Ndërlidhjet

KIPRED:KOSOVA ME PAVARËSI TË MBIKËQYRUR, SERBËT ME TË DREJTA SPECIALE


Rrahman Paçarizi

Pakoja e kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, përmban elemente eksplicite dhe implicite të shtetësisë për Kosovën, por bart me vete edhe rreziqe të caktuara dhe paqartësi të qëllimshme, thanë sot udhëheqës të Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, i njohur si KIPRED. Drejtori i institutit, Lulzim Peci, tha se pakoja karakterizohet nga tre elemente kyçe; së pari, e përcakton kornizën shtetërore të Kosovës, duke rekomanduar në mënyrë implicite një pavarësi të mbikëqyrur, pastaj e definon pozitën speciale të serbëve dhe të kishës serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe relacionet e tyre me Serbinë, dhe përcakton një prezencë të ngushtë por të fuqishme ndërkombëtare në mbikëqyrjen dhe implementimin e dy elementeve të para. “Praktikisht me këtë pako, Kosova e fiton subjektivitetin ndërkombëtar, mirëpo në disa fusha e ka të limituar ushtrimin e të drejtave sovrane”, tha zoti Peci. Ai theksoi se pakoja jep disa elemente eksplicite, që kanë të bëjnë vetëm me shtete sovrane. “Të drejtën për të negociuar marrëveshje ndërkombëtare dhe të kërkohet anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare; forca e ardhshme e sigurisë së Kosovës është e mandatuar që në një fazë më të vonshme, t’i barten edhe përgjegjësitë për rreziqet e jashtme; e drejta specifike për ratifikimin e konventave ndërkombëtare”, tha zoti Peci, duke numëruar më pas të drejtën e marrjes së borxhit ndërkombëtar, bartjen e pronës publike tek institucionet e Kosovës dhe elementi i gjashtë ka të bëjë me kontrollin e hapësirës ajrore. Udhëheqësi i institutit KIPRED, Lulzim Peci, tha se pakoja si e tillë ofron mbrojtje të madhe të komunitetit serb dhe po ashtu ofron mundësi që të ushtrojnë kulturën dhe identitetin e tyre në Kosovë, mirëpo pjesa ka edhe një numër të karakteristikave të autonomisë territoriale për pjesë të palidhura territorialisht. “Fakti që komunat mund të delegojnë anëtarët e tyre në nivel më të lartë të vendimmarrjes dhe kanë fuqi që të pranojnë staf, praktikisht paraqet nivel të mesëm të qeverisjes në Kosovë, që mund të jetë jokooperativ”, u shpreh zoti Peci. Sipas tij, një zgjidhje tjetër do të duhej kërkuar edhe lidhur me pikën, sipas së cilës, komunat e kanë fjalën e fundit në zgjedhjen e komandantëve të stacioneve të policisë. “Ne mendojmë se Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ketë kontroll mbi filtrin e policëve, që mund të bëhen komandantë të stacioneve, duke përfshirë këtu edhe gradat e tyre”, theksoi Lulzim Peci. Pika më e ndjeshme sipas studimit të organizatës KIPRED lidhur me sigurinë, sipas zotit Peci, është “aty ku thuhet se Kosova nuk duhet të ketë kërkesa territoriale ndaj vendeve të tjera, por askund nuk thuhet që shtetet e tjera nuk duhet të kenë kërkesa territoriale ndaj Kosovës”. Sidoqoftë, përfaqësuesit e institutit KIPRED thanë se ka çështje që janë lënë anash, janë lënë të mjegullta ose me mundësi interpretimi të dyfishtë. Ndër të tjera, zoti Peci tha se koha dhe mënyra se si Kosova do t’i përmbyllë obligimet e veta në raport me misionin ndërkombëtar, nuk është definuar qartë, pasi ajo nuk është lidhur me indikatorë matës me të cilët do të shënohej implementimi i plotë i marrëveshjes apo i këtij dokumenti.
XS
SM
MD
LG