Ndërlidhjet

NË PRITJE TË PËRMBYLLJES SË STATUSIT NË VJENË


Zijadin Gashi

Qeveria e Kosovës pret që takimet e filluara dje në Vjenë, të shënojnë fundin e procesit të bisedimeve dhe procedimin e dokumentit final të presidentit Ahtisaari për në Këshillin e Sigurimit. Zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama, tha sot se kryeministri dhe Qeveria e Kosovës besojnë se procesi ka hyrë në fazën finale, që nënkupton se po afrohen ditët kur Kosova të jetë shteti më i ri në Ballkan dhe Evropë. “Sikurse ka thënë edhe kryeministri, ajo që ne presim, është përmbyllja e këtij procesi të konsultimeve dhe dorëzimi i raportit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është e rëndësishme të bëhet, pasi që sa më parë nevojitet një qartësim i statusit të Kosovës. I duhet dhe kohë Këshillit të Sigurimit të përpunojë Rezolutën e re, e cila i jep fund sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, juridikisht, dhe i hap rrugën shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës”, tha Lama. Ndërkaq, analisti Baton Haxhiu vlerëson se dokumenti i Ahtisaarit, edhe pse është pjesë e diskutimeve në Vjenë, në takimet që po zhvillohen ndërmjet delegacioneve nga Prishtina e Beogradi, nuk do të pësojë ndryshime, pasi që palët, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të mund të merren vesh apo të arrijnë kompromise, lidhur me çështjet që atje po diskutohen. Në këtë drejtim, Haxhiu beson se dokumenti i Ahtisaarit i prezantuar më 2 shkurt në Prishtinë dhe Beograd, si qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare, është dokumenti final i cili do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit, në Nju Jork. “Është vetëm një përfundim i atij negocimi, i cili në themel e ka përmbajtjen që e përcakton bashkësia ndërkombëtare dhe një përfundim i tillë tregon, se ky dokument do të shkojë në Këshillin e Sigurimit, i cili përcakton të ardhmen e Kosovës atje. Nuk ka marrëveshje në mes këtyre dy palëve, prandaj bashkësia ndërkombëtare e jep vulën e fundit”, vlerësoi Haxhiu. Po lidhur me ndryshimet e mundshme në këtë dokument, zëdhënësja Ulpiana Lama thotë se krejt çka Qeveria dhe pala kosovare mund të presin, janë disa korrigjime në pako, që e bëjnë më të lehtë zbatimin e marrëveshjes në Kosovën e pavarur. “Nga këto konsultime që po zhvillohen në Vjenë, Qeveria e Kosovës pret që dokumenti vetëm të përmirësohet, të bëhet më funksional. Ne e dimë që dokumenti i Ahtisaarit do të implementohet në shtetin sovran të Kosovës, nga institucionet e Kosovës. Ajo që ne presim, është që këto modalitete të sigurojnë sa më shumë funksionalitet të kësaj njësie të re shtetërore, që do të quhet pra, Kosovë”, theksoi Lama. Në anën tjetër, Baton Haxhiu vlerëson se nuk ka shenja që procesi i statusit të zvarritet dhe pret që ai të përmbyllet sipas parashikimeve. Ajo çka sipas Haxhiut është evidente, ky dokument i është dashur Kosovës shtatë vite më parë. Sidoqoftë, Haxhiu pret që procesi të përmbyllet, pavarësisht se disa dilema do të mbeten edhe pas miratimit të dokumentit për statusin, sidomos në kuptimin e funksionimit dhe stabilitetit të Kosovës në të ardhmen. “Ky dokument, realisht, e përcakton një të ardhme. E mirë, e keqe, ajo që është. Domethënë, është dokument i kompromisit dhe dokument i cili paraqet në njëfarë mënyre, realitetin e asaj që ka ndodhur pas vitit 1999. Sikur ky dokument të ishte në vitin 1999, besoj që do të kishim një situatë krejt tjetër. Me kaq vonesë nuk përmbush, po themi kështu, as përmbajtjen, as shpresat e as një siguri totale për një Kosovë, e cila mund të zhvillohet qetë dhe lehtë”, tha Haxhiu. Procesi i Vjenës i filluar një vit më parë, ka përfshirë disa raunde të bisedimeve Prishtinë–Beograd. Në asnjë prej këtyre takimeve, palët nuk kanë arritur deri te harmonizimi i qëndrimeve apo deri te marrëveshjet. Më 2 shkurt të këtij viti, presidenti Ahtisaari në cilësinë e emisarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, u dorëzoi Prishtinës e Beogradit pakon e tij, si propozim për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ky propozim u komentua, se parasheh një Kosovë të pavarur, por të mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare. Beogradi e ka hedhur poshtë këtë propozim, përderisa Prishtina e ka mirëpritur. Kurse faza e konsultimeve e filluar më 21 shkurt, pritet të përmbyllet në javën e parë të marsit. Pas kësaj faze, pavarësisht se askush nuk pret ndonjë marrëveshje të negociuar ndërmjet palëve, Ahtisaari ka paralajmëruar se do t’i procedojë Këshillit të Sigurimit dokumentin e tij final, me çka do të fillojë dhe procesi i vendimmarrjes lidhur me statusin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG