Ndërlidhjet

VJENË: VAZHDUAN BISEDIMET KONSULTATIVE PRISHTINË-BEOGRAD


Në kryeqytetin e Austrisë në Vjenë sot vazhduan bisedimet konsultative të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me planin e Martti Ahtisaarit për statusin e ardhshëm të Kosovës. Palët sot i diskutuan anekset e planit lidhur me kushtetutën, të drejtat e pakicave dhe sistemin e drejtësisë.
Pas takimit, shefi i ekipit negociator të Prishtinës Veton Surroi tha se Beogradi dhe Prishtina i kanë zbutur dallimet mbi dy propozimet e planit. Njëri është që presidenti i Kosovës të mund t'i kthejë ligjet, të cilat do kishin ndikim negativ te pjesëtarët e bashkësive etnike. Surroi tha se zbutje të dallimeve ka patur edhe për mënyrën e formimit të qeverisë.
"Në pakon e Ahtisaarit insistohet që një ministër i qeverisë të jetë serb, ndërsa tjetri të vijë nga bashkësitë tjera etnike. Me Beogradin u dakorduam që të gjejmë një formulim, i cili nuk do të insistonte në parimin etnik", tha Surroi, për të shtuar se në përgjithësi, dallimet janë të papajtueshme.
Konsultat e sotme filluan rreth orës 10.00 në qendrën Austria. Para takimit, u prononcua i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
"Para së gjithash është me rëndësi që të fillojmë të bisedojmë për parimet kushtetuese. Pastaj do të flasim për të drejtat e komuniteteve dhe anëtarëve të tyre. Shpresojmë që deri në fund të ditës të bisedojmë për sistemin e drejtësisë. Gjithë këtë ne do ta kalojmë në mënyrë metodologjike", tha Ahtisaari.
Udhëheqësi i ekipit negociator të Beogradit, Sllobodan Samarxhiq tha se aneksi i parë, i cili trajton çështjet kushtetuese është tejet i rëndësishëm.
"Kemi përgatitur një numër të madh amandamentesh thelbësore për Serbinë, e sidomos për serbët në Kosovë. Shpresojmë se të paktën një pjesë e amandamenteve tona do të merren parasysh nga Ahtisaari dhe ekipi i tij", tha Samarxhiq. Ai tha se amandamenti i sotëm parasheh që kushtetuta e Kosovës të jetë në pajtim me Kushtetutën e Serbisë.
"Ai është në pajtim me amandamentin e parë të pjesës së përgjithshme të Kushtetutës, ku thuhet se Kosova e Metohia do të jenë krahinë autonome në kuadër të Serbisë, tha Samarxhiq.
Veton Surroi, tha se pala kosovare "nuk ka amandamente thelbësore në propozimin e Ahtisaarit në pjesën për dispozitat kushtetuese të Kosovës".
"Ne nuk duam të flasim për atë se çka duhet të shkruajë në Kushtetutën e Serbisë. Kjo është e drejta e tyre, e qytetarëve të Serbisë dhe e kuvendit të Serbisë. Por gjithashtu është e papranueshme që nga kjo kushtetutë, diçka t'i imponohet Kosovës", tha Surroi. "Kam përshtypjen që me propozimet e këtilla nuk kthehemi në vitet e 90-ta, por në vitet e 80-ta. Madje, edhe formulimet gjuhësore janë të njëjta, u mungon vetëm emri Republika Socialiste e Serbisë", tha shefi i ekipit negociator kosovar, Veton Surroi.
Gjatë kohës së pushimit, anëtari i ekipit negociator serb Dushan Batakoviq tha se amandamentet e Beogradit kanë hasur në reagime te delegacioni i Prishtinës.
"Kishte reagime shumë të ashpra nga pala shqiptare ndaj çdo përpjekjeje që të drejtat e serbëve dhe bashkësive tjera të mbrohen me të drejtën e vetos. Gjithashtu u hodh poshtë propozimi ynë për formimin e një entiteti serb në Kosovë" tha Batakoviq.
Para takimit të pasditës për të drejtat e bashkësive etnike dhe sistemin juridik, anëtari i delegacionit kosovar Fatmir Limaj tha se Prishtina u ka dhënë garanca pakicave në Kosovë më shumë se çdo vend tjetër. "Ne nuk i trajtojmë qytetarët tanë si pakica, por si bashkësi, të cilat do të fillojnë ta ndërtojnë jetën e re. Koncepti i shtetit të Kosovës nuk bazohet në përkatësinë etnike, por në bazën qytetare", tha Limaj.
Nesër delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të diskutojnë për çështjet ekonomike dhe ato të pronës.
Ky raund i bisedimeve konsultative do të përfundojë më 2 mars, ndërsa raundi përmbledhës do të mbahet më 10 mars, kur të dyja palët përsëri do ta shqyrtojnë tërë propozimin e Ahtisaarit.
Pas kësaj, kryenegociatori Martti Ahtisaari do ta finalizojë propozimin e tij dhe do t'ia paraqesë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Përgatiti Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG