Ndërlidhjet

logo-print

SINGH:”ASNJË QËLLIM NUK MUND TË ARRIHET ME DHUNË”


Albana Isufi

Administrata ndërkombëtare nuk ka zbuluar ende, se kush ka shkatërruar tri vetura të personelit të saj dhe një veturë tjetër civile, mbrëmjen e 19 shkurtit në Prishtinë. Zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Neeraj Singh, ka dënuar shpërthimin, duke e quajtur si të dëmshëm për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. “Nuk e dimë ende se kush qëndron pas këtij akti, apo çfarë objektive kanë dashur të arrijnë. Por, ajo që e dimë është se asnjë qëllim nuk mund të arrihet me dhunë. Në këtë fazë vendimtare të procesit të statusit, kur Kosova po kërkon të arrijë aspiratat e saja, sulmet mbi veturat dhe personelin e UNMIK-ut, vetëm do të minojnë interesat e kosovarëve. Por, është inkurajuese se shumica e popullit të Kosovës, kanë treguar përkushtim të qartë, se duan që me mjete demokratike dhe paqësore të gjejnë vendin e tyre të duhur në rendin botëror”, tha Neeraj Sing, duke shtuar se UNMIK-u është i vendosur që elementet ekstremiste, që kanë zgjedhur rrugën e dhunës, të izolohen dhe të dalin para drejtësisë. Përmes një komunikate dërguar mediave, një grup që veten e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka marrë përsipër shkatërrimin e veturave, si përgjigje ndaj ngjarjeve të dhunshme të 10 shkurtit. Policia ka pohuar se është duke i hetuar deklaratat e tilla për të parë nëse ato janë të vërteta. “Duhet t’i hetojmë të gjitha deklarimet seriozisht, derisa të konfirmojmë ose mohojmë se në të vërtetë ka të bëjë me UÇK-në”, tha zëdhënësja e policisë së UNMIK-ut, Caroly Martin. Shoqatat e dala nga lufta, dje, kanë hedhur poshtë çdo mundësi të riaktivizimit të UÇK-së, duke thënë se emri i UÇK-së është duke u keqpërdorur. Shefi për informim i KFOR-it, Rainar Senger, ndërkaq siguron se në Kosovë nuk ka grupe paramilitare. “KFOR-i e ka thënë disa herë më parë, se nuk ka të dhëna për ndonjë grup paramilitar në Kosovë. Ne jemi shumë të bindur se nëse se ka raste të tilla, KFOR-i së bashku me UNMIK-un dhe SHPK-në, do të veprojnë në mënyrë shumë vigjilente kundër këtyre individëve apo grupeve. Kjo është shumë e qartë”, tha Senger. Ndryshe, zyrtarë të UNMIK-ut kanë pohuar se janë 24 hetues që po merren me hetimin e ngjarjeve të 10 shkurtit, ku mbeten të vrarë dy persona dhe më shumë se 80 te tjerë të lënduar. Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, tha se grupin punues shumëkombësh, në të cilin janë të përfshirë edhe pjesëtarë të SHPK-së, po e udhëheq prokurori i pavarur amerikan, Robert Dean. Singh nuk ka dhënë detaje të hetimeve të kryera deri tash, por ka siguruar se hetimet po mbikëqyren tërësisht nga Inspektorati i pavarur i policisë. Ndërkohë, policët ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në intervenimin e policisë kundër protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të lejohen që të largohen derisa të përfundojë faza e hetimeve.
XS
SM
MD
LG