa më të shpejtë të autorëve të këtij akti dhe vënien e tyre para drejtësisë. Shpërthimi është dënuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili mbrëmë menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ai e ka quajtur sulmin, vepër të atyre që kundërshtojnë procesin e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Çeku ka thënë se shpërthimi është një akt i papranueshëm, nga i cili fitojnë vetëm armiqtë e pavarësisë. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në një prononcim për media ka thënë se në kohën, kur Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimeve politike, shpërthimi i mbrëmshëm në automjetet e UNMIK-ut në Prishtinë, është akt kriminal dhe i dëmshëm edhe në aspektin politik. Shpërthimi është dënuar edhe nga Zyra Amerikane në Prishtinë. Në një komunikatë për media, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, ka thënë se duhet të jetë e qartë për secilin se aktet e tilla të dhunës, ndaj kujtdo që janë të drejtuara, do ta rrezikojnë procesin e statusit dhe të ardhmen e popullit të Kosovës. Në anën tjetër, policia ende nuk ka informacione se kush qëndron pas shpërthimit të mbrëmshëm në Prishtinë. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se deri tani nuk ka të dyshuar e as të ndaluar. ”Informata më të hollësishme njëherë për njëherë nuk kemi, përveç asaj se mbrëmë në orën 21:15, tri vetura të UNMIK-ut janë dëmtuar nga një shpërthim, si dhe një veturë tjetër civile. Të lënduar nuk ka. Njësitë përkatëse policore edhe sot në mëngjes kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin. Nuk i dimë motivet e as akterët e mundshëm”, tha Elshani, duke mos saktësuar se me çfarë mjeti është kryer shpërthimi, pasi sipas tij, hetimet rreth kësaj janë duke u zhvilluar ende. Ndërkohë, në një komunikatë dërguar mediave përmes postës elektronike, një grup që veten e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, duke i cilësuar si përgjigje ndaj ngjarjeve të dhunshme të 10 shkurtit. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se edhe policia ka pranuar këtë informatë dhe po e heton atë për të parë se sa kredibile është. “Po, është e vërtetë që edhe ne e kemi pranuar këtë informatë. Ne jemi duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin në fjalë. Sa i përket komunikatës, jemi duke punuar në atë drejtim, të shohim se sa kredibile është dhe të shohim se çfarë elementesh përmban”, tha Elshani. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga komunikata në fjalë, në të cilën thuhet se dëmtimi i veturave ishte hakmarrje ndaj vrasjes së dy të rinjve ne protestën e 10 shkurtit. Aktivisti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, tha se kjo lëvizje nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin. “Ne nuk kemi të bëjmë me asgjë, as me komunikatën, as me aktin, i cili ka ndodhur mbrëmë, sipas informacioneve të mediave. Ne dënojmë çdo akt dhune, i cili rrezikon jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Sveçla. Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë tjetër më 3 mars, kundër pakos se Martti Ahtisaarit dhe kundër policisë dhe, siç është thënë, krimit që ata bënë më 10 shkurt. Aktivisti Glauk Konjufca tregon skenarin e protestës. “Trajektorja e marshutës do të jetë ajo e njëjta e 28 nëntorit dhe e 10 shkurtit. Më 10 shkurt, nuk na lanë, na penguan rrugën, na e uzurpuan atë, por kësaj radhe mendojmë se duhet ta realizojmë skenarin tonë paqësor. Pra, qarkullimi nëpër rrugët e qytetit tonë, të cilat i përkasin popullit dhe vetëm popullit, sepse nëse ne nuk protestojmë në rrugë, atëherë nuk di se ku kemi hapësirë tjetër për të demonstruar”, tha Konjufca. Protesta e 10 shkurtit e Lëvizjes Vetëvendosje përfundoi me 2 të vdekur, mbi 80 të lënduar, si dhe u pasua me dy dorëheqje, atë të ministrit të punëve të brendshme, Fatmir Rexhepi, dhe komisionerit të policisë së UNMIK-ut, Stephen Curtis. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon të vuajë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

XS
SM
MD
LG