Ndërlidhjet

DOURLOT: RUSIA NUK MBËSHTET, POR AS KUNDËRSHTON PLANIN E PAPRANUAR NGA BEOGRADI


Ka filluar në Vjenë dita e tretë e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit lidhur me propozimin e kryenegociatorit Ahtisari. Zëdhënësi i zyrës së UNOSEK-ut, Remi Dourlot, rreth agjendës së sotme të takimit për radion "Evropa e Lirë" tha se "delegacionet do përqëndrohen në aneksin që merret me ekonominë".
Më tej ai sqaron se formati i bisedimeve mbetet i njëjtë, dy delegacionet janë përballë njëri-tjetrit në sesione që drejtohen nga i dërguari Ahtisaari. Lidhur me shpresën se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët në disa fusha të natyrës teknike zyra e UNOSEK-ut thotë se ende nuk mund të flitet për diçka të tillë, derisa temat e diskutuara dy ditët e para, siç janë Kushtetua dhe të drejtat e pakicave janë të lidhura drejtpërdrejt me statusin.
Pas këtij raundi bisedimesh është paralajmëruar dhe një tjetër që do duhet të zhvillohet më 10 mars. Por megjithë planin për një takim të tillë zyra e UNOSEK-ut nuk mund të konfirmojë ende mbajtjen apo nivelin e pjesëmarrjes në këtë raund.
"Ndonëse duam të kemi dhe një raund tjetër asgjë nuk është vendosur. Duhet të presim deri nga mesi i javës së ardhshme për të pasur më shumë sqarime rreth pjesëmarrjes dhe takimit në përgjithësi." tha për radion "Evropa e Lirë" zëdhënësi i zyrës së zotit Ahtisaari, Remi Dourlot. Më tej ai shton se edhe për nivelin e pjesëmarrjes në takimin e 10 marsit ende nuk dihet diçka konkrete.
Përpara paraqitjes më 2 shkurt në Prishtinë e Beograd të propozimit të tij kryenegociatori Ahtisaari i njohu në fund të janarit vendet e Grupit të Kontaktit me planin në fjalë. Rusia, vend anëtar i Grupit të Kontaktit dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ka vazhduar mbështetjen për qëndrimin e Serbisë. Lidhur me qëndrimin rus Dourlot për programin tonë tha:
"Ne e dimë qëndrimin e Rusisë nga mbledhjet e Grupit të Kontaktit. Zyrtarisht prej tyre kemi vetëm qëndrimin e dy shkurtit në takimin e Grupit të Kontaktit, ku iu kërkua palëve që të përfshiheshin në mënyrë konstruktive në bisedimet aktuale. Natyrisht ne lexojmë deklaratat ruse në media."
Më tej duke folur për mundësinë që qëndrimi rus të pengojë zotin Ahtisaari në paraqitjen apo formulimin e planit të tij zëdhënësi i UNOSEK-ut për radion "Evropa e Lirë" sqaron:
"Çdokush duhet të lexojë saktësisht ato që thotë Rusia. Deri tani ata janë shprehur se nuk do mbështesin ndonjë plan që nuk pranohet nga Serbia. Dhe ka dallim të madh mes mos mbështetjes dhe kundërshtimit të dokumentit. Kjo është ajo që mund të them momentalisht."

Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG