Ndërlidhjet

PRISHTINË


Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku e kanë dënuar shpërthimin e mbrëmshëm në Prishtinë duke kërkuar zbulimin sa më të shpejtë të autorëve të këtij akti.
"Aktet e tilla e dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe nuk e paraqesin frymën e vërtetë të popullit të Kosovës", ka thënë presidenti Sejdiu. Ndërsa kryeministri Çeku ka thënë se "shpërthimi është një akt i papranueshëm, nga i cili fitojnë vetëm armiqtë e pavarësisë". Ndërkohë kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, tha se "shpërthimi i mbrëmshëm është akt kriminal dhe i dëmshëm edhe në aspektin politik". Shpërthimi është dënuar edhe nga Zyra Amerikane në Prishtinë. "Duhet të jetë e qartë për secilin se aktet e tilla të dhunës, ndaj kujt do që janë të drejtuara, do t'a rrezikojnë procesin e statusit dhe të ardhmen e popullit të Kosovës", ka thënë shefja e zyrës Amerikane në Prishtinë Tina Kajdanou.
Nga ana tjetër autoritetet e rendit janë duke i hetuar këto shpërthime. Zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës, thanë se hetimet janë duke vazhduar ndërsa deri tash nuk ka të dyshuar e as të ndaluar.
Ndërkohë, në një komunikatë dërguar mediave përmes postës elektronike, një grup që vetën e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, duke i cilësuar si përgjigjje ndaj ngjarjeve të dhunshme të 10 shkurtit.
Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë pas orës 21 në afërsi të teatrit Dodona në Prishtinë, ndërsa janë dëmtuar tri vetura të UNMIK-ut.
XS
SM
MD
LG