Ndërlidhjet

SERBËT DYSHOJNË NË MEKANIZMAT PËR ZBATIMIN E TË DREJTAVE TË TYRE


Rrahman Paçarizi

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës mendojnë se vetë pavarësia si e tillë, do të thotë pasiguri për ta, pavarësisht nga garancitë që u ofrohen pakicave në pakon e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Njëkohësisht, analistët në Kosovë mendojnë se pakoja e Ahtisaarit u garanton pakicave të drejta, që janë mbi standardet e njohura ndërkombëtare dhe përmendin në këtë kontekst deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë, se dy të tretat e pakos kanë të bëjnë pikërisht me të drejtat e pakicave, e posaçërisht të serbëve. Lideri i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, thotë se është e papranueshme që serbët të trajtohen si pakicë, meqë sipas tij, serbët duhet ta kenë statusin e kombit. “Serbët nuk mund të pranojnë të futen në një pako me pakicat, pasi kjo do të thotë se në një kohë të caktuar do të relativizohen problemet tona”, tha Ivanoviq, duke u shprehur se definimi i serbëve si komb, do të ishte pozitë më e mirë, edhe pse Ivanoviq nuk është i sigurt se kjo do të ishte e mjaftueshme. “Historikisht, praktikisht dhe politikisht, serbët duhet të ndahen nga ajo pako dhe në këtë mënyrë do t’u jepet rëndësia e duhur”, tha Ivanoviq, me të cilin, pajtohet edhe njëri nga udhëheqësit e Këshillit Nacional Serb për Kosovën qendrore, Dragan Veliq. “Për ne kjo është e papranueshme, pasi është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe është një precendent në këtë proces”, tha Veliq, sipas të cilit, pakoja e ka parasysh gjendjen e tanishme dhe gjendjen para luftës në Kosovë, në kuptimin e territorit ku banojnë serbët. “Bashkësia ndërkombëtare po përpiqet t’i kënaqë serbët, pasi komunat e reja do të jenë monoetnike, ndërsa ekonomikisht nuk do të jenë të qëndrueshme”, tha Veliq. Ai mendon se serbëve në këtë pako u ofrohen të drejtat, por nuk janë siguruar mekanizmat për realizimin e tyre dhe nuk është siguruar pavarësia e nevojshme e komunave me shumicë serbe. Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, mendon se një qasje e tillë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, është në pajtim me qëndrimin e përgjithshëm të shtetit serb ndaj kësaj çështjeje dhe ndaj propozimeve të Ahtisaarit. “Tash për tash ata janë si bllok, edhe serbët e Kosovës edhe Beogradi, kundër pakos së Ahtisaarit si tërësi dhe nuk i konsiderojnë të drejtat të mjaftueshme, pasi e shohin atë si një akt që i hap rrugën pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Maliqi. Ai mendon se edhe nëse e pranojnë pavarësinë, serbët e Kosovës do të kërkojnë më shumë sesa ajo që u është ofruar me pakon e Ahtisaarit. “Edhe nëse do ta pranonin pavarësinë e Kosovës, gjithnjë do të kërkojnë më shumë, ose të shkëpusin një pjesë, ose të krijojnë njëfarë autonomie”, tha Maliqi. Ai mendon se te shqiptarët, pa arsye, stërmadhohet dhe mbiçmohet ajo që u është ofruar serbëve, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për komuna me autorizime shtesë në disa fusha. Ndërkohë, atë që u ofrohet në fushë të bashkëpunimit me Serbinë, Maliqi e cilëson si një autonomi personale. Zoti Shkëlzen Maliqi mendon se ajo që u është ofruar serbëve nuk është e gjithë pakoja, pasi asaj do t’i shtohen autorizimet që cilësohen si autorizime të pushtetit qendror. “Në këtë dokument, i shohim vetëm nëpër tekst ato se si do të duket Kosova dhe kjo nuk është sqaruar, dhe sigurisht se vetëm me pjesën tjetër shqiptarët do të jenë më të kënaqur për serbët, por kjo atëherë serbët i bën ta kundërshtojnë”, theksoi Maliqi. Ai po ashtu mendon se garancitë që u janë dhënë serbëve, janë të mëdha, pasi: “Ky nuk është një dokument që i lë të hapura të gjitha çështjet në raportet ndërmjet shumicës dhe pakicës, por do të ketë edhe një mision mbikëqyrës afatgjatë, në kuptimin fillimisht dy plus një vit. Por, edhe pas shkuarjes së këtij misioni do të ketë instrumente të mbikëqyrjes. Njëkohësisht, edhe shteti i Serbisë, që për ta do të jetë shtet amë, do të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të tyre, siç është paraparë”, thekson Maliqi. Ai gjithashtu është i bindur se zgjidhja e tashme për shumicën e dyfishtë të votimit, nuk do të ndikojë për bllokimin e punës së institucioneve të Kosovës, pasi dokumenti qartë do të emërojë të drejtat e pushtetit qendror dhe çështjet, për të cilat do të nevojitet shumica e dyfishtë dhe do të përcaktohet njëkohësisht edhe mekanizmi i daljes nga krizat e tilla.



XS
SM
MD
LG