Ndërlidhjet

ÇFARË DUHET BËRË PËR TA REHABILITUAR QKU-NË?


Nadie Ahmeti

Qendra Klinike Universitare e Kosovës duhet të mbyllet për një kohë të caktuar, të renovohet në tërësi dhe të ndërrojë një pjesë të personelit mjekësor. Ky është qëndrimi i disa ekspertëve që merren me çështje të shëndetësisë, të cilët thonë se vetëm në këtë mënyrë dinjiteti i kësaj qendre mund të rikthehet. Isuf Dedushaj, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, shpjegon mënyrën se si e sheh ai rimëkëmbjen e Qendrës Klinike. “Dy vite më parë, kur unë isha drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, mendimi im dhe i bordit në atë kohë, ka qenë që të mbyllet qendra deri sa të bëhet renovimi i tërësishëm dhe të jetë një qendër bashkëkohore. Të mbyllet dhe të ndërtohet një herë e përgjithmonë. Të bëhet një renovim komplet dhe jo parcial, siç është bërë. E pastaj të kthehen në punë, pas renovimit, kuadri arsimor, pedagogë dhe asistentë dhe të shpallet konkursi për kuadër të mesëm, gjegjësisht edhe për mjekë në klinikë”, thotë zoti Dedushaj. Ai shton se problemet e shumta në qendrën universitare janë krijuar prej kohësh, por në këtë segment kanë ndikuar edhe kushtet e rënda sanitare brenda saj, mungesa e aparateve të ndryshme për diagnostifikimin e sëmundjeve dhe pagat e ulëta të personelit mjekësor. “Patjetër duhet që në klinika të forcohet urgjentisht diagnsotika, që është bazë e klinikës. Duhet urgjentisht të gjendet mënyra për pagesën ndryshe të personelit mjekësor, nëse nuk duam t’i lëmë rrugë korrupsionit, nëse nuk duam t’i lëmë rrugë hajnisë”, tha zoti Dedushaj. Problem tjetër që urgjentisht duhet të zgjidhet në këtë qendër, është edhe zvogëlimi i punëtorëve administrativë dhe të rritet numri i personelit mjekësor. Sipas Dedushajt, përbërja e Qendrës Klinike Universitare numëron 14 % personel mjekësor dhe 27% punëtorë administrativë. “Është e pakonceptueshme se në QKU, 14% janë mjekë, kurse 27% janë punëtorë joshëndetësorë. Këtë nuk e duron asnjë shtet me një buxhet shumë të fuqishëm”, thekson zoti Dedushaj.
Skendër Syla, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, është i mendimit se nevojitet një organizim më i mirë brenda për brenda qendrës. “Unë mendoj se duhet një organizim më i mirë, brenda për brenda QKU-së, një komunikim më i mirë i të gjitha niveleve të sistemit shëndetësor, themelimi i një sistemi më të mirëfilltë të referimit nga të gjitha nivelet”, pohon zoti Syla. Në këtë kuadër, zoti Syla thotë se Organizata Botërore e Shëndetësisë është në kontakt me bordin udhëheqës të QKU-së, për të parë mundësitë e rehabilimit. “Në këtë drejtim, ne si zyrë
e OBSH-së, do të kontaktojmë edhe zyrën bashkëpunuese në Barcelonë, e cila ka specialitet spitale të ndryshme, dhe do të vijë një konsulent ndërkombëtar, i cili do të bëjë një pasqyrim të gjendjes dhe do të rekomandojë për hapat, të cilët duhet të ndërmerren me qëllim të tejkalimit të gjendjes”, tha zoti Syla.
Por, ish-drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Isuf Dedushaj, pohon se për përmirësimin e gjendjes në QKU, nuk ka nevojë për ekspertë të huaj. “Për përmirësimin e gjendjes, nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj. Ne na mungojnë lekët se jo mendja, duke marrë parasysh se ekspertët tanë kanë qenë në shkallë bote, duke u specializuar prej Japonisë e deri në Amerikë”, tha zoti Dedushaj. Qendra Klinike Universitare e Kosovës, viteve të fundit, është ballafaquar me akuza nga më të ndryshmet për mungesë të shërbimeve adekuate të pacientëve dhe keqmenaxhim të qendrës. Në anën tjetër, vetë punëtorët shëndetësorë tashmë sa herë kanë protestuar në kërkim të përmirësimit të gjendjes së krijuar në Qendrën Klinike dhe rritjes së pagave të tyre. Një protestë të këtillë ata kanë thënë se do ta mbajnë në fillim të muajit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG