Ndërlidhjet

logo-print

SAUER: KA VEND PËR BISEDIME TË MËTEJSHME NË DITËT QË VIJNË


Kai Sauer, këshilltar politik i kryenegociatorit Martti Ahtisaari

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sauer, si do t'i vlerësonit bisedimet e sotme në Vjenë?

KAI SAUER
Bisedimet e sotme janë mbajtur në një atmosferë pune dhe do thosha se ishin një fillim i mbarë për të dyja palët. Përfundimisht ka vend për bisedime të mëtejshme në ditët që vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka mundësi që palët do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështje të ndryshme?

KAI SAUER
Padyshim që ky është qëllimi ynë dhe këtë po përpiqemi të bëjmë. Nuk do përjashtoja mundësinë që palët të gjenin qëndrime të përbashkëta në një numër fushash.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç është për shembull...

KAI SAUER
Nuk do doja të dalloja ndonjë fushë të caktuar. Por ka shpresë që të shënohet përparim në disa fusha.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkuptohet këtu edhe statusi?

KAI SAUER
Do të mund të thosha vetëm në disa fusha.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të thoni se ky është raundi përfundimtar i bisedimeve mes dy palëve para se zoti Ahtisari të paraqesë propozimin para Këshillit të Sigurimit?

KAI SAUER
Deri tani po punojmë sipas planit të paracaktuar, i cili parasheh bisedime deri më dy mars dhe një raund permbledhës më 10 mars. Pas kësaj duhet të shohim.

RADIO EVROPA E LIRË
A do paraqesë zoti Ahtisari propozimin e tij përfundimtar në datën 10 mars?

KAI SAUER
Më 10 mars ai do paraqesë propozimin që do hartohet pas vërejtjeve që do bëhen gjatë ditëve në vijim, natyrisht nëse do ketë të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do jetë procedura pas 10 marsit?

KAI SAUER
Pas takimit të 10 marsit do shkojmë para Këshillit të Sigurimit me propozimin konkret.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur planifikoni të shkoni në KS?

KAI SAUER
Para Këshillit të Sigurimit do shkojmë pas përfundimit të bisedimeve në Vjenë. Është e vështirë të thuhet një datë e caktuar, por besohet se pas 10 marsit.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia ende nuk e ka krijuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të janarit. A e pengon kjo procesin në tërësi apo takimin e 10 marsit në veçanti?

KAI SAUER
Deri tani palët kanë treguar vullnet për të qenë të përfshira në proces dhe shpresoj që kjo të jetë e vërtetë dhe për takimin e 10 marsit.

Bisedoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG