Ndërlidhjet

A DO TË DËSHTOJË STRATEGJIA E PLANIT ZHVILLIMOR?


Nadie Ahmeti

Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka paralajmëruar se versioni përfundimtar i Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës për periudhën 2007-2013, pritet të përfundojë në muajin mars. Kjo strategji, me vendim të Qeverisë së Kosovës, ka kaluar në mbikëqyrje të Ministrisë së Ekonomisë, për shkak të disa vërejtjeve në punën e sekretariatit, tashmë të shuar, i cili e ka hartuar strategjinë. Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, pohon se ministria dhe grupet teknike punuese janë duke punuar vazhdimisht, që sa më shpejt strategjia të kalojë në Kuvendin e Kosovës për miratim. “Ne si ministri, në konsultim të vazhdueshëm me grupet teknike punuese për sektorin përkatës, intensivisht jemi duke punuar në përcaktimin e prioriteteve afatmesme zhvillimore, për vitin 2007-2013. Dhe si rezultat, dokumenti përfundimtar pritet të përfundojë gjatë muajit mars”, thotë zoti Shahini. Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq thonë se kjo strategji mund të ketë fatin e dy strategjive të mëparshme, të cilat kanë dështuar. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik në Prishtinë, thotë se ka indikacione që edhe kjo strategji do të dështojë. Sipas tij, fakti se kryeministri Agim Çeku ka shuar sekretariatin që ka hartuar këtë strategji, lë hapësirë për dyshime. “Sipas të gjitha indikacioneve që ne kemi, edhe kjo do të dëshotjë. Me vetë faktin se kryeministri Çeku e ka suspenduar grupin i cili e ka hartuar këtë strategji, dhe këtë strategji ia ka bartur Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, mendojmë se diçka nuk është në rregull”, thotë zoti Limani. Por, Muhamet Sadiku, udhëheqës i sekretariatit tashmë të shuar i cili e ka hartuar strategjinë, thotë se nuk ka mundësi për dështim dhe vlerësimet e ekspertëve në këtë drejtim i quan të ngutshme. “Kjo strategji, kësaj here, mendoj se nuk do të dështojë sepse është e vendour në një koncept tjetër, në krahasim me strategjitë që na janë ofruar në të kalaurën, dhe në të cilat kanë punuar dy ose tre veta”, pohon zoti Sadiku. Ndërkaq, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë, vlerëson se do të ishte e mirëseardhur që ekspertë për çështje ekonomike të japin kontributin e tyre në përmirësimin e strategjisë, aty ku ata mendojnë se ka nevojë dhe jo të dalin me kritika. “Do të ishte mirë, që të gjithë ekspertët që i bëjnë këto vërejtje dhe thonë se kjo strategji do të dështojë, do të ishte mirë për të mirën e Kosovës, që ata të japin kontributin e tyre”, thekson zoti Shahini. Sidoqoftë, për hartimin e kësaj strategjie, deri më tash janë shpenzuar 750 mijë euro, 400 mijë prej të cilave i ka siguruar Qeveria e Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër është siguruar nga donatorët. Synimi parësor i një strategjie të tillë është zhvillimi i gjithmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike. Ndryshe, sipas zyrtarëve të Qeverisë, Strategjia dhe Plani Zhvillimor i Kosovës 2007-2013, do të prezantohet në konferencën e donatorëve, për të cilën ata shpresojnë se do të mbahet këtë vit, pasi të jetë përcaktuar statusi përfundimtar.
XS
SM
MD
LG